Pas pandemisë, më shumë turq duan të udhëtojnë përsëri në Evropën Perëndimore. Por vetëm disa marrin vizë. Cilat janë problemet e tyre me vizat?

Shtëpia në Holandë për pushime ishte e prenotuar, frigoriferi në shtëpi në Gelsenkirchen ishte plot, madje ishte porositur edhe birra e preferuar e motrës dhe kunatit. Sepse në vend të një udhëtimi në Turqi, mësuesja Yagmur Aslan kishte ftuar motrën Adalet dhe bashkëshortin e saj Arifin në shtëpinë e saj këtë verë për shkak të shtatzënisë. “Ne ishim jashtëzakonisht të lumtur që do vinin”, thotë ajo.

Ndaj zhgënjimi ishte edhe më i madh kur Yagmur Aslan zbuloi se motra dhe kunati i saj nuk mund të merrnin vizë për udhëtim. Në njoftimin e refuzimit, departamenti i vizave i ambasadës gjermane në Ankara shkruante: “Ka dyshime të arsyeshme se nuk do të largoheni nga territori i shteteve anëtare përpara skadimit të vizës”.

“Marrëzi!” thotë Yagmur Aslan. “Adalet dhe Arifi janë mësues, kanë lidhje të forta me Turqinë, kanë shtëpinë e tyre dhe donin të vinin në Gjermani vetëm për tre javë.” Sipas saj, gjithçka ishte bërë në mënyrë korrekte: në Gjermani, familja Aslan dorëzoi pranë autoriteteve të emigracionit të gjitha dokumentet që kërkoheshin për të mundësuar lëshimin e vizës, ishte dhënë edhe një lloj garancie për vizitorët.

Garancia ishte dërguar në Turqi. Motra i dorëzoi deklaratën garantuese një kompanie që pranon aplikime për viza në emër të ambasadës gjermane – së bashku me shumë dokumente të tjera të domosdoshme. Të dy kanë paguar edhe tarifat e përpunimit dhe të vizave. “Por të gjitha përpjekjet ishin të kota”, tha Yagmur Aslan./ DW