WhatsApp, në pronësi të Meta, tha të mërkurën se njerëzit po dërgojnë mesatarisht 7 miliardë mesazhe zanore në ditë, të gjithë të mbrojtur nga kriptimi end-to-end. Shoqëria njoftoi edhe funksionet e reja, të cilat do ta bëjnë edhe më mirë përvojën e mesazheve zanore në WhatsApp.
Tani përdoruesit mund të dëgjojnë një mesazh zanor, jashtë chat-it (bisedës) dhe ndërkohë të lexojnë apo t’u përgjigjen mesazheve të tjera.
“Kur regjistroni një mesazh zanor, tashmë mund ta vini regjistrimin në pauzë dhe ta vazhdoni kur të jeni gati, në rast se ju ndërpresin apo keni nevojë të mblidhni mendimet” – tha WhatsApp në një deklaratë.
“Nëse ju e vini në pauzë dëgjimin e një mesazhi zanor, ju mund filloni ta dëgjoni sërish aty ku e latë kur riktheheni në chat” – tha WhatsApp.
Përdoruesit mund t’i dëgjojnë mesazhet zanore me shpejtësi 1,5x apo 2x, si për të dëgjuar më shpejt mesazhet e zakonshme, edhe në ato të bëra forward. WhatsApp e prezantoi funksionin e mesazheve zanore në vitin 2013.
“Mesazhet zanore i kanë bërë më të shpejta dhe të thjeshta bisedat për njerëzit. Shfaqja e emocioneve apo entuziazmit nëpërmjet zërit është më e natyrshme se nëpërmjet tekstit, dhe në shumë raste, mesazhet zanore janë forma e përzgjedhur e komunikimit në WhatsApp” – tha shoqëria.