Dikur dilnin në treg vetëm për festa. I gjenim nëpër dyqane vetëm për disa javë dhe më pas zhdukeshin nga tregjet për një vit të tërë. Por tani, mandarina është bërë pjesë e pandashme e tryezës sonë, falë prodhimit cilësor të zonave më jugore të Shqipërisë si Xarra e Sarandës dhe krejt Konispoli.

Muajt e dimrit përbëjnë kulmin e sezonit të mandarinave, por edhe të portokalleve. Këto agrume të vendit kanë vlera shumë herë më të mëdha se frutat e tjera të importuara. Agrumet shumë të dashura për konsumatorin zgjasin për shumë kohë në tezgat e tregjeve të shumta të Shqipërisë, por edhe në shportat tona të ushqimeve.

Nëse del në treg, tabelat e produkteve tregojnë dy emra, Klementinën dhe Mandarinën. Klementina është një kultivar i kryqëzuar mes nerënxës dhe portokallit. Si Klementina ashtu edhe Mandarina janë të dyja agrume simotra me pak kalori. Në aspekt ushqyesish, të dyja janë të pasura, por po t’i krahasosh kultivari i Klementinës ka paksa më shumë vlera ushqyese.

Mandarinat klasike janë të sheshta si në pjesën fundore, ashtu edhe në atë të sipërme. Shija e tyre është e butë dhe e lehtë. Lëkura qërohet lehtë. Të dy kultivarët janë në treg nga Nëntori deri në Mars.

Varieteti i Klementinës konsiderohet si anëtari më i vogël i familjes së mandarinave. Ato kryesisht nuk kanë fara, lëkura është e lëmuar, me shkëlqim dhe me një ngjyrë portokalli të thellë. Ato gjenden në treg nga Nëntori deri në Prill.

Mandarinat e zakonshme kanë një ngjyrë portokalli më të çelët dhe athtësia e tyre është më e mprehtë. Ato gjenden në treg nga Nëntori në Janar.

Por cilëndo të zgjidhni, proçesi i përfitimit të këtyre vlerave nis me qërimin, ngrënien e menjëhershme, përzierjen në një sallatë ose përgatitjen me kos. Në të gjitha mënyrat e ngrënies do të keni mundësi të merrni shumë shije dhe plot vlera ushqimore.

Xarra dhe Konispoli i prodhojnë masivisht të dyja tipet, si mandarinën tradicionale, ashtu edhe klementinën, ndërsa konsumatorët rrallëherë e bëjnë diferencën mes tyre. Por nëse të qëllon një mandarinë e ëmbël mjaltë, atëherë e ke më të lehtë ta kuptosh se sapo ke takuar shijen e klementinës.

Në aspektin ushqimor, të gjitha kultivarët e mandarinave janë të ngjashme mes tyre. Në një mandarinë që përmban 50 kalori, do të përfitoni 2 gramë fibër dhe sheqer në një sasi të barabartë me 2 lugë çaji. Çdo mandarinë dhuron gjysmën e dozës së nevojshme ditore të vitaminës C, por edhe antioksidantë të tjerë.

Nëse jeni duke u përballur me të ftohtin, atëherë mandarinat janë zgjidhja e duhur, sepse përmbajnë sinefrinën, një substancë natyrale kundër bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes.

Mandarinat erdhën nga Afrika e Veriut në Evropë në vitet 1800. Asokohe në Marok rritej një varietet më i madh i kësaj agrumeje që e nisi rrugëtimin nga porti i Tangierit. Në vendet anglisht-folëse, kjo agrume mori emrin Tangerinë, pikërisht nga ky port.

Agrumet e vogla të kultivarit Klementinë kryesisht pa fara, fituan famë në Shtetet e Bashkuara, por u prodhuan 100 vite më parë nga një Francez që jetonte në Algjeri. Krijuesi i Klementinës quhej Marie-Clement Rodier, nga i cili klementinat e sotme kanë trashëguar edhe emrin.

Mandarinat dhe klementinat janë kultivarë të të njëjtës familje, njëlloj sikur flasim për mollët starkinge dhe ato gold.