Është një sukses për diplomacinë turke: Dy javë pas fillimit të sulmit ndaj Ukrainës do të zhvillohen bisedimet e para në nivel qeveritar mes Rusisë dhe Ukrainës. Takimi i ministrave të jashtëm Sergej Lavrov dhe Dmytro Kuleba është planifikuar për të enjten (10.03) në prani të ministrit të Jashtëm turk, Mevlyt Çavusoglu në kuadër të të ashtuquajturit forumi i diplomacisë në rajonin turistik Antalja. Në forumin, që zhvillohet rregullisht, mblidhen politikanë, diplomatë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme për të diskutuar bashkarisht.
Takimit të top-diplomatëve i kanë paraprirë përpjeket e zellshme diplomatike të Ankarasë. Në fundjavë presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan në një bisedë telefonike rreth një orë me kreun e Kremlinit Vladimir Putin përsëriti kërkesën e tij për armëpushim dhe në radhë të parë u angazhua për “korridore humanitare” dhe nënshkrimin e një marrëveshje paqeje. Erdogan më parë pati telefonuar edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyj.
Interesat turke për një zgjidhje paqësore të konfliktit janë të mëdha. Turqia si anëtare e NATO-s mban marrëdhënie të ngushta me të dy vendet.
Lidhje historike dhe ekonomike me Ukrainën
Me Ukrainën Turqinë e lidh një histori e përbashkët: Deri në fund të shekullit të 18 Krimeja ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Rreth pesë milionë tatarë kryesisht sunitë të Krimesë jetojnë në Truqinë e sotme. Aktualisht me financime turke ndërtohen ndër të tjera në Kiev shtëpi për tatarët e Krimesë, të cilët pas aneksimit të gadishullit më 2014 nga Rusia janë zhvendosur në pjesën kontinentale ukrainase.