Xherdan Shaqiri ka shfaqur vetëbesim të madh në prezantimin te skuadra amerikane Chicago Fire. Shaqiri te skuadra e Ligës MLS është transferuar nga Lyoni, ndërsa është prezantuar të hënën.
Reprezentuesi i Zvicrës ditë më parë ka udhëtuar për në Chicago, por nuk e ka parë ende shumë qytetin.
“Po shikoj para që ta zbuloj qytetin. Jam i sigurt se do të ndalem në arenat e basketbollit dhe hokejit mbi akull një ditë. Por përfundimisht unë nuk jam këtu vetëm për pushime”, ka thënë Shaqiri.
Në konferencën e parë për shtyp, gazetarët amerikanë e kanë pyetur për synimet që i ka me Chicagon.
“Dua ta sjell lavdinë sërish në Chicago dhe të jem sa më i suksesshëm që është e mundur. Synimi im është i qartë: të hyjmë në plejof dhe të fitojmë tituj”, ka theksuar Shaqiri.
Trajneri i Chicagos, Ezra Hendrickson, ka vetëm lavde për Shaqirin.
“Shaqiri tashmë ka ndikim të madh në stërvitje. Ai ka rritur në mënyrë masive nivelin në stërvitje. Stërvitja e tij e parë ishte më e mira e gjithë sezonit”.
Trajneri Hendrickson ka thënë se posedimi i topit do të jetë pjesë e rëndësishme e lojës së Chicagos.
“Ne duam të kemi lojën nën kontroll dhe Shaqiri përshtatet shumë mirë. Ai mund të bëjë pasime vendimtare”, ka theksuar Hendrickson.
Shaqiri ka dhënë një deklaratë interesante kur është pyetur për lidhjen e Chicagos me Luganon, skuadrën zvicerane.
“E di që pronari i Chicagos është pronar edhe te Lugano. Është gjithnjë mirë kur njerëzit investojnë në futbollin zviceran. Lugano është klub i madh në Zvicër dhe qartë shumë interesant. Por është shumë herët për mua të flas për Luganon tani. Ndoshta pas disa vjetësh mund të flasim”, ka thënë Shaqiri.
Shaqiri nuk ka dashur të flasë shumë për Lyonin. Ka theksuar se janë disa arsye për largimin nga skuadra franceze. Ka treguar se nuk kishte raporte të mira me trajnerin, por fokusi i tij tashmë është te Chicago.
Shaqiri, 30-vjeçar, ka thënë se në MLS është transferuar në moshën më të mirë.
“MLS-ja po bëhet çdo vit e më e mirë. Nuk kam dashur të vij këtu kur t’i mbush 35 vjet. Tani jam në momentin kulmor të karrierës. Shumë lojtarë të mirë kanë luajtur këtu. Për shembull Bastian Schweinsteiger. Shumë në Evropë e nënçmojnë ligën. Ju gjithnjë shihni më shumë top-lojtarë dhe kjo përfundimisht ishte vendimtare”, ka theksuar Shaqiri.