Telenovelës për të ardhmen e Kristiano Ronaldos duket se i ka ardhur fundi.CR7 do të luajë në Arabinë Saudite. Mediat në Spanjë bënë me dije se 37-vjeçari do të firmosë për Al Nassr deri në vitin 2025.

Burimet nga klubi arab kanë theksuar se çdo gjë është vendosur në një takim te zhvilluar të martën. Nuk ka të dhëna të sakta për pagën e Ronaldos, e cila sipas klubit nuk duhet të arrijë më shumë se 200 milionë euro në sezon.

Momentalisht ylli portugez është në Dubai ku po kalon disa ditë pushime me familjen pas Botërorit të Katarit. Po sipas mediave spanjolle ne orët e ardhshme pritet që Ronaldo të udhëtojë për në Raid për të firmosur kontratën e re.

Pas përfundimit të kontratës së tij si lojtar deri në vitit 2025, 37-vjeçari më pas do të jetë ambasador i vendit për kandidaturën e Botërorit 2030.