Shkruan: Florim Zeqa

28.08.2022

 

Përkundër të drejtës absolute të grevistëve për ngritje pagash, ato nuk po ndodhin në momentin e duhur dhe çka është më e keqja e kanë marrë konotacionin politik nga mbështetja e gjërë e spektrit politik opozitarë, të cilët janë përgjegjësit kryesor në katandisjen e sistemit arsimor dhe shëndetësor të vendit tonë.

 

Greva me prapavijë anti-qeveritare që dëmton shtetin

 

Sado e drejtë dhe e arsyeshme të jetë greva në sektorin publik, ajo po ndodhë në kohën kur priten trazira dhe konflikt i armatosur në veri të vendit, e kjo assesi nuk mund të shkojë në dobi të vendit dhe as të grevistëve në veçanti!

Problemet e shkaktuara në sistemin arsimor dhe atë shëndetësorë, në sistemin energjetik dhe ekonomik të vendit nuk i përkasin kësaj qeverie por atyre paraprake.

Mirëpo, kjo situatë nuk e menjanon nga mëkatet qeverinë aktuale, e cila përveq retorikës, me asgjë dhe më asnjë rezultat nuk arriti t’i bind qytetarët për ndryshimin e paralajmëruar në qeverisjen e vendit.

Nuk arsyetohet me asgjë mungesa e reflektimit të ‘Qeverisë Kurti’, përkatësisht Ministrisë së Arsimit në parandalimin e grevës dhe hezitimi në fillimin e bisedimeve me SBASHK-un dhe Këshillin Grevist për gjetjen e një kompromisi të arsyeshëm së paku deri në tejkalimin e situatës konfliktuoze në veri të vendit.

 

Nga kush po sulmohet shteti, kush ta mbronë shtetin!?

 

Këto ishin pyetje në kontekst e një gazetari; nga mësimdhënësit, nga mjekët, nga punëtorët? Kush ta mbron shtetin; kriminelët politik, analfabetët, zvarranikët partiak…?

“Shteti nuk po sulmohet nga mësimdhënësit, nga mjekët, nga punëtorët, kurse shtetin e kemi të rrezikuar nga Serbia! Nese nuk mund ta mbrojmë, të pakten mos ta ndihmojmë Serbinë”, ishte përgjigja ime e shkurtër e cila shkon për të gjithë ata të cilët nuk janë koshient për rrezikun para të cilit ndodhet Kosova!

Kjo situatë kërkon reagimin e shpejtë të institucioneve shtetërore, përkatësisht të Ministrive të Arsimit, Shëndetësisë dhe Ministrisë së Financave për gjetjen e zgjidhjeve qofshin edhe kalimtare për prolongimin kohorë të grevës deri në miratimin e ligjit për pagat, në mënyrë që ta kemi një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor.

 

Mungon reagimi i Këshillit të Prindërve

 

Në situatën e krijuar pas fillimit të grevës së përgjithshme me ose pa qëllim është duke munguar reagimi i Këshillit të Prindërve në nivel nacional dhe lokal! Prindërit e nxënësve duhet të jenë të parët ata që reagojnë, ngase nga orët e pambajtura mësimore më së shumti e pësojnë fëmijët e tyre. Nëse nuk fillon mësimi në kohën e paraparë më 1 shtator në të gjitha shkollat e Kosovës, atëherë do të krijohet një situatë paradoksale e ndarjes së shkollave sipas ndikimeve partiake!

Rritja e pagave duhet bëhet në përputhje të plotë me rritjen ekonomike, sipas kritereve, duke respektuar përvojën dhe performancën në punë e jo sipas konsumit elektoral të subjekteve politike! Kur jemi në këtë segment, pra të rritjes (virtuale) ekonomike, e kemi një shpërputhje të plotë të deklarimeve të Qeverisë për rritje ekonomike me realitetin e krijuar nga rritja e kostos së jetesës si pasojë ngritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë.

Këshilli i Prindërve duhet të deklarohet sa më parë për grevën në arsim, në veçanti për përformancën e mësimdhënësve, kur PISA ende po na tregon se jemi në listën e shteteve me nivelin më të ulët arsimor në kontinentin evropian.

 

Tërheqja e paraleles me arsimin e viteve të ’90-ta, e pa vend

 

Mbajtja e arsimit shqip në vitet e ’90-ta dhe sot, jo vetëm që është e pakrahasueshme, është diametralisht e kundërt. Përderisa mësimdhënësit e viteve të ’90-ta punuan pothuajse krejtësisht në baza vullnetare dhe jashtë objekteve shkollore (në shtëpitë-shkolla), duke e bërë Shkollën Shqipe bazament të fuqishëm të shtetformimit, mësimdhënësit e ditëve të sotme punojnë në kushte jashtëzakonisht të mira, në shkolla të reja apo të renovura, të pajisura me inventar dhe teknologji bashkëkohore dhe me pagat më dinjitoze në rajon.

Përderisa për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta në plan të parë ishte shteti dhe mbajtja e mësimit shqip me plan-programe të Republikës së Kosovës si kundërpërgjigje ndaj shtetit okupues të Serbisë, për mësimdhënësit e ditëve të sotme interes parësorë i tyre nuk është shteti por paga dhe interesi personal!

Le të mbetët në ndërgjegjën e atyre që janë në gjendje ta dëmtojnë shtetin për interesa personale!