Nga Prof. Dr. Bernard ZOTAJ
Gjurmët naziste në memorine e një fëmije…
Në udhëtimin tonë të përditshëm na ndodh të takojmë njerëz interesant me të cilët biseda nuk duhet të mbarojë kurrë… I tillë është edhe një prej pinjollëve të Familjes Frashëri, për të cilin meriton të shkruhet me gërma të arta. Ruzhdi Frashëri është sot 80 vjeç, dhe si çdo bashkëmoshatar i tij lufton me sëmundjet e moshës. I lindur më 20 shkurt 1942 në Kagjinas, Kolonjë, fati i keq e solli që ai të përballej që në fëmijërinë e tij me vështirësitë e jetës.
Në 6 korrik 1943, ai ishte vetëm një vit e gjysëm, kur trupat e Divizionit të Parë Malor të Wehrmacht po udhëtonin nga Korça në drejtim të Janinës në Greqi, ata u përballën me veprime luftarake në dalje të Barmashit nga një pritë të organizuar prej njësitit partizan vendase të udhëhequra nga nga Riza Kodheli e Petrit Dume, si dhe nga çeta e Ballit Kombëtar. Gjermanët u kthyen prapa dhe ndaluan në fshatin më të afërt në Borovë, ku në shenjë hakmarrjeje vranë dhe masakruan plot 107 burra, gra, pleq e fëmijë.
Po ashtu, forcat naziste duke ndjekur të gjitha lëvizjet në terren të forcave luftarake të njësiteve guerile shqiptare, evidentonin saktët dinamikën e lëvizjeve të dy çetave partizane dhe të Ballit Kombëtar, të cilat kishin qenë në përballje mes tyre në grykën e Barmashit. Pasi organizuan këtë goditje ndaj autokolonës gjermane, forcat partizane e balliste u zhvendosën nga Borova dhe me flakëhedhës gjuajtën në në fshatrat përreth duke ndjekur lëvizjet e tyre si në Gozhdarazhdë, Kamnik, Sanjollas, Podë dhe Kagjinas, për të cilën pak flitet.
Aty nazistët kryen dhe një masakër të ngjashme në mesin e popullatës civile, duke vrarë 11 njerëz të pafajshëm, si dhe djegur 11 shtëpi. Midis tyre ishte dhe Hamdi Frashëri, babai i Ruzhdiut dhe dy familjarë të tij. Të ardhur në Kagjinas rreth pesë vjet më parë nga Frashëri, nga një derë e njohur në mbarë trevën e Kolonjës, Përmetit dhe Skraparit, Hamdiu la jetim djalin Ruzhdi dhe dy vajza.
Ky ishte fati i Ruzhdi Frashërit. I pyetur nëse kujtonte ndonjë gjë të veçantë nga fëmijëria e tij dhe nga ajo ditë ku nazistët i vranë babain dhe mbeti jetim kujton: përmes një rrëfimi plot emocion se kur erdhën gjermanët në Kagjinas unë rastisa të isha me nënën, Bylyren, në çezmën e fshatit për të mbushur ujë. Në atë moment nëna, nisur dhe nga gjendja ime pasi isha rreth dy vjeç më mbante në krahë. Më kujtohet dhe më ka treguar gjithmonë nëna, se një ushtar nazist erdhi të më merrte nga krahët e nënës. Ajo më kishte shtërnguar fort në gjoksin e saj, duke qenë dhe e llahtarisur.
Një usharak i lartë gjeneral apo kolonel, qëndronte hipur mbi një kalë dhe kishte ordinancë një ushtar. Ai kërkoi që djalin e vogël ta shpinin tek komandanti. Ushtari e mori nga krahët e nënës, zbatoi urdhërin dhe e shpuri tek komandanti i tij, ku qëndronte disa metra më tutje. I hipur mbi kalë, ai pasi e përkëdheli, e puthi Ruzhdiun e vogël në ballë, pasi e ngriti lartë me dy duart dhe duke vijuar e përshpëritur përkëdheljet në gjuhën e tij. Më pas e ktheu atë tek nëna e tij, e cila popriste me gjak të ngrirë. Kur nëna shkoi në shtëpi, burrin e saj e gjeti të ekzekutuar. Babai i Ruzhdiut ishte natyrisht i pafajshëm dhe natyrisht nuk kishte kryer asnjë akt dhunekundër ushtrisë gjermane. Shtëpia u dogj nga zjarri nazist.
E tillë ishte Lufta e Dytë Botërore me pasojat dhe dramat që shkaktoi. I mbetur pa baba dhe për më tepër duke patur dhe dy vajza të mitura Adile dhe Hanëme, nëna punoi për të rritur fëmijë dhe për të mbajtur familjen. I rriti dhe i martoi të dy vajzat, si dhe djalin Ruzhdi. Me punë, me mirësi, me dashuri dhe me virtyte fisnikërie të tashëguara, Ruzhdiu përballoi me sukses luftën e klasave ndonëse rrethi i tij i afërt familjar u godit padrejtësisht.
Dora e Ruzhdiut është në veprat sociale të Ersekës
Sot Luko (Ruzhdi) Frashëri, kujton me mall dhe me emocione të gjitha punët që ka kryer pa shfaqur asnjë pretendim sado e vështirë apo e rëndë të ketë qenë puna që merrte përsipër apo i ngarkohej. Ai kujton me krenari punën e bërë në fillim në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Ersekë, duke ndërtuar disa nga ndërtesat sociale që janë dhe sot në Ersekë si spitali, hotel “Borova” dhe godinën e Komitetit Ekzekutiv, sot bashkia në qendër të qytetit.
Më pas, pas martesës me znj. Selvi Rakipi, punoi më pranë fshatit, në furrën e nxjerrjes së gërqeles në Borovë. Ai punoi me përkushtim dhe energji të pashtershme për disa vjet, për të vijuar më tej punën në sektorin e transportit në Novoselë, ku punoi deri në fund të viteve 1980. Më pas, me ardhjen e demokracisë u zhvendos në Tiranë ku vijoi të punonte me të njëjtin përkushtim dhe cilësi dhe pse kishte dalë në pension.
Duke u bërë padashje pjesë e rrëfimeve dhe mbresave nga shumë bashkëmoshatarë dhe të njohur të tij, nuk mund të mos evidentoj në këto rreshta fjalët e tyre të ngrohta dhe të sinqerta për të. Lukua, siç i thërrasin në shoqëri është zemërbardhë, i dëgjuar, askujt nuk i hyn në hak, shpirt njeriu, njeri që e mban fjalën dhe punëtor i madh, punë mbaruar. Ndonëse po të përshkruash fizikun e tij, ai është shtat mesatar, por nga fiziku i shëndoshë, ai kryente një volum pune të dalluar nga të tjerët. Gjatë gjithë jetës së tij nuk ka përtuar asnjëherë të ndihmonte këdo që i kërkonte ndihmë për të ndërtuar shtëpinë, për punë më të specializuara të cilat në shumicën e tyre i kryente falas, duke treguar një humanizëm të pashoq.
Punëtore ka qenë dhe bashkëshortja, e cila ndonëse ka rritur shumë fëmijë, kurrë nuk i është shmangur punës dhe vështirësive, edhe kur festuan para tre viteve përvjetorin e artë të gjysëm shekulli martesë, shijuan shëndetin dhe forcën e martesës së tyre. Kjo pasuri e paçmuar shpirtërore reflektohet sot nga qindra të njohur të tij si mësues, mjekë, agronomë, ushtarakë, ekonomistë, financierë, inxhinierë, doktorë, stomatologë, teknikë të ndryshëm ndërtimi, punëtorë dhe tregtarë të cilët flasin me shumë respekt dhe dashuri për Lukon, mikun e të gjithëve dhe mbështetësin e tyre në ditë të mira dhe të vështira.
Fisnikëri që trasmentohet
Luko edhe sot tregohet modest dhe me buzëqeshjen e tij dallon dukshëm mirësinë e tij. Ai vlerëson dhe gëzon kur djali i tij, i nderuar Kastriot Frashëri, është një studiues, publicist dhe avokat i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit me kontribute të shquara në historinë e demokracisë shqiptare dhe në themelimin e shoqërisë civile të vendit tonë.
Ruzhdi Frashëri është 80 vjeç. Urime për jetë më të gjatë, ashtu si u ka hije heronjve të punës. Shakespiri si duket për këta është shprehuar për njerës të mrekullueshëm që me gaz dhe me të qeshura le të vijnë rrudhat e vjetra. Jeta e tij e tillë ka qenë. Një hero i punës, i mirësisë dhe i traditave të derës së madhe të Frashërit, që vlerësohet jo vetëm në mbarë trevën e tij, por edhe më gjerë. Fakt që të njohur dhe bashkëudhëtarë të tij flasin me respekt për fisnikërinë, cilësitë, vlerat, punën, veprat, por dhe për humorin e tij.
Këta janë heronj të heshtur të ditëve të sotme, si Luko që e përkëdhelin me dashuri të njohurit e tij. Fisnikërinë e tij e mbajnë në gojë për mirë të gjithë nga Dangëllia, Kolonja dhe deri në Tiranë. Njerëz të tillë ka nxjerë Dangëllia e Frashëllinjve që shkëlqejnë në heshtje me veprën e tyre, me punën e ndershme dhe humane, me emrin e mirë që lënë në jetë dhe pa përfituar kurrëgjë. Duket qartë që motoja e familjes Frashëri “Alias Volat Propriis” i shkon për shtat kësaj familje fisnike dhe të nderuar të kombit shqiptar.