Nga: Kolonel Ahmet ALISHANI – ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut, Kosovë
Kolonel Ahmet Krasniqi është lindur më 15 Janar 1948 në Zhilivodë të Vushtrrisë, Kosovë, në gjirin e familjes së patriotit Aziz Zhilivoda.
Shkollen fillore e kreu në Zhilivod dhe Hade, ndërsa të mesmen në Prishtinë, pastaj regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Tokësore në Beograd, ku dallohet si njëri nga kadetët më të aftë dhe arrin të diplomojë me sukses të lartë, në afatin rekord (1969-1973) duke vazhduar studimet në Akademinë Komanduese, që e kryen më sukses të plotë (1981-1983).
Pas diplomimit e filloi karrierën ushtarake në Zagreb, e, pastaj caktohet komandant në Garnizonin e Gospiqit, ku e zë Lufta Kroato-Jugosllave.
Si njohës i mirë i realitetit të kohës, i përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të Federatës Jugosllave, kolonel Ahmet Krasniqi i kishte plotësisht të qarta qëllimet e luftës së nxitur nga hegjemonizmi serbo-sllav, prandaj në rastin e parë që i krijohet mundësija e ikjes, ai dezerton nga rradhët e APJ-së dhe rreshtohet në anën e Luftës Kroate, së cilës i bën sherbime të larta e shumë të dobishme, çfarë nuk kishin mundur t’ia bënin as vet institucionet ushtarake Kroate.
Pas ngjarjeve në Qirez e Likoshanë të Drenicës, si dhe më 4, 5 dhe 6 mars të vitit 1998 në Prekazin legjendar, një grup eprorësh ushtarakë të udhëhequr nga Agim Mehmeti, filluan presionin mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe mbi Kryeministrin Bujar Bukoshi, duke kërkuar që me urgjencë të formojnë Ministrinë e Mbrojtjes si dhe për Ministër i propozojnë kolonel Ahmet Krasniqin.
Pas vlerësimit të personalitetit të lartë patriotik dhe profesional, Kryeministri Bujar Bukoshi emëroi ministër të Mbrojtjes dhe Komandant të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqin.
I vetëdijshëm për situaten në Kosovë dhe i lumtur që iu dha rasti për t’i shërbyer atdheut të tij të robëruar, koloneli i rreket punës me përkushtim të zjarrtë për krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.
Kolonel Ahmet Krasniqi, tashmë Minister i Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, qysh në start të aktivitetit të tij i mori këto vendime:
-Ftoi të gjithë eprorët ushtarakë të angazhohen në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.
-Organizimin e Kursit në Sarajevë për t’u informuar rreth Luftës së zhvilluar në Bosnje, pergjegjës ishte emëruar ushtaraku Faton Gashi.
-Emrimi i oficerëve dhe marrja e përgjegjësive ushtarake në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.
-Caktimi i qendrave stervitore në brezin kufitar në zonen Kukës, Krumë, Tropojë, Viçidol, Papaj dhe Babinë.
-Formimi i njësive dhe brigadave të para duke filluar nga
a) Zona e Dukagjinit:
-Brigada: 131 – Komandant Rrustem Berisha.
-Brigada: 133 – Komandant Kemajl Shaqiri.
dhe :
–Brigada : 134 – Komandant Tahir Zemaj
Brigada, nën udhëheqjen e Komandant Tahir Zemaj dhe nën komanden e kolonel Ahmet Krasniqit, më 21 qershor të vitit 1998 dhanë Betimin, prandaj pikërisht më 21 qershor të vitit 1998 vihet gurëthemeli i Ushtrisë të Republikës së Kosovës, udhëhequr nga Ministri kolonel Ahmet Krasniqi.
Pas Betimit, Brigada e udhëhequr nga Komandant Tahir Zemaj, me Urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, të uniformuar dhe armatosur mirë, marrshuan drejt Dukagjinit, ku dhe realizuan betejen e parë frontale më armikun në Loxhë, e cila i shkaktojë dëme të mëdha si në teknikë ushtarake, po ashtu edhe në njerëz ushtrisë serbo-sllave.
Pas organizimit dhe punës së pandalshme të Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, me prezencen e tij, filloi inaugurimin e Njėsive, Brigadave dhe Qendrave Stervitore, sipas Plan-Programit tė hartuar nga vet Ministri Krasniqi, duke filluar në Babinë, inaugurimin e Qendres Stervitore dhe emërimin për Komandant eprorin: Muharrem Rrahmanin.
Në vazhden e inaugurimeve me datë 05 gusht 1998 në Qendren Stervitore në Kolsh, bëri inaugurimin e Brigades 143 dhe për Komandant emërohet: Major Fuad Ramiqi.
Rradha e qendrave stervitore dhe formimi i Brigadave dhe njësive ushtarake s’kanë të ndalur, si dhe në të gjitha inaugurimet, edhe pse kishte vështirësi gjatë levizjeve në terren, prezenca e Ministri Ahmet Krasniqi nuk mungonte.
Sukses pas suksesi, fshat pas fshati, rradha i vjen Qendres Stervitore të Kalimashit, ku në prezencen e kolonelit Krasniqi fillojë stervitjet Brigada “Skënderbeu”, me komandant Rashit Mustafa (Karadaku).
Puna e pandalshme dhe sukseset që tash më filluan të lulëzojnë nga të gjitha anët, si tek oficerët dhe ushtarët që rreshtoheshin çdo ditë e më shumë nëpër brigadatat dhe qendrat stervitore, si dhe humbjet e mëdha që filloi të numërojë ushtria serbo-sllave, ishin shkak i marrjes së vendimit për të stopuar sukseset e Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqit.
Objektivin që kishte koloneli për të liruar Kosovën nga pushtuesi shekullor, nuk arrin ta realizojë deri në fund, sepse duke e parë angazhimin e tij serioz dhe dëshirën e vërtetë për ta bërë Kosovën me ushtri sa më të mirë, dora e zezë e qëllojë fshehurazi dhe e vret në natën e vonë të 21 shtatorit 1998 në Tiranë.
Ishte një atentat i kurdisur tradhëtie, që e indinjoi gjithë Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, si dhe opinionin e gjërë liridashës shqiptar, i cili tek kolonel Ahmet Krasniqi kishte mbështetur shpresën e luftës çlirimtare dhe çlirimin definitiv të Kosovës nga pushtuesi.
Respektin që koloneli e gëzonte ndër ushtarët dhe eprorët ushtarakë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, ishin dëshmi e dashurisë dhe adhurimit të figurës madhore të kolonel Ahmet Krasniqit, ushtarakut dhe luftëtarit të devotshëm atdhetar, oficerit me pregaditjet më të larta shkollore dhe ekspertit të dëshmuar për aftësi të jashtëzakonshme në artin luftarak, që pa asnjë dilemë dhe frikë ia ofruan zgjedhjen Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK, në të cilat detyra u vra me atentat, për t’u përjetësuar në dhembjen krenare duke zënë vendin e nderit në panteonin e figurave më të shquara të Kombit Shqiptar.
Nga kolegët, bashkëpunëtorët, shokët, miqtë dhe ata që e kanë njohur nga afër, mësohet sa ka qënë një njeri tepër i veçantë me virtyte të larta njerëzore, human, trim i vendosur, guximtar e besnik, optimist dhe modest, një patriot i pastër dhe besimtar i madh në forcen e Popullit Shqiptar.
__________
@ Botuar në “Gazeta e Alpeve”- medium PanShqiptar e NdërBallkanik (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Lugina e Preshevës e Sanxhak-Maqedoni e Veriut)