Kancelari Olaf Scholz u shpreh i kënaqur: Në video-mesazhin e tij të fundit, ai foli me maturi dhe në mënyrë reale për arritjet e qeverisë së tij në vitin e parë në detyrë. Mbështetja humanitare, financiare dhe me armë e Ukrainës, sigurimi i furnizimit me energji, promovimi ligjor i energjive të rinovueshme, lehtësimet financiare për qytetarët, rritja e pagave minimale dhe përfitimet e kategorive që kanë nevojë për ndihma sociale, janë disa nga rezultatet e arritura.
Formulimet e kancelarit: “Jemi kujdesur – ta bëjmë të mundur –jemi kujdesur të hedhim themelet”. Mesazhi midis rreshtave: Ne e kemi situatën nën kontroll – pavarësisht krizave, me të cilat asnjë qeveri federale nuk është dashur të përballet më parë. Nëse Olaf Scholzit do t’i jepte “koalicionit semaforik”, siç quhet aleanca e SPD, të Gjelbërve dhe FDP-së sipas ngjyrave të tyre partiake, një notë shkollore, sigurisht që nuk do të ishte notë e keqe.
Zgjedhësit e pakënaqur
Shumë qytetarë i shohin gjërat ndryshe. Koalicioni semaforik ka disa muaj që nuk ka më shumicën në sondazhe. Në të njëjtën kohë janë shtuar edhe pakënaqësitë ndaj qeverisë. Vetëm një pakicë mendon ende se koalicioni po e bën mirë punën e tij.
Politologia Ursula Münch nuk dëshiron të gjykojë kaq ashpër. “Unë i jap qeverisë semaforike një notë të kënaqshme,” tha për DW drejtorja e Akademisë për Edukimin Politik në Tutzing. Detyrat ishin të mëdha dhe të vështira. Në vend që të punonte thjesht për zbatimin e programit të koalicionit, koalicioni u detyrua të reagojë ndaj situatave të paparashikueshme dhe u largua nga “disa dogma politike”.