SHTETI I KOSOVËS ME RRËNJË TË THELLA NË HISTORI

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Në kuadër të veprimtarisë së bashkëbisedimit me nxënësit e gjimnazeve të Kosovës, në Gjimnazin “Vëllezërit Frashërit” në Deçan, u hap “Ora e historisë”, që për temë trajtimi pati lindjen e shtetit të Kosovës. Me këtë rast, u tha se shteti i Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008, kurorëzoi përpjekjen e gjatë prej një shekulli, e nisur me rezistencën që iu bë pushtimit serb dhe më vonë atij jugosllav me anën e luftës kaçake për të vazhduar me moslejimin që të realizohen dy nga qëllimet e hegjemonizmit serbo-jugosllav: kolonizimi i Kosovës me popullatë serbe dhe malaziase si dhe shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi në përputhje me konvente jugosllave-turke të viteve 1938 dhe 1958. Pas luftës së dytë botërore, kur Kosova u ripushtua nga forcat sllavo-komuniste edhe me ndihmën e partizanëve të Shqipërisë, Kosova u përball me terrorin komunist, prapa të cilit Serbia synonte vazhdimin e të politikës hegjemoniste në rrethanat e reja ideologjike. Në këtë konstalacion forcash, pra kur Shqipëria dhe Jugosllavia ndodheshin nën diktaturën komuniste, veprimtaria ilegale për bashkimin kombëtar pati për platformë irredentizmin ideologjik, kurs ky që në vitin 1968 ndryshoi me kërkesën për Republikën e Kosovës në kuadër të federatës jugosllave, që u rishfaq edhe në demonstratat e vitit 1981 për të vazhduar si e tillë deri më rrënimin e autonomisë me dhunë nga Beogradi më 23 mars 1989. Me këtë ngjarje fillon një kapitull tjetër, ai i lëvizjes kombëtare për shtet të pavarur, që e imponuan rrethanat që sollën shpërbërjen e federatës jugosllave në vitin 1991. Kjo kthesë e madhe historike, promotor i së cilës ishte “Lidhja Demokratike e Kosovës” dhe i gjithë spektri tjetër politik që iu bashkuan, legjitimitetin demokratik e mbështeti me Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990, te Kuvendi i Kaçanikut i 7 shtator 1990 kur Kosova u shpall Republikë sovrane si dhe te Referendumi për pavarësi i shtatori të vitit 1991, që do t’ua hapë rrugën zgjedhjeve të para presidenciale dhe parlamentare të prillit të vitit 1992 me ç’rast fillon koha e rezistencës institucionale, ku përfshihej edhe ajo e armatosur që do të dinamizohet nga vitet 1996-1999, e cila ia hapi rrugën ndërhyrjes ajrore të NATO-s në mars të vitit 1999 dhe futjes së Kosovës nën protektorat ndërkombëtar, që do marrë fund me shpalljen e pavarësisë pas tetë vitesh.

Në këtë orë të historisë, gama e kundrimit të shtetit të Kosovë, përfshiu edhe paradigmën historike nga antikiteti e këndej, me theks të veçantë te mbretëria e Dardanisë dhe roli i saj i madh në antikitet, që bashkë me Mbretërinë e Maqedonisë dhe atë të Epirit përbën trinomin e mbretërive ilire në antikitet.

“Ora historisë”, pati digresion të pashmangshëm edhe aktualitetin e tanishëm që lidhet me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë ajo për rrethanat në rajon dhe në veçanti për shtetin e Kosovës, i cili edhe më tutje vazhdon të rrezikohet nga pretendimet hegjemoniste serbe. U tha se lufta e Ukrainës paraqet përpjekjet hegjemone të Rusisë së Putinit për rikthimin e ndikimit të saj në përmasat që kishte ajo e kohës së Bashkimit Sovjetik, të shpërbërë në vitin 1991. Kjo krizë globale, gjithsesi se do të ketë pasoja në rendin e ri botërorë si dhe në raportet midis aleatëve perëndimorë, por njëherësh shtron nevojën që edhe të dy shtetet shqiptare të krijojnë një strategji të përbashkët ndaj rrethanave të reja që mund të paraqiten, në mënyrë që bota shqiptare të dalë fitues dhe assesi të kthehet në monedhë kusuritjeje siç ka ndodhë në të kaluarën. Me këtë rast, klasës politike në Kosovë i bie detyra që ta ndryshojë kursin e deritanishëm nga ai që shteti i Kosovës të shikohet si interes personal, tek kauza e forcimit të tij që të jetë në gjendje t’u bëjë ballë të gjitha sfidave të mundshme.

Në fund të kësaj ore, botuesi “Jalifat Publishing”, zoti Tafilaj dhe donatori, Milaim Abdullahu, bibliotekës së shkollës, nxënësve dhe arsimtarëve të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, ua dhuruan 100 libra (“Kosova – histori e shkurtër” dhe romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”).