Ish-ministri malazez i Punëve të Jashtme, Srgjan Darmanoviç, tha në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, se “është befasi që në shekullin 21 kemi një luftë pushtuese në stilin siç ka bërë Hitleri në Luftën e Dytë Botërore, duke u thirrur në mbrojtjen e pakicës së tij”.

Zoti Darmanoviç, që ka shërbyer edhe si ambasador i Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara se askush nuk ka mundur të besojë një gjë të tillë. “Luftëra të ndryshme ndodhën pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka pasur kurrë paqe të paktën në disa pjesë të botës, por kjo lloj lufte në tokën evropiane, duke përdorur të gjitha forcat për të pushtuar dhe copëtuar një vend fqinj, nuk është parë që nga nazizmi”, tha ai.

Zoti Darmanoviç, tha se është vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë, por “(Vladimir) Putini i ka rrënuar të gjitha urat” dhe “vështirë që do të ketë një zgjidhje diplomatike aktualisht”.

Ai tha se përveç sulmit në Ukrainë, ky është një sulm mbi rendin ndërkombëtarë, sulm mbi demokracinë liberale.

I pyetur nëse pret që kriza të përhapet në pjesë të tjera të Evropës, përfshirë Ballkanin Perëndimor, ai tha se nuk është i sigurt nëse Rusia ka kohë për të investuar në “zgjatimet” e saj në vende të tjera, duke pasur parasysh se fushata në Ukrainë nuk filloi në atë mënyrë, siç e kishte imagjinuar Moska.

Ish diplomati malazez tha se vendet e rajonit që i përkasin botës perëndimore duhet të tregojnë se nga janë të orientuar në këtë kohë.

“Kjo luftë është një vijë ndarëse në jetën politike të vendeve tona. Ai që mbështet këtë agresion të një vendi ndaj një fqinji paqësor, legjitimohet dhe mbështet një, nuk di të them nëse është një emër shumë i rëndë, fashizëm të shekullit të 21-të”, tha ai.

Zoti Darmanoviç, tha se forca të tilla ka pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Malin e Zi, por theksoi se “kjo është një mundësi që anëtarët e NATO-s të tregojnë forcën e brendshme dhe që kjo të jetë një vijë demarkacioni në jetën politike të vendeve tona”.

“Ata që përfundojnë si mbështetës të një agresioni të tillë, nuk kanë çfarë të kërkojnë në hapësirën politike të vendeve tona. Mendoj se do të jetë një investim i keq”, tha zoti Darmanoviç, duke komentuar reagimet e rajonit ndaj luftës në Ukrainë.

Ai theksoi se Bosnja dhe Hercegovina ka problemin e saj kushtetues – bllokada kushtetuese sa herë që bëhet fjalë për çështje të mëdha, në të cilat njëra palë mund të bllokojë vendime të tilla.

“Autoritetet aktuale në Serbi vështirë se mund të mashtrojnë dikë duke thënë se mbështesin tërësinë tokësore të Ukrainës, por nuk e dënojnë agresionin. Ai qëndrim, nëse mbetet në fuqi dhe asgjë nuk ndryshon, do ta përjashtojë Serbinë nga integrimet evropiane”, beson zoti Darmanoviç, duke nënvizuar se “duhet parë nëse qëndrimi i kreut zyrtar serb do të evoluojë apo jo, por me intensifikimin e fushatës ruse, do të jetë e vështirë për këdo që nuk ka një pozicion të qartë, ta shpjegojë këtë”.

Ai tha se “nuk është e papërfytyrueshme që të ketë një Kubë ballkanike në kuptimin simbolik” dhe se, “nëse kjo ndodh, ne mund të jetojmë me të, por do të jetë më e vështirë”.

Do të ishte më lehtë, tha ai, “nëse Serbia që është një vend evropian, të jetë së bashku me ne në Bashkimin Evropian dhe nëse dëshiron edhe në NATO”, sepse kësisoj do të rrumbullakosej uniteti evropian.

Ai përfundoi se “të gjitha vendet i bëjnë zgjedhjet e tyre”, dhe se “nëse zgjedhja është e tillë që Serbia të bëhet aleate e autokracive lindore, kjo do ta dëmtojë më së shumti atë vet, ndërsa të tjerët disi do të përshtaten”.