NJË JETË KUSHTUAR GJUHËS DHE STUDIMEVE GJUHËSORE

Shkruan: Maxhun OSMANAJ

​Të shkruash për gjuhëtaren e mirënjohur, prof. dr. Shefkije Islamaj, e cila ia kushtoi gjithë jetën gjuhës shqipe, studimeve gjuhësore, përkatësisht studimeve leksikore, semantike, stilistike, është më tepër se obligim, më tepër se krenari. Autore e shumë veprave shkencore – gjuhësore e letrare, librave shkollorë si dhe e rreth 500 studimeve, trajtesave, artikujve dhe recensioneve kritike në periodikun shkencor-letrar, në krye të të cilave qëndrojnë monografitë shkencore:“Gjuha dhe stili i Xoxës” (2000) dhe “Gjergj Fishat – gjuha dhe stili” I, II (2012), botime të Institutit Albanologjik, prof. dr. Shefkije Islamaj zë vend nderi në gjuhësinë shqiptare në  përgjithësi.

E nderuara profesoreshë; Para se t’ia nisim intervistës sonë për lexuesit e“Gazetës së Alpeve”, ju faleminderit që iu përgjigjët pozitivisht kërkesës sonë! Nga opusi juaj i pasur mbi katër dekadësh, nga t’ia fillojmë? Jeni ndër gjuhëtarët e rralla, por më të spikatura që tërë jetën ia keni kushtuar gjuhës shqipe dhe studimeve  gjuhësore. Ku e morët nxitjen për të nisur këtë “udhëtim”, kërkim, studim gjuhësor?

Ju faleminderit juve dhe revistës për intervistën!

E quajtët bukur “udhëtim” dhe unë po shtoj – udhëtim me gjuhën dhe udhëtim pas gjuhës dhe mrekullive të saj, të zbuluara dhe të fshehta, përmes leximit, kërkimit e studimit. E thotë mençur linguisti i shquar Eduard Sapir se gjuha nuk është ajo që njohim a që mund ta njohim, por ajo që mund të bëhet e që mund ta bëjmë. E ajo mund të bëhet kur nuk rreshtim së njohuri, kërkuari, së gjurmuari në pasuritë e në mundësitë e saj të pashtershme. Është një “udhëtim” që nuk përfundon kurrë dhe nxit e provokon parreshtur -është një “udhëtim”, nga i cili nuk do të ndahesha kurrë.

Me gjuhën njihemi sapo arrijmë të shqiptojmë tingujt e parë dhe prej atij çasti ne do ta bartim me vete siç mbajmë veshjen, siç mbajmë lëkurën tonë gjithë jetën deri në përfundimin tonë. Ajo është me ne në çdo çast dhe pa asnjë kushtëzim: na shërben, por edhe kërkon “shërbim”. Njëjtë si lëkura që vesh mbron lëkurën tonë, edhe gjuha vesh e mbron identitetin tonë. Njëjtë si lëkura, edhe gjuha është fuqishme, e epshme dhe kur e kur e lëndueshme. Dhe lëndimi mund t’i vijë nga shumë anë e nga shumë drejtime.

Nxitja? Çka më ka nxitur të marrë apo të vazhdoj me ngulm këtë “udhëtim”? Ky ka ndodhur fillimisht vetvetishëm, sepse gjuha shqipe është gjuha ime, gjuha që dua, gjuha që flas, gjuha që kam studiuar dhe vazhdoj ta studioj, gjuha që ma kanë mësuar prindërit e mi dhe gjuha që ua kam mësuar fëmijëve të mi. Por, e gjithë kjo nuk ka mjaftuar. Nxitja tjetër ka ardhur që nga takimi i parë me abetaren për të vazhduar me pasion leximin gjatë gjithë shkollimit e ngritjes sime profesionale e deri sot. Ky “udhëtim” ka marrë shtytje edhe nga prindërit e mi, sakrifikues të mëdhenj për të rritur e për të arsimuar shtatë fëmijët e tyre. U jam mirënjohëse për jetë, pos të tjerash, edhe për kultivimin e dashurisë për gjuhën, librin e dijen dhe për shprehinë e krijuar të leximit e të punës.

-Po të shikojmë kronologjikisht, studimi juaj është i lidhur ngushtë me gjuhën, pasurinë  gjuhësore të dy shkrimtarëve elitarë të traditës: të veprës së Jakov Xoxa dhe të veprës së Gjergj Fishtës. Pse zgjodhët për studim pikërisht  këta dy autorë, mos nuk ishin të studiuar sa duhet apo ishin të tjera motivet që ju me dashuri dhe përkushtim studimit të gjuhës së tyre?

Sudimet për gjuhën e shkrimtarëve tanë të mëdhenj Jakov Xoxa dhe Gjergj Fishta janë menduar në rend të parë si studime të mirëfillta të veçorive gjuhësore e stilistike edhe për arsyen pse mungojnë studime të tilla në gjuhësinë shqiptare, por jo kryesorja. Pasuria e madhe gjuhësore dhe përgjithësisht shprehja e veçantë gjuhësore e artistike janë përbërësit kryesorë që kanë nxitur realizmin e këtyre dy monografive, të cilat kanë vërtetuar parashikimin tim se të dy këta shkrimtarë janë ndër pasuruesit e mëdhenj, në mos më të mëdhenjtë të gjuhës shqipe e të shprehjes së saj artistike.

Ka qenë “rrugëtim” i lehë apo i vështirë studimi i gjuhës dhe stilit të tyre?

Sigurisht një ndërmarrje e tillë studimore ka qenë dhe është shumë kërkuese, sfiduese dhe e mundimshme për secilin studiues që merr guximin t’i afrohet shkrimtarëve të mëdhenj dhe shkrimtarëve që kanë vepër të madhe e të vëllimshme dhe jo vetëm letrare. Me kohë gjatë studimit objektivi shkencor është zgjeruar edhe me përbërës të tjerë të përmbajtjes e të formës artistike, të strategjive e të teknikave krijuese letrare. Por, nuk është kjo aryeja kryesore. Studimi gjuhësor e stilistik i krijimtarisë artistike të këtyre dy shkrimtarëve të mëdhenj të kulturës mbarëshqiptare, që konsiderohen si pasurues të dalluar të leksikut dhe të shprehjes gjuhësore të shqipes së dy krahëve të saj, ka pasur edhe një nxitje tjetër – veçantinë e shprehjes së tyre gjuhësore- artistike. Xoxa dhe Fishta u takojnë dy arealeve kryesore gjuhësore-gjeografike-kohësore, që përbëjnë tërësinë shqiptare dhe veprat e tyre letrare shquhen me prirje e tematikë, me semantikë e estetikë dhe me llojësi e strategji teknike e letrare të ndryshme e të veçanta. Këto veçanti të tyre paraqesin provokim të fortë jo vetëm për lexuesin e veçantë por sidomos për studiuesin e gjuhës dhe të letërsisë, që ka vokacion studimin e letërsisë përmes gjuhës dhe artit të saj. Te Xoxa e te Fishta arti i gjuhës dhe gjuha e artit bëhen një.

Të dyja këto studime gjuhësore, stilistike e ligjërimore, përbëjnë gjedhe të veçanta studimore në gjuhësinë shqiptare për përvojën e re leximore – gjuhësore e stilistike dhe për shqyrtimet, analizat e interpretimet e veçanta që sjellin. Gëzohem që janë mirëpritur e vlerësuar me kohë si nga lexuesit e sidomos nga studiuesit e fushës dhe sot shfrytëzohen edhe nga studiuesit e rinj si gjedhe studimi për gjuhën e shkrimtarëve të tjerë, në të gjitha universitetet tona shqiptare.

-Monografia dyvëllimëshe “Gjergj Fishta – gjuha dhe stili” me rreth 1100 faqe, u vlerësua më 2012 me Çmimin “Shkencëtari i vitit” të MASHT-it për rezultate të veçanta. Në fakt, pas një punë të tillë madhe sigurisht jeni ndier mirë? 

Çmimin “Shkencëtari i vitit”, që ndan MASHT-i për rezultate të dalluara shkencore në Republikën e Kosovës e kam përjetuar në mënyrë të veçantë për arsyen se më është ndarë pikërisht në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kurse Gjergj Fishta ka hise shumë domethënëse pikërisht në arritjen e kësaj Pavarësie. Botimi i kësaj monografie u botua jo rastësisht në këtë përvjetor të madh.

-Profesoreshë, opusi juaj shkencor përbëhet prej 13 veprave shkencore, ndërsa në vitin 2008 për veprën “Gjuha dhe identiteti”(Përmbledhje studimesh dhe trajtesash,“Toena”, Tiranë, 2008) u nderuat me Çmimin “Pjetër Bogdani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si vepra më e mirë e  vitit në të gjitha zhanret. Çdo të thotë ky çmim për Ju?

Këtë çmim të rëndësishëm e kam përjetuar jo vetëm si nderim dhe vlerësim për punën time deri atëherë tridhjetëvjeçare në fushën e gjuhësisë, por edhe si përgjegjësi, si zotim, si nxitje për punën vijuese. Por, jo vetëm kaq, e kam ndier edhe si mesazh shumëdomethënës që lë të kuptohet se çështjet e gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës në përgjithësi duhet të shihen të lidhura ngushtë me identitetin kombëtar, i cili sot i është nënshtruar një trysnie të madhe prej faktorëve të jashtëm për arsye të ditura politike dhe prej faktorëve të brendshëm, fatkeqësisht, për arsye po kështu, të ditura, politike, krahinoriste e përfituese. Unë përpiqem me punën e time të nderoj vlerat tona, njëra prej të cilave, më e rëndësishmja, është gjuha shqipe, gjuha standarde shqipe. Këtë nderim dhe përkushtimin tim studimor në fushën gjuhësore e ndiej se detyrë shkencore, intelektuale dhe morale

Ju, pos si gjuhëtare, lexuesi ju njeh edhe si shkrimtare, edhe si autore të teksteve gjuhësore- shkollore, ndonëse vokacioni juaj parësor është studimi i problemeve gjuhësore, a mos paraqet kjo urë lidhëse midis gjuhës dhe veprës së shkrimtarit?

Jam autore edhe e një romani: Mos më thuaj se më ke parë ëndërr (”Toena”, Tiranë, 2004), i cili është mirëpritur nga lexuesit dhe kritika. Romani i bën jehonë luftës së fundit në Kosovë, në të vërtetë është roman mbi pasojat e luftës në botën shpirtërore të njerëzve të Kosovës. Uroj të mos jetë i fundit, sepse romanin  e konsideroj medium ku njeriu shfaq më së lehti e më së ploti veten.

Duke pasur parasysh gjendjen e arsimit shpiptar në gjithë hapësirën shqiptare dhe sidomos tekstet mësimore për të cilat opinioni i përgjithshëm është shprehur se lënë shumë për të dëshiruar edhe në Kosovë, e kam sprovuar veten edhe në hartimin e teksteve gjuhësore-letrare. Sprova ime ka nxitje shqetësimin tim të ligjshëm jo vetëm për nivelin e tyre gjuhësor, por edhe të përbërësve të tjerë që duhet të përfshihen në arsimimin dhe edukimin e drejtë qytetar e kombëtar të brezit të ri.

Sa është e lidhur ngushtë gjuha e shkrimtarit me shpirtin e gjuhës ?

Në historinë e gjuhës shqipe janë pikërisht shkrimtarët ata që kanë bërë përpjekjet më të mëdha dhe që kanë derdhur mund pareshtur për të ndërtuar një gjuhë të pranueshme dhe të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, një gjuhë në të cilën do të përdornin talentin e tyre letrar-artistik, një gjuhë artistike që do të kuptohej e përjetohej kuptimisht e estetikisht prej të gjithë shqiptarëve kudo gjendeshin ata, një gjuhë që do të shprehë shpirtin e tij po aq sa shpirtin e vet gjuhës të mbrujtur nga folësit e saj ndër breza shekujsh. Dhe këtë e dëshmon mirë historia jonë kulturore përgjatë gjysmës së dytë të shekullit 19 dhe në vijim gjatë gjithë shekullit 20 e përkëtej.

Shkrimtarët janë a quhen të mëdhenj pse kanë krijuar vepra të mëdha letrare, vepra që kanë kapërcyer kufij lokalë, regjionalë, kombëtarë e kontinentalë, falë talentit të tyre, pra jo pse kanë shkruar në dialekt, në jostandard ose në standard. Procesi krijues është i kushtëzuar nga përbërës subjektivë dhe objektivë. Vepra artistike është rezultat i aftësive të lindura dhe të fituara të shkrimtarit: i aftësisë së vrojtimit, i analizës dhe i sintezës; është rezultat i aftësisë për formësimin artistik të përjetimeve dhe të përvojës; rezultat i ndjeshmërisë së tij për vlerat artistike, për të bukurën, për artin, rezultat i invencionit, i imagjinatës, i ndjenjës dhe i mendimit, rezultat i njohjes së gjuhës dhe i shfrytëzimit të pasurisë dhe të mjeteve të saj të të gjitha shtresave pa dallim burimi. Vetëm lidhja e veçantë e gjuhës, pra edhe e dialektit, me artin, lidhja e gjuhës me tematikën e me përbërës të tjerë të saj, me ndërtimin e veprës dhe, më në fund, lidhja e gjuhës së shkrimtarit me shpirtin e gjuhës, në rastet më të mira, mund të thonë realizim i madh.

A bëjnë “mëkate” shkrimtarët nëse dalin jashtë normave gjuhësore pra, duke pasuruar  gjuhën me shprehje frazeologjike, krahinorizma në funksion të tipizimit të gjuhës?

Më duket se dhashë pjesërisht përgjigjen në këtë pyetje, megjithatë po shtoj. Letërsia e shkruar në standard apo në cilindo dialekt a idiomë është shprehje autentike e botës a e mikrobotës që i përket atij areali gjuhësor, shoqëror e gjeografik, të formësuar në imagjinatën e shkrimtarit. Shkrimtarët janë të lirë të zgjedhin çka do të shkruajnë e si do të shkruajnë. Gjuha standarde nuk do të thotë se duhet ta ketë të drejtën e papërjashtueshme edhe në letërsi sikur në gjuhën e administratës shtetërore, në gjuhën e shkollës e në librat shkollorë e shkencorë, në gjuhën e mjeteve publike. Është diçka tjetër nëse autorëve që shkruajnë në dialekt, kjo letërsi do t’u sigurojë a jo lexueshmërinë e synuar a të dëshiruar në gjithë hapësirën kombëtare, sepse letërsia dialektore kufizon në hapësirë dhe në kohë.

Letërsia duhet të ngjeshë e të pasurojë raportin gjuhë standarde  – dialekt dhe anasjelltas, e kjo do të thotë se ajo duhet të pasurojë gjuhën shqipe në përgjithësi. Kështu shkrimtari duhet të përdorë ligjërimin e tij jo si e përcakton standardi, po si e përcakton sistemi e kjo do të thotë shmangiet e tij nga norma nuk janë shkelje e normës. Studiuesit e stilit pajtohen se stili funksional letrar-artistik i takon sistemit e jo standardit. Shkrimtari kështu, me ligjërimin e tij, me rrëfimin e dialogët e çlirët jo vetëm ruan e gjallëron ndërtimet dhe format të cilat në gjuhën standarde dhe në stilet e saj funksionale janë çdo herë e më të rralla ose me përdorime të kufizuara, siç janë fjala vjen ndërtimet me paskajore, pjesore, urdhërore, habitore e të tjera, si forma individualizuese dhe stilistike në gjuhën e tij, por kështu ndihmon ripërtëritjen e standardit. Shkrimtari jo vetëm ruan traditën gjuhësore, por rigjallëron e sjell të reja në rrafshin leksikor, morfologjik e sintaksor.

Në veprën tuaj “Gjuha – gjuhëtarët dhe shkrimtarët”, ju  keni  marrë  për  trajtim  kontributin  shkencor të  disa gjuhëtarëve  të  njohur shqiptarë si dhe studimin e krijimtarisë gjuhësore të disa shkrimtarëve të njohur të letërsisë së sotme shqipe. Ku përqëndrohet vëmendja juaj në këtë libër?

Në të vërtetë në këtë libër janë përfshirë shkrime që e shohin gjuhën nga ana e historisë dhe e zhvillimit të saj, përmes ngjarjeve të rëndësishme të standardizimit të gjuhës, përmes ndikimeve gjuhë standarde – dialekt dhe anasjelltas, përmes proceseve zhvillimore, përkatësisht dukurive e prirjeve të reja të nxitura nga konteksti i ri socio-gjuhësor dhe sidomos përmes kontributit të disa studiuesve me emër të gjuhës shqipe dhënë zhvillimit të gjuhësisë shqiptare dhe përmes të një numri veprash të rëndësishme letrare e shkencore të autorëve të shquar të letërsisë shqipe.

Çfarë mendoni, cili është projekti juaj më i arritur deri sot, ndonëse projektet e studiueses sigurisht se nuk mbarojnë këtu? 

Pyetje e vështirë kjo. Nuk po e zbuloj. Thonë se projekti a vepra për të cilën flitet nuk shkruhet ose nuk përfundon kurrë.

Në vitin e ardhshëm mbushen 50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit. Ç’mund thuhet sot për zhvillimin e gjuhës shqipe standarde e për proceset nëpër të cilat ka kaluar ajo?

Që nga pranimi i një drejtshkrimi të përbashkët, rrjedhimisht edhe i një standardi të përbashkët për gjithë shqiptarët, në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit, gjuha shqipe njeh zhvillim dhe pasurim shumë të shpejt e të vërejtshëm. Dhe përgjatë pothuajse gjysmë shekulli norma gjuhësore e shqipes nuk ka paraqitur ndonjë pengesë të pakapërcyeshme për “përthithjen” e këtij zhvillimi në asnjë aspekt të strukturës së saj. Kjo “përthithje” ka kapur edhe prurjet nga gjuhët e huaja dhe nga dialektet dhe këto prurje, sidomos kohëve të fundit, po sjellin pasurim tematik, pasurim sasior, pasurim cilësor, pasurim lënde e pasurim mjetesh. Mund të thuhet se kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin ndryshime e përshtatje në nivele të ndryshme të normës pa vështirësi.

Në rrugën e standardizimit të gjuhës, qëndrime e çështje të ndryshme sidomos praktike, duhet të shihen, të vlerësohen e të rimerren, kundrejt realitetit të ri. Asgjë nuk është dhënë njëherë e përgjithmonë. Respekti, mirëkuptimi e toleranca për dallimet, për të ndryshmet, edhe gjuhësore, rrjedhojë e realiteteve të ndryshme politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, duhet të jenë në funksion të zhvillimit e të pasurimit të gjuhës.

Apo ndodh kjo me gjuhën shqipe?

Po, me shqipen standarde po ndodh kjo. Hapja e standardit sot paraqitet kërkesë e natyrshme e saj dhe e folësve të saj. Dhe hapje në periudha të caktuara njohin edhe gjuhët e tjera standarde. Por, kjo hapje nuk duhet të thotë shmangie e qëllimshme nga norma, nuk duhet të thotë destandardizim i saj a dialektizim i saj, nuk duhet të thotë përmbysje e anarki, nuk duhet të thotë ndarje gjuhësore. Hapja e saj duhet të thotë zhvillim dhe pasurim i saj në përputhje me zhvillimet e sotme kombëtare dhe me zhvillimet përreth e përtejkombëtare.

Ç’kuptim e ç’domethënie ka sot ky Kongres për shqiptarët?

Përvjetorët kanë jo vetëm rëndësi dhe kuptim shënues por edhe rikujtues. Na i rikujtojnë vendimet e mëdha dhe na hapin sytë për ecjen tonë para. Shqiptarët, sikur dje, përgjatë gjithë shekullit, 20, edhe sot në shekullin 21 e dinë cila është rruga e tyre, prandaj shqipja standarde do të vazhdojë të mbetet gjuha e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, edhe e shqiptarëve të Kosovës, sepse duke pasur një gjuhë të përbashkët, duke pasur një etnitet të përbashkët e një histori të përbashkët gjuhësore, shqiptarët do të kenë edhe një ardhme të përbashkët, të përparuar e të qytetëruar.

Ne sot ndodhemi në fazë të re të historisë së kombit, prandaj edhe të shqipes standarde: do ta kemi një gjuhë standarde sepse jemi një popull, sepse kemi një territor homogjen historik, sepse kemi historinë e përbashkët, kulturën e përbashkët, mitet e përbashkëta dhe ndjenjat e përbashkëta.

Profesore e nderuar, e dhe një  gazetë të tërë pyetjesh janë pak; Ju faleminderit! Shëndet në projektet e  ardhshme!

Ju faleminderit dhe punë të mbarë juve dhe “Gazetës së Alpeve”!

Kanë thënë për gjuhëtaren Shefkije Islamaj:

“Ajo  ka  lëvruar  probleme  në  fusha  të  mëdha,  të  rëndësishme  e të  vështira, siç  janë  semantika  leksikore, stilistika gjuhësore, shqipja standarde në zhvillim, kategori leksikologjike.” (Jani  Thomai)

“Shefkije Islamaj paraqitet sot si studiuesja më e shquar e gjuhës dhe stilit të shkrimtarëve  shqiptarë.” (Xhevat Lloshi).

“Studimi “Gjergj Fishta – gjuha  dhe stili” shënon një arritje madhore e cilësore  jo vetëm për autoren  personalisht, por edhe për këtë drejtim studimesh të  gjuhësisë  shqiptare.” (Emil Lafe).

“Krijimtaria studimore e Shefkije Islamajt është e begatë me prurje të shumta shkencore që rrokin fusha të ndryshme të gjuhësisë së sotme.” (Gjovalin Shkurtaj).

“Studimi “Gjergj  Fishta, gjuha  dhe  stili” sendërton një punë serioze e këmbëngulëse 40 vjeçare të  Shefkije Islamajt. Mendoi se ai shfaqet kështu si opera vita e studiueses më në zë të shkencave  albanologjike në ditët e sotme në Kosovë dhe të njërës nga zërat më të spikatur në gjithë albanologjinë” (Valter Memisha).