Zyrtarët amerikanë thonë se numërimi i votave nuk është cënuar nga asnjë sulm kibernetik, pas zgjedhjeve të 8 nëntorit të vëzhguara nga afër lidhur me kërcënime të mundshme nga brenda dhe jashtë vendit.

Disa qeveri shtetërore dhe lokale u goditën nga sulme kibernetike që në disa raste shkaktuan bllokimin e faqeve publike. Por zyrtarët amerikanë thanë të mërkurën se asnjë sulm nuk arriti të penetronte në infrastrukturën e numërimit të votave.

“Nuk kemi parë asnjë provë që ndonjë sistem votimi ka fshirë ose humbur vota, ka ndryshuar vota ose është komprometuar në ndonjë mënyrë në ndonjë garë në vend”, deklaroi Jen Easterly, drejtore e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës në SHBA, CISA.

Më parë, CISA dhe agjenci të tjera federale paralajmëruan se mbrojta e sigurisë së zgjedhjeve në vend është bërë më komplekse se kurrë, me kërcënime serioze nga burime të brendshme. Kundërshtarët e huaj si Rusia, Kina dhe Irani janë përpjekur të ndërhyjnë në fushata individuale dhe të përhapin lajme të rreme në median sociale.

Numërimi i votave po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa nuk ka parashikime për fituesit në disa gara kyçe që do të përcaktojnë se cila parti do të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Faqja e internetit e sekretarit të shtetit të Mississippi-t nuk funksionoi për disa orë të martën, ndërsa pati njoftime për probleme të ngjashme në mbarë vendin.

Zyrtarët thonë se nuk e dinë se kush është përgjegjës për sulmin kibernetik në Mississipi, megjithëse një grup pro-rus kishte bërë thirrje në rrjetin social Telegram që ndjekësit e tij të vinin në objektiv faqen elektronike të atij shteti.