Një senator demokrat dhe një republikan paraqitën një projektligj të mërkurën, i cili nëse do të miratohej, do të përcaktonte Rusinë si një vend që mbështet terrorizmin, një përcaktim i nxitur nga Ukraina, por që kundërshtohet nga administrata e Presidentit Joe Biden.

“Nevoja për këtë masë tani është më urgjente se kurrë më parë”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal, një nga hartuesit e projektligjit, në një konferencë shtypi, duke përmendur vrasjet e civilëve dhe “shtypjen brutale, mizore” në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus.

Senatori republikan Lindsey Graham, një tjetër hartues i projektligjit, tha se përcaktimi do të dërgonte një sinjal të fortë mbështetjeje për Kievin, por edhe për aleatët e Shteteve të Bashkuara, dhe do të vendoste masa të ashpra ndëshkuese ndaj Rusisë, si lejimi që ajo të paditet në gjykatat amerikane për veprimet e saj në Ukrainë dhe forcimi i sanksioneve.

Nuk është e qartë se kur ose nëse masa mund të hidhet në votim. Por të dy senatorët kanë mbështetur këtë nismë në muajt e fundit dhe kanë vizituar Kievin në korrik për ta promovuar atë.

Atyre u janë bashkuar edhe ligjvënës të tjerë që kanë shprehur mbështetjen për idenë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësja demokratja Nancy Pelosi tha në korrik se ky ishte një verpim i “vonuar shumë”.

Presidenti Biden ka thënë se nuk planifikon të ndërmarrë një vendimi të tillë për Rusinë. Zyrtarët e administratës thonë se ata nuk mendojnë se kjo është mënyra më efektive për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj dhe se mund të pengojë dërgimin e ndihmave humanitare në Ukrainë.

Moska i ka thënë Uashingtonit se marrëdhëniet diplomatike do të dëmtoheshin keq dhe madje mund të prisheshin nëse Rusia do të shtohej në listën e vendeve shtetërore që mbështesin terrorizmin, në të cilën aktualisht përfshihen Irani, Koreja e Veriut, Kuba dhe Siria.

Projektligji i paraqitur nga senatorët Blumenthal dhe Graham përfshin një dispozitë që do t’i lejonte një presidenti të Shteteve të Bashkuara ta heqë Rusinë nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin, pasi të vërtetojë para Kongresit se Moska nuk po e bën më një gjë të tillë.