Prej kohësh tetë orë gjumë ka qenë rregulli i artë për një pushim të mirë gjatë natës. Por studiuesit nga Kina dhe Mbretëria e Bashkuar thonë tani se njerëzit e moshuar kanë nevojë për më pak gjumë.

Shumica prej nesh e kanë përvetësuar këtë rregull: Një natë e plotë me gjumë do të thotë tetë orë për të rriturit. Por kjo mund të mos jetë më e vërtetë, pasi njerëzit arrijnë një moshë të caktuar.

Një ekip studiuesish nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti Fudan në Kinë zbuluan se shtatë orë gjumë mund të jenë koha ideale e gjumit për njerëzit e moshës së mesme dhe të moshuar.

Në një studim të botuar në revistën “Nature Aging”, studiuesit thanë se shtatë orë gjumë ishin më idealet për shëndetin mendor.

Pjesëmarrësit në studim raportuan sjelljet e tyre të gjumit dhe gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me mirëqenien dhe shëndetin e tyre mendor. Ata iu nënshtruan një sërë ushtrimesh që lidheshin me aftësitë konjitive, të cilat testuan shpejtësinë e tyre të përpunimit të informacionit, vëmendjen vizuale, kujtesën dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Ata që kishin pasur shtatë orë gjumë të pandërprerë, ia dolën më mirë.