Plazhe që zhduken, nxehtësi ekstreme, uragane, pista skish që shkrijnë, të gjitha këto ndikojnë edhe tek industria e turizmit. Edhe pse jo në atë masë që ishte menduar.

Kush do të shohë nga afër pasojat e ndryshimeve klimatike, duhet vetëm të bëjë një udhëtim në plazhin kryesor të Majorkës, Es Trenc. Prej shumë vitesh aty ndodhen bunkerët, të ndërtuar me udhër të diktatorit Franko. Fillimisht ato ishin ndërtuar mirë të fshehura në mes të peizazhit të dunës. Sot ato duken me sy nga larg në mes të plazhit dhe dëshmojnë, sesi rritja e nivelit të detit po e ndryshon zonën. Sipas shkencëtarëve ky plazh i mrekullueshëm që nga viti 1979 është ngushtuar deri në 40 metra në disa vende. Ky nuk është rasti i vetëm në ishull: Nëse ngrohja globale vazhdon siç parashikohet, dhjetëra plazhe do të zhduken prej përmbytjeve.

Verë rekord pavarësisht nga tkurrja e plazhit

“Flasim për një humbje të madhe toke në rajonin e Mesdheut”, thotë Thomas Dworak, koordinator i një studimi nga Agjencia Gjermane e Mjedisit për efektet e ndryshimeve klimatike në turizëm. Një perspektivë shqetësuese në një ishull si Majorka, i cili lulëzon kryesisht nga turizmi me plazh dhe diell. Megjithatë deri tani zhdukja e plazheve nuk ka ndikuar ende në statistikat e pushuesve. Majorka po shkon drejt një vere rekord. Në vitin 2022 do të vizitojnë ishullin më shumë turistë se sa ndoshta kurrë më parë.

“Ka ende pak prova se njerëzit ndryshojnë mënyrën e të udhëtuarit për shkak të ndryshimeve klimatike,” thotë Dworak. Edhe pse prej shumë vitesh shtohen paralajmërimet për pasojat për industrinë e turizmit, ka vetëm disa studime, që tregojnë efektet konkrete. “Shumë evropianë janë krijesa që mësohen me gjëra, të cilat u bëhen zakon”, thotë Dworak. Kushdo që shkon prej 20 vjetësh për pushime verore në Itali, do të vazhdojë ta bëjë këtë. Ngjarjet si aksidenti në akujt e Dolomiteve, ku humbën jetën njëmbëdhjetë persona në fillim të korrikut, duket se i bëjnë njerëzit të mendojnë vetëm për pak kohë.

Deri tani këto kanë qenë ngjarje të izoluara

Bunker am Strand Es Trenc auf Mallorca Bunkeri n​​ë plazhin e Majorkës Es Trenc, dikur i ndërtuar në duna, sot ka dalë deri në plazh

Të paktën kështu e sheh situatën Dagmar Lund-Durlacher, profesore për turizmin e qëndrueshëm në Universitetin Modul në Vjenë. “Nëse në të njëjtat vende do të ketë vazhdimisht përmbytje apo ortekë, atëherë kjo do të ndikojë në turizmin atje”. Por deri më tani kjo nuk ka ndodhur, pasi kanë qenë ngjarje të izoluara. “Dihet se rreziku ekziston, por ai akoma nuk lidhet dot me ndonjë rajon të caktuar”. Përjashtim përbejnë Karaibet, siç tregoi stuhia e fortë tropikale, që shkatërroi Bahamas në shtator 2019 dhe si rezultat edhe turizmin në shtetin ishull.

Industria e turizmit të skijimit është veçanërisht e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike – rritja e temperaturave zvogëlon sigurinë e dëborës. “Këtu është më e madhe mundësia të provohet lidhja mes ndryshimit të klimës dhe turizmit”, thotë Thomas Dworak. “Sepse nëse në një rajon për disa vite me radhë nuk ka borë, atëherë nuk vijnë më pushues për skijim”. Problemi është shumë i njohur, veçanërisht në Alpe. Megjithatë deri më tani ai ende mund të fshihet falë teknologjisë moderne. “Në shumicën e rasteve dëbora është e garantuar falë prodhimit artificial të borës,” thotë Arnold Schuler, Këshilltar për Turizmin në Tirolin e Jugut. Prandaj në provincën veriore italiane nuk ka ende një tendencë largimi nga turizmi dimëror në atë veror. Numri i bujtjeve përgjatë muajve është i ngjashëm me atë të vitit 1995. Por nuk do të mbetet gjithmonë kështu, thotë Schuler. Dëbora artificiale ka kufijtë e saj dhe është e mundshme vetëm deri në një temperaturë të caktuar. Tashmë ka zona ku skijimi nuk është më i mundur gjatë gjithë vitit për shkak të shkrirjes se akullit.

Nach Gletschersturz in Dolomiten 11 vetë humbën jetën në fillim të korrikut si pasojë e shembjes së një shkëmbi akullonajor nga shkrirja në Dolomite në Itali

Probleme të mëdha për rajonet e tradicionale turistike

Shkrirja e borës, zhdukja e plazheve, uraganet dhe përmbytjet janë vetëm disa nga fenomenet, që do të sjellin me vete ndryshimet klimatike dhe që do të kenë ndikim mbi turizmin. Edhe mungesa e ujit dhe nxehtësia ekstreme mund t’i bëjnë rajonet e pushimeve jo tërheqëse për udhëtarët, paralajmërojnë ekspertët prej vitesh. Që në vitin 2008 Organizata Botërore e Turizmit ka paralajmëruar për vulnerabilitetin e këtij sektori ndaj ndryshimit të kushteve klimatike. Zjarret e pyjeve, sëmundjet e reja infektive, humbja e biodiversitetit, shfaqjet e shtuara të kandilit të detit për shkak të rritjes së temperaturave të detit – të gjitha këto mund të përbëjnë probleme të mëdha për rajonet tradicionale të turizmit. Veçanërisht rajonet më veriore mund të tërheqin më shumë turistë në të ardhmen.

Skifahrer am Groedner Joch, Passo Gardena, vor dem Langkofel Në Tirolin jugor ende vazhdon skijimi, sepse pistat shtrohen me borë artificiale

“Mund të ketë njerëz që për shkak të vapës nuk shkojnë në Mesdhe gjatë verës”, ​​thotë Dagmar Lund-Durlacher. “Por nuk mund të flasim ende për një lëvizje masive.” Megjithatë destinacionet tradicionale të udhëtimit nuk duhet të humbasin shumë kohë për t’u përshtatur me rrethanat e reja. Herët a vonë ata duhet ta bëjnë këtë, përndryshe në një moment nuk do të ketë më turistë. Se cila strategji e përshtatjes është e duhura, ndryshon nga vendi në vend”, thekson Dworak. “Nëse ekosistemi në një park kombëtar në Afrikë shkatërrohet për shkak të zjarrit në pyje, atëherë nuk keni pse të preokupoheni më për përshtatjen”, thotë ai. E njëjta gjë vlen të thuhet për shembull, kur nuk është e mundur të sigurohet furnizimi me ujë në Greqi. Nëse në Sylt humbasin disa metra bregdet, atëherë shumë njerëz, që jetojnë atje nga turizmi, do të duhet të mendojnë për diçka tjetër në plan afatmesëm. Në Itali nga ana tjetër mund të mjaftojë të tërhiqen më shumë pushuesit, që duan të udhëtojnë në pranverë dhe në vjeshtë.