Uragani Nicole shkaktoi rrëshqitje dheu përgjatë bregdetit në lindje të Floridës, në orët e hershme të së enjtes. Stuhia, përmes erërave të fuqishme dhe reshjeve të mëdha të shiut, ka shkaktuar dëme në një pjesë të madhe të Floridës, thanë zyrtarët.

Uragani i rrallë i nëntorit i ka shtyrë zyrtarët të mbyllin aeroportet dhe parqet e ndryshme, si dhe të urdhërojnë evakuimin e banorëve nga disa zona, përfshirë edhe klubin e ish-presidentit Donald Trump, Mar-a-Lago.

Autoritetet paralajmëruan se ngritja e nivelit të ujit të detit shkaku i stuhisë mund të shkatërrojë edhe më tutje shumë plazhe që kanë mbetur të dëmtuara nga uragani Ian në shtator. Kjo stuhi parashikohet të kalojë edhe në Gjorgjia, Karolinë të Jugut dhe atë të Veriut gjatë së enjtes dhe së premtes, duke shkaktuar reshje të mëdha të shiut në rajon.

Nicole është listuar si stuhi e kategorisë së parë, me shpejtësi maksimale të erës prej 120 kilometrash në orë, tbëri të ditur Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA, të enjten. Stuhia po lëvizte drejt veriut dhe veriperëndimit me shpejtësi prej 22 kilometrash në orë.

Erërat e fuqishme të stuhisë tropikale u përhapën deri në 780 kilometra larg epiqendrës në disa drejtime. Epiqendra e uraganit Nicole pritet të lëvizë në qendër dhe veri të Floridës e pastaj në pjesën jugore të Gjorgjias gjatë së enjtes ndërsa në dy Karolinat të premten.

Disa tornado mund të shfaqen gjatë orëve të hershme të së enjtes në lindje dhe në verilindje të Floridës, njoftoi shërbimi i parashikimit të motit. Përmbytjet mund të ndodhin, përderisa priten edhe ngritje të nivelit të ujit në lumin St. Johns në Florida.

Gjatë ditëve të ardhshme, kjo stuhi do të ketë ndikim në pjesën veriperëndimore të Bahameve, bregdetin lindor të Floridës dhe një pjese të madhe të bregdetit juglindor të SHBA-së.

Por, stuhia pritet të humbasë fuqinë teksa lëvizë përgjatë Floridës dhe pjesës juglindore të SHBA-së dhe pritet të bëhet një ciklon post-tropikal pasditen e së premtes.

Për Floridën, që përballet shpeshherë me stuhi, kjo është vetëm e treta herë që nga viti 1853 që goditet nga një uragan në muajin nëntor. Të mëparshmit ishin uragani Yankee në vitin 1935 dhe uragani Kate në vitin 1985.

Mar-a-Lago, shtëpia dhe klubi i Trumpit, ishte në njërën nga zonat ku u evakuuan njerëzit. E ndërtuar në një pjesë me lartësi mbidetare prej 4.6 metrash, kjo pronë u ka mbijetuar një numër të madh të uraganeve që kur u ndërtua pothuajse një shekull më parë. Zyra e sigurisë e këtij klubi e mbylli telefonin kur u pyet nga Associated Press nëse njerëzit do të evakuoheshin nga prona, pasi nuk pati asnjë shenjë se do ta bënin këtë deri të mërkurën pasdite.

Nuk ka asnjë dënim për injorimin e një urdhri për evakuim, por ekipet e shpëtimit nuk do të përgjigjeshin nëse do të rrezikoheshin.

Gjatë një konference për media, guvernatori Ron DeSantis tha se erërat e fuqishme ishin shqetësimi i tij kryesor dhe se mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. Por, ai tha se janë rreth 16 mijë njerëz që po rrinë të gatshëm për restaurimin e energjisë, si dhe 600 roje dhe shtatë ekipe të kërkimit dhe shpëtimit.

“Kjo [stuhi] do të ndikojë në pjesë të mëdha të shtetit të Floridës gjatë gjithë ditës”, tha DeSantis, i cili njoftoi se dhjetëra shkolla do të mbyllen, ndërsa do të hapen 15 strehimore.

Në orët e hershme të së mërkurës, presidenti Joe Biden shpalli gjendjen emergjente në Floridë dhe urdhëroi që shtetit t’u vihen në ndihmë edhe ekipet federale.

Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave është ende duke u ndihmuar atyre që pësuan nga uragani Ian. Uragani Ian kishte shkaktuar dëme të mëdha në Florida në fund të shtatorit.