Nga Rüdiger Rossig

Më 6 prill kujtohet “Dita e Sarajevës”. Separatistët kërcënojnë vazhdimisht se do ta shkatërrojnë Bosnjë-Hercegovinën. Në luftën kundër tyre duhet demokracia, shteti i së drejtës, prosperiteti dhe integrimi në BE.

Çdo vit më 6 prill qytetarët e kryeqytetit boshnjak përkujtojnë “Ditën e Sarajevës”. Në këtë ditë ata përkujtojnë çlirimin nga pushtimi gjerman në vitin 1945 – dhe fillimin e rrethimit të qytetit nga trupat serbe të Bosnjës në vitin 1992.

Një ditë më parë (5 prill 1992) parlamenti boshnjak e shpalli të pavarur Bosnjë-Hercegovinën, e cila më parë i takonte si një nga republikat federative ish-Jugosllavisë komuniste. Po këtë ditë (5 prill 1992) në Sarajevë demonstruan për paqe më shumë se 100,000 vetë – derisa demonstruesit u qëlluan me armë nga selia e Partisë Nacionaliste Serbe. Plumbat vranë dy gra: viktimat e para të luftës në Bosnje. Të nesërmen, ushtria jugosllave, tashmë e kontrolluar nga nacionalistët serbë, filloi rrethimin e Sarajevës. Ky rrethim zgjati 1,425 ditë dhe u kushtoi jetën 11,541 vetëve.

Bewaffneter Konflikt in Jugoslawien | Gräber in Sarajevo

Në atë kohë shumica e boshnjakëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, nuk besonin se do të kishte luftë. Popullsia e prej rreth 4.4 milionë banorësh përbëhej asokohe nga rreth 44 për qind boshnjakë myslimanë, 17 për qind kroatë katolikë, 31 për qind serbë ortodoksë dhe pakica të shumta kombëtare. Dhe ata kishin arsye për të mos besuar se mund të niste ndonjë luftë, sepse një e treta e të gjitha martesave në vend ishin të përziera. Përzjerja etnike ishte rezultat i industrializimit, sepse në Bosnjë-Hercegovinë kishin emigruar shumë punëtorë migrantë nga pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, në dekadat e mëparshme aty nuk kishte lindur asnjë konflikt.

Fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë u shoqërua me mosmarrëveshje se si do të veprohej me Bosnjën. Më 1 mars 1992, 99.4 për qind e votuesve votuan në një referendum për pavarësinë nga Jugosllavia. Por pjesëmarrja në votim ishte vetëm 63.4 përqind, pasi shumica e serbëve të Bosnjës e bojkotuan referendumin.  Në fund të vitit 1991 shumica e deputetëve serbë ishin larguar nga parlamenti i përbashkët boshnjak dhe themeluan më 9 janar 1992 “Republika Srpska”.