Nga MAXHUN OSMANAJ – Istog, Kosovë
Për të pestën herë me radhë, për nder të Epopesë se Jasharëve, UÇK-së 5,6,7 Marsit dhe komandantit legjendar,Adem Jashari , më 5 mars 2022, në Bibliotekën Kombëtare Popullore “Pjetër Bogdani” u mbajt Akademia Letrare-Artistike “Ora e Lirisë”. Akademinë e hapi kryetari i LSHK-së prof.dr.Shyqri Galica , i cili në fjalën e rastit , në mes tjerash theksoi :” Kjo datë shënon dhe fillimin e luftës së UÇK-së dhe të heroizmave të shumtë të atyre që ranë në altarin e lirisë.LSHK-ja vazhdimisht shënon në forma të ndryshme luftën e popullit tonë për liri e bashkim kombëtar, veprimtarinë atdhetare të personaliteteve kombëtare dhe heroizmin e shumë prej tyre që nuk kanë kursyer për Atdhe më të shtrenjtën e vet-jetën!”
Punimet e tyre në vargje i lexuan mbi katërdhjetë poetë,të cilët konkuruan me shifër , ndërsa tematika edhe pse ishte e lirë, dominoi ajo e Jasharëve,heroizmi dhe flijimi i tyre dhe Dëshmorëve të tjerë për liri dhe pavarësi.Në një çast pushimi, poeti dhe regjisori, Dibran Fylli deklamoi në skenë para të pranishmëve ca vargje nga Epopeja e UÇK-së, ku ngjalli emocione dhe krenari ku u përcjellë me duartrokitje frenetike të zjarrta.
Në fund , juria ndau Çmimin “Adem Demaçi” poetit dhe studiuesit prof.dr .Adem Zejnullahut, një komplet të veprës së shkrimtarit dhe atdhetarit, Adem Demaçi.Ky manifestim ndan vetëm këtë çmim,sado që kishte edhe poezi të tjera të pjekura, tha kryetari Galica.