Letra e hartuar nga ish-ministri i Brex-it, Davis Davis, kërkon që ata emigrantë që mbërrijnë në Britani nga vendet e sigurta si Shqipëria të riatdhesohen sa më shpejt.

Sipas mbi 50 deputetëve, një ndryshim i ligjit do të mundësonte lehtësimin e situatës me emigracionin ilegal. Një zëdhënës i “Home Office”, Ministrisë së Brendshme dhe Emigracionit thotë se ministrja Suela Braverman “po punon ditë e natë për ta zgjidhur këtë çështje, përmes hartimit të legjislacionit që do të frenonte kalimet ilegale përmes La Manshit”, njofton media vendase.

Në letrën drejtuar Rishi Sunak, deputetët e cilësojnë këtë si “nyjen gordiane e cila duhet këputur”.

Sipas deputetit Davis, ish-Ministër i Brexit, autoritetet e azilit nuk e interpretojnë ligjin në mënyrë korrekte. Por Home Office thotë se “ne po përshpejtojmë rikthimin e individëve përmes marrëveshjeve të veçanta bilaterale  me partnerët tanë si Shqipëria, duke e konsideruar këtë si një nga prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme”.Nga 504 mijë vetë që përbënin emigracionin në vitin e kaluar në Britani, pa përfshirë kalimet me gomone të mbi 40 mijë personave, shqiptarët ishin vetëm afro 13 mijë syresh. Kryeministi Edi Rama kërkoi ndjesë nga autoritetet britanike pas komenteve kundër shqiptarëve, të bëra sidomos nga ministrja e Brendshme Suela Braverman, por ndjesa nuk ka ardhur dhe nuk pritet nga britanikët.

Konservatorët në pushtet në Britani i kanë punët mjaft keq me sondazhet e opinionit publik dhe ndodhen përpara një humbjeje spektakolare, sipas sondazheve në zgjedhjet e ardhshme, qoftë edhe për dështimet në çështjet e emigracionit. Nuk dihet ende nëse autoritetet shqiptare do të vazhdojnë si deri më sot të pranojnë rikthimin e shqiptarëve nga Britania me avionë charter në Tiranë, pas këtij ngërçi në marrëdhëniet dypalëshe. Historikisht të gjitha qeveritë shqiptare kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet britanike të ligjzbatimit në 30 vitet e fundit për rikthimin e shqiptarëve nga Britania kur kanë qenë pjesë e krimit të organzuar, apo kur janë klasifikuar të paligjshëm në Britani.