Raportet midis Athinës dhe Ankarasë karakterizohen nga tensione, edhe pse shumë grekë dhe turq duan marrëdhënie më të mira. Po si është gjendja vërtet?

Rreth njëqind kilometra ndajnë ishullin grek Lesbos dhe metropolin turk Izmir. Qyteti është i vendosur në një gji të gjerë që shtrihet në detin e hapur të Egjeut verilindor. Vetëm disa kilometra larg bregdetit turk, një vijë e padukshme kalon në mes të detit: kufiri i jashtëm evropian. Atje përfundon Turqia dhe fillon Greqia.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kufijtë e sotëm bazohen në Traktatin e Lozanës të vitit 1923. Izmiri, i cili në greqisht quhet Smyrni, ka qenë qendër e kulturës greke për shekuj me radhë. Po kështu, gjatë Perandorive Bizantine dhe pasuese otomane, shumë turq jetuan në ato që tani janë ishujt dhe kontinenti grek. Rënia e Perandorisë Osmane në fund të Luftës së Parë Botërore i dha fund bashkëjetesës multietnike. Në Izmirin e sotëm, dhjetëra mijëra grekë u vranë nga ushtria turke dhe qyteti u shndërrua në gërmadha.

Traktati i Lozanës kërkonte një shkëmbim popullsie: rreth gjysmë milioni turq që kishin jetuar më parë në Greqi duhej të kalonin në shtetin turk të sapothemeluar. Ndërsa mbi një milion grekë duhej të linin atdheun e tyre në territorin turk dhe të shkonin në Greqi. Një traumë që tani në Greqi përmendet si “katastrofa e Azisë së Vogël” – dhe njëqind vjet më vonë shkakton vazhdimisht polemika.

Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në veçanti e di se si të ndezë zemërimin në anën evropiane. Nga kryeqyteti turk, Ankaraja, vijnë vazhdimisht deklarata që hedhin dyshime mbi Traktatin e Lozanës, e bashkë me të edhe kufijtë e jashtëm të BE-së. Fantazitë e Erdoganit për një perandori turke nuk ndalen në pretendimet për disa nga ishujt më të mëdhenj grekë, duke përfshirë Samos, Rodos dhe Lesbos.