Shkruan: Florim Zeqa         06.03.2022

Edhe në të kaluarën kemi pasur mospajtime dhe kundërshtime në shprehjen e mendimeve të lira, por asnjëherë nuk kemi arritur në nivelin e tanishëm, ku secili që mendon ndryshe nga kryeministri i vendit, nga militantët e partisë në pushtet shpallet antishtetërorë dhe bashkëpunëtorë i Serbisë! Deri në këtë nivel ka arritur degradimi ynë njerëzorë dhe kombëtar!

Secili prej nesh kemi hise në shtetin e larë më gjak

Në këtë shkrim nuk dëshirojë të tërheq paralele, se cili është më pak apo më shumë shtetërorë, se cili politikan ishte më antishtetërorë apo më antikombëtarë, pasi janë qytetarët e vendit ata të cilët i vlerësojnë veprimet e secilit prej nesh në këto tri dekadat e fundit të rezistencës aktive paqësore, luftës çlirimtare, shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës!

Askush nuk mund t’ia merrë meritat e sakujt dhe as t’ia hudhë fajin tjetërkujt për dështimet e veta në periudhat e caktuara historike!

Sikurse që historia e shtetit të Kosovës që nuk ka filluar me 14 shkurt 2021, e cila është pak më e gjatë dhe më e përvujtshme, më e lavdishme dhe më krenare sesa kjo e dy viteve të fundit, edhe historia e humanitetit dhe solidaritetit ndërshqiptar nuk fillon me Qeverinë e Albin Kurtit!

Duhet kujtuar të gjithëve se shkalla e vetëdijes kombëtare, gjegjësisht e dhënjes gjithçka për shtetin në vitet e ’90-ta dhe gjatë luftës çlirimtare ishte e përmasave biblike, e papërseritshme edhe për 100 vjetët e ardhshme.

Shqiptarët në trojet e veta dhe në Diasporë dhanë gjithçka patën nga vetja e tyre pa asnjë lloj imponimi apo presioni psikologjik siq po ndodhë në ditët e sotme!

Shfletim i memories historike për reflektim në ditët e sotme

Këtë që ceka më sipër dëshiroj ta ilustroj me një rast konkret gjatë grumbullimit të ndihmave për mirëmbajtjen e objektit shkollor. Ishte periudha e fundit të shtatorit 1993, kur punoja si arsimtar në shkollën fillore “Azem Bejta” në Grabanicë të Klinës.

Ndodhëshim në lagjen e Krasniqëve (Lladroviqëve) në Grabanicë, gjatë kalimit nga dera në derë, nga njëra familje tek tjetra, me të arritur tek dera e familjes së Isuf Kransiqit, derisa unë i thoja kolegut tim Hazir Tigani; “po e kalojmë Isufin se i ka punët ngusht, është i pa punë dhe ka shumë fëmijë”, në atë moment hapet dera dhe na shfaqet përpara Isuf Krasniqi me këto fjalë, po citoj; “A vetëm se jam i varfër po ma kaloni derën a, edhe fëmijët e mi që vinë në shkollë dua që të jenë të barabartë me fëmijët e atyre që kanë, edhe pse s’kam, kam dëshirë që së paku të flisni dy fjalë edhe me mua, dhe në atë moment e nxori nga xhepi i palltos portofolin, e hapi para syve tanë, i kishte vetëm 5 DM të paluara mirë, i nxori e na i dha duke na thënë, se edhe pse i kam të fundit, këto janë për shkollën tonë”.

Ishte ky një moment i veçantë, prekës dhe emocionues, i cili preku thellë ndërgjegjën tonë, i cili mbase nuk ishte i vetmi në Republikën e Kosovës.

Në atë kohë, qytetarët e Kosovës udhëhiqeshin nga parimet e shëndosha, nga ndjenja e dashurisë ndaj atdheut dhe solidaritetit njerëzor përgjithësisht.

Ishte kjo Kosova me njerëz të mirë dhe shumë solidarë, çfarë duhet të ishte edhe në ditët e sotme, por për fatin e keq, si e tillë solidare nuk na është më!

Ne që jetuam në atë kohë, që e përjetuan epokën e viteve të krenarisë kombëtare, na ka mbetur i vetmi ngushëllim për ditët e sotme, ku vlerat janë zëvendësuar me antivlera.

Të tillë ishin njerëzit e mëdhenjë të asaj kohe që e lam pas, që dhanë gjithçka që patën nga vetja e tyre për Kosovën, por që s’muarën gjë prej saj, duke na lënë si pasuri kujtimet më të bukura si dëshmi të kohës.

Ngutja e Albin Kurtit me Fondin, e dëmton të ardhmen e FSK-së

Unë edhe pse nuk isha anëtarë i Këshillit Inicues për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, kam qenë në komunikim të rregullt me disa nga anëtarët e këshillit inicues, të cilët i kam mbështetur në idenë e tyre qëllimirë, fisnike dhe atdhetare, sikurse që i kam mbështetur në veprimin e fundit për dërgimin e letres kryeministrit Kurti bashkë me Statutin e Fondit me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve dhe veprimeve pozitë-opozitë-mërgatë, për të vepruar si një trupë e përbashkët organizative.

Mirëpo çfarë ndodhi, kryeministri Kurti në vend të përgjigjes e zgjodhi heshtjen, në vend të bashkëpunimit e zgjodhi injorimin e Këshillit Inicues duke e bërë me nxitim veprimin më të gabuar politik, të përvetësimit të këtij fondi të përmasave kombëtare.

Kjo sjellje e mospërfillëse, apo më mirë të themi shpërfillëse e kryeministrit Albin Kurti përveqse i ka irrituar inicuesit e Fondit, e ka komplikuar situatën dhe i ka ngatërruar mes vete anëtarët e këshillit inicues.

Dalja e ngutshme e Albin Kurtit me Fondin e Sigurisë pa projekt dhe pa përmbajtje, jo vetëm që nuk garanton stabilitet financiar për FSK-në, ky fond nuk do të jetë stabil dhe i përhershëm siq ishte qëllimi i tij fillestar.

Fillimisht do ta ndihmojnë një pjesë e mërgatës sonë, bisnesmen dhe oligarkë ekonomik, por financimi afatëgjatë, qoftë edhe më shuma simbolike siq e kam cekur më lartë në shfletimin e memories historike do të garantonte sukses dhe vazhdimësi të gjatë të këtij fondi për arritjen e objektivave madhore shtetërore dhe kombëtare.

Askush nuk është kundër Fondit për Siguri, madje do të ishte çmenduri dalja kundër një fondi kaq madhor dhe jetik për forcimin e sigurisë kombëtare, por vendimi i ngutshëm i ‘Qeverisë Kurti’ pa koordinim me spektrin politik vendor dhe pa paralajmëruar nismëtaret e mërgatës jo vetëm që ka ngjallur indinjatë të thellë dhe të gjërë të mërgatës sonë, ky fillim i mbrapsht që në start e rrezikon suksesin e dëshiruar.