Nga: Halil AHMETI

Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Kosovën

​80 vite jetë të NënKolonel Ali Demushit–oficer i Ushtrisë Shqiptare (sot në pension, në Shkodër), publicist e veprimtar i mirënjohur, sigurisht janë mbi mesataren moshore të sotme, por gjithsesi, ndër motmote, të mbushura me plot veprimtari jetësore aktive, me punë e rezultate të larta, me ngjarje e vlerësime të mira, me qëndrime dinjitare, me kujtime të bukura.

​Ai është një nga “Djemtë e Geghysenit -Nderi i Kombit” të Malësisë së Gjakovës (Tropojës), vendlindja e tij, i cili më 14 të janarit 2022 i përploto 80 vjeç, duke gëzuar një shëndet të plotë dhe ndihet mjaft aktiv në jetën e përditshme.

​Familja e Tij geghysenase për një dekadë kohore jetoi në qytetin e Pukës (1942-’52), ku e kreu filloren në Shkollën “Migjeni”. Me rikthimin e familjes në vendin e të parëve të tij, ku e përfundoi Shkollën, 7-vjeçaren më 1955. Pas kësaj, po atëvit, i vazhdoi studimet në Gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër, por i ndërpreu ato për arsye se kushtet për jetesë në Konviktin “Safet Spahia” ishin të vështira, ndaj, për pasojë, krijoi një ndërprerje dyvjeçare të arsimimit të tij (deri më 1957), kur i  filloi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbeg” në Tiranë, me nxitjen e babait, i cili ishte një arsimdashës i përkushtuar për shkollimin e fëmijëve të Tij. Burimi kryesor i nxitjes për të vazhduar shkollë ushtarake, i dashurisë për ushtrinë shqiptare, ishte ushqyerja me tradita atdhetare e patriotike të trungut familjar e të familjes së Tij që i kishte dëgjuar në bisedat familjare nga babai, të afërmit e moshuar si dhe nga shumë bashkëvendas të tjerë.

​1.

​Dera e Demushit, trungu i tij familjar, paraardhësit e tij, ndër breza, në një hark kohor rreth dy shekuj e deri në ditët e sotme, kanë histori të një dinjiteti të lartë.

​Islam Demushi i kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përndryshe dhe “Islam Pasha”, siç e ka pasë quejt populli në Malësi të Gjakovës e Rrafshin e Dukagjinit e deri në Portën e Lartë të Stambollit, për zgjuarësinë, trimërinë e veçanarisht për adhetarinë e Tij, i cili ka organizue e udhëheqë “Djelmninë e Geghysenit” në luftërat e zhvilluara kundër armiqve turkomanë, serbo-sllavë e çetniko- malazezë, si prijës i tyre në të gjitha betejat e zhvilluara, ku një nga këto që ka mbetur në historinë e Kombit tonë Shqiptar është pjesëmarrja direkt e Tij së bashku me Col e Qerim Delinë e Geghysenit, në rrethimin dhe asgjësimin e Mehmet Ali Pashës (Maxharr Pashës) më 1878– tën në Sarajet e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë, të cilin Porta e Lartë e Stambollit e kishte dërguar për t’ia dorëzuar Krahinën Shqiptare të Plavë–Gucisë, Malit të Zi, në zbatim të vendimit famëkeq e kriminal të Fuqive të mbledhura në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Konsulli Francez Luigji Hekardi në Shkodër, rreth Vitit 1853 në faqen 455 të veprës së tij madhore “Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë”, shkruan se “Islam Demushi ishte një djalë i ri inteligjent”. Ky fakt vërteton atë që Islami duke qenë i tillë, ishte një udhëheqës i aftë për t’a udhëheqë djelmninë e Geghysenit në luftë kundër çdo armiku. Një tjetër fakt që tregon vendosmërinëprej atdhetari të devotshëm për mbrojtjen e trojeve Shqiptare dhe që ia rriti besimin në popull si udhëheqës besnik e i pathyeshëm, për Islam Demushin, ishte mos joshja e mos pranimi për të marrë floririn e ofruar nga Pashai Turk, për t`i mbushur mendjen që t`i largonte luftëtarët geghysenas nga fronti i luftës dhe ushtria turke të vazhdonte marrshimin në drejtimin Qafa e Kolçit – Qafa e Agrit – Dukagjin e t`i binin Shkodrës me luftim për të bërë të mundur pushtimin e saj. Siç duhet ka mbetur e njohur në histori një nga betejat më të përgjakshme dhe e para në shkallë kombëtare, gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lufta e Nokshiqit në dhjetor 1879 – janar 1880, për mbrojtjen e krahinës së Plavë-Gucisë, ku krahas plavjanëve e hotjanëve, të komanduara nga Jakup Ferri, në b/veprim me afro 2000 forca të djelmënisë së Gashit e Krasniqes së Malësisë së Gjakovës, të drejtuara nga Ali Ibër Neza e Man Avdia e të ndihmuar fuqimisht nga trimat e Rugovës, me Sadri Bardhin në krye si dhe nga Forcat e Shkodrës me rrethina të komanduara nga Isuf Sokoli, i mundën keqas forcat e ushtrisë malazeze të Knjaz Nikollës, të komanduara nga Mark e Teodor Milani. Në ato luftime morën pjesë 40-të luftëtarë nga Geghyseni të udhëhequra nga Islam Demushi, i cili në këtë luftë kishte marrë me vete nipin e Tij, djalë të ri, Zenel Ahmet Demushin (ky babagjyshi i Ali Demushit). Luftimet më të përgjakshme në etapën e fundit, zgjatën rreth 4 orë, trup më trup e grykë më grykë, ku nuk bënte më punë pushka, por shpata e jatagani. Aq shumë gjak armiku u derdh sa u skuq Lumi Lim, në të cilin u hodhën e u mbytën me dhjetra e qindra ushtarë malazez, deri edhe pa kokë (me kokë tëprerë). Humbje të ndjeshme pati edhe në forcat tona. Në këtë betejë ra heroikisht Komandanti trim i Plavë– Gucisë Jakup Ferri, duke mbetur pishtar i pavdekshëm i Kombit tonë Shqiptar. Madhështinë e kësaj fitoreje e këndon lahutari nëpërmjet telit të lahutës duke nxjerrë në pah trimërinë e luftëtarëve Shqiptarë, ku ndër të tjera thotë:

” Mark Milani, Mark Milica/ Jem Malsia tan me plisa/, Jem me plisa e Jatagana,/Shoh asqerit çka t’i Bana/Në ujë ta mbyta/ Krenat ja ndala.”

​Në këtë betejë për jetë a vdekje në krye të forcave të Krasniqes ishte Bajraktari i Dragobisë. Gjatë luftimeve të përgjakshme me malazezët vritet flamurtari i fisit e Flamurin (Bajrakun), por nuk vonon dhe atë Flamur të fisit e nxjerr nga kthetrat e armikut, me dyluftim vet trimi Islam Demushi. Sipas ligjit kanunor i takonte Islamit që ta mbante Flamurin(Bajrakun) e të vihej në krye të fisit të Krasniqes si bajraktar,por në konsultim e mirëkuptim me geghysenas të tjerë si me Col e Qerim Delinë, nuk e mbajti për vete Bajrakun e atë ia dorëzoi vllait të madh të fisit, të tij në Bujan, te Mulosmanët dhe që nga ajo kohë për bajraktarë të Krasniqes janë njohur Mulosmanët duke e trashëguar njëri mbas tjetrit.

​Në gjurmët e Islam Demushit vazhdoi edhe vllai i Tij, Arif Demushi, i cili ishte pjesëmarrës i Kuvendit te Lidhjes Shqiptare të Pejës, nga e cila u kijua Lidhja e Pejës ose Besa-Besë, më 25 janar 1899, në vazhdim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku Kryetar i saj u zgjodh Haxhi Zek Byberi i Malësisë së Gjakovës. Lidhja e Pejës hartoi një Rezolutë prej 11 pikash dhe “Aktin e Besës”prej 12 pikash, ku si detyrë kryesore u shtrua: Lufta kundër rrezikut të copëtimit të trojeve amëtare nga shtetet fqinjë, Shpalljen e Autonomisë së vendit, Shpallja e besës fetare e krahinore dhe Ndërprerja e gjakmarrjes ndërmjet shqiptarëve etj.

​Në luftimet e zhvilluara kundër forcave turke të komanduara nga Xhavit Pasha në qershor të 190-tës, që përfaqësonin Xhonturqit (Turqit e Rinj), të cilët sulmuan Malësinë e Gjakovës, mori pjesë edhe djali i Islam Demushit, Sokol Islam Demushi i cili nën shembullin e të atit u shqua për trimëri.

​Po kështu në ngritjen e Flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali dhe Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 mori pjesë vllai tjetër i Islamit, Arif Demushi me katër geghysenas të tjerë. Atje qëndruan një muaj në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës duke u bashkuar me Isa Boletinin e Bajram Currin. Malësia e Gjakovës ka përjetuar me shumë dhimbje masakrat e ushtrisë malazeze në vitet 1913 dhe 1915, të cilët vranë, prenë, dogjën e shkretuan Malësinë në mënyrën më barbare.

​Kështu në 1915-tën Bajram Curri me Hasan Prishtinën organizuan qëndresën Popullore për të bërë të mundur dështimin e Operacionit të koduar “Patkoi”, që kishin hartuar armiqtë për pushtimin e Malësisë. Ishin geghysenasit të parët si çdo herë qëiu përgjigjën thirrjes “O bini djemt e Geghysenit, se na erdhi shkau te dera “dhe pa vonuar u ngritën me të madh e të vogël,me burra e gra në mbrojtje të vendit, jetës e nderit të tyre, ku një nga këta ishte Çelë Arif Demushi me vllazni, nipi i Islam Demushit.

​Në luftimet që u zhvilluan në Geghysen më 15 qershor 1915 – të ra heroikisht Ukshin Avdyli i shtëpisë së Col e Qerim Delisë, në dyluftim me oficerin malazez, mbasi kishte vra tre ushtarë malazez. Njëkohësisht motra e Tij, Cuc Abdylja, vrau e plagosi me sakicë (sopatë) dy malazez, duke mbetur e plagosur por që mundi t’i shpëtojë asgjësimit. Qëndresën në këtë luftë të pa barabartë por me heroizëm të pashoq që armikut i shkaktoi humbje të ndjeshme e paraqet ndër të tjera kënga popullore – kushtrim mobilizimi për fitore. “…..Bini djem e Bini çika/ Geghyseni me sakica (sopata) /Karadaku (Cerrnagora) me petica(pushkë)”. Në shenjë hakmarrje për humbjet e pësuara, forcat malazeze mundën të kapin rob 16-të geghysenas të cilët më 24 gusht 1915- i pushkatoi të lidhur dorë për dore, në Shkallën e Grisë dhe i hodhën në humnerë. Dera e Demushit në vazhdimsi nxorri djem e burra trima të zotë, që e mbajtën gjallë traditën atdhetare e patriotike të familjes së tyre, në vazhdimësi.

​Kështu në vitet 20 e 30 të shekullit të kaluar, nga kjo derë shquhet Ukë Zenel Demushi (Gjyshi i Ali Demushit), i cili ishte një nga bashkëluftëtarët e Bajram Currin që kishte luftuar përkrah Tij në mbrojtjen e trojeve etnike Shqiptare. Ai me shumë geghysenas e krasniqas të tjerë luftoi në Shkup, Kosovë, Krumë, Tiranë e Durrës. Ishte pjesmarrës në Revolucionin Demokratik të Qershorit më 1924-trën. U vra në vitin 1932, siç u vranë edhe disa b/ luftarë të tjerë të Bajram Currit.

​Atij, në shenjë hakmarrje, në vitin 1926 ia arrestojnë babain, Zenel Ahmet Demushi, e torturojnë atë në burgun e Tiranës deri sa paralizohet dhe pasi e liruan në atë gjendje jetoi deri në vitin 1941 nën kujdesin e nipave të Tij.

​Gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë, populli i Tropojës që nga 7 prilli 1941, sulmoi të gjitha postat e karabinerisë Italiane të ndodhura brenda rrethit. Geghysenasit sulmuan postën në Vaun e Firzës dhe atë në fshatin Gri. Nga këto sulme italianët patën të vrarë, të plagosur e të zënë rob rreth 100 ushtarë. Gjatë këtyre luftimeve italianët mundën të kapin rob në fshatin Arveje Bali Halil Demushin, të cilin e pushkatuan barbarisht të lidhur për një pemë në Vaun e Firzës dhe e hodhën në ujrat e Drinit, ku kufoma e tij nuk u gjend kurrë. Ai për aktin heroik në luftimet e zhvilluara kundër pushtuesve fashist Italianë, në vitin 1980-të është shpallur Dëshmor i Atdheut.

​Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, Italia fashiste mobilizoi në radhët e ushtrisë së saj, me dhunë, shumë shqiptarë, për t’i përdorur mish për top duke i dërguar në frontin e Luftës Italo- Greke.

​Nga fisi Demushi mobilizuan dy djem të rinj, Mujë Bajram Demushi dhe Brahim Ukë Demushi (Baba i Ali Demushit). Qëtë këta djem dezertuan nga ushtria Italiane. Mujon e kapën e burgosën sa në Tiranë e sa në Itali duke e torturuar derisa ndrroi jetë. Në vitin 1979 është shpallur Dëshmor i Atdheut. Brahim Ukë Demushi qe mobilizuar ushtar në vitin 1940, dhe inkuadruar në një bateri artilerie të mortajave-top 75/13mm, në Grupin “Skanderbeg” të Regjimentit 753 të Artilerisë së ushtrisë italiane. E gjithë bateria ishte me Shqiptarë, me Komandant baterie togerin dibran Siri Strazimiri, një atdhetar i vërtetë. Kjo bateri gjatë Luftës Italo- Greke ishte në detyrë luftarake në Kamenicë të Korçës. Ishte Brahimi Komandant topi që vet i dyti mbrojti me zjarr tërheqjen e baterisë nga fronti duke treguar një akt të rrallë trimërie.

​Me mbrritjen e baterisë në Ullishtat e Elbasanit, në erresirën e natës organizoi bashkë me Brahim Halil Buçpapën arratisjen e disa ushtarëve të baterisë, duke njoftuar Komandantin Syri Strazimiri e marrë miratimin prej tij, pasi i drejtohet: Komandant ne kemi vendosur që të dezertojmë nga kjo ushtri se nuk duam të behemi mish për top për ushtrinë italiane në luftë me ushtrinë greke.

​Brahim Demushi qëndroi një vit në arrati nga 28 Nëntori 1940 deri më 22 tetor 1941. Gjatë qëndrimit në arrati ai merr pjesë aktive në frontin e luftës kundër çetnikëve në Plavë e Guci, ku ndër të tjera nën breshërinë e plumbave të armikut merr kufomën e geghysenasit të vrarë tre ditë më parë dhe e varros në tokën e Plavës. Idriz Mulosmani ish sekretar i Komunës së Plavës e kujtonte Brahimin si një luftëtar trim me të cilin kishin luftuar kundër çetnikëve në Plavë e Guci.

​Lufta Nac.Çl. e Shqipërisë, Brahimin e gjeti familjarisht në Qytetin e Pukës.

​Nuk pati mundësi të merrte pjesë direkt në këtë luftë çlirimtare nga armiqtë nazifashistë, për pasojë të një sëmundje të rëndë tre vjeçare, që iu shfaq si shkak i qëndrimit në arrati, por shtëpia e Tij në Pukë ishte një nga bazat ku u strehuan, ushqyen e mjekuan disa partizanë gjatë luftës. Ishte kjo trashëgimi e Atdhetarizmit të trungut familjar e i familjes së Ali Demushit ndër breza, që ia ushqyen dëshirën për t`u bërë oficer i ushtrisë, për t’u ngja sadopak paraardhësve të Tij.

​Kështu Aliu studioi e përfundoi Shkollën e mesme Ushtarake “Skenderbeg” në Tiranë nga Viti 1957-1961, me rezultate të mira. Pas përfundimit të kësaj shkolle e cila është quajtur “Fidanishtja” e ushtrisë, Aliu vazhdoi e përfundoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë nga Viti 1961-1963, duke u titulluar Oficer me gradën N/ Toger.

​Me përfundimin e shkollës dhe gradimin emërohet në Brigadën e Këmbësorisë (BrK) në Gramsh të Elbasanit. Atje shërbeu dy vjet 1963-1965, kryesisht në detyrën e Shefit të Fiskulturës, duke qenë njëkohesisht edhe sportist në Klubin Sportiv “Partizani” në sportin e atletikës dhe të qitjes me armë luftarake.

​Me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, Aliu transferohet nga Gramshi, në BrK në Tropojë me gradën Toger dhe detyrë kryesisht të Shefit të stërvitjes duke mbuluar edhe atë të Fiskulturës.

​Edhe në këtë njësi Ushtarake të rrethit Tropojë, qëndroi dy vjet dhe po me Urdhër tjetër të veçantë nga Korpusi Ushtarak i Shkodrës transferohet në BrK Vau Dejës në fund vitin 1967, në detyrën e Shefit të stërvitjes por pa grada sepse ato i hoqi shteti në të gjithë ushtrinë në maj të vitit 1966 , sipas modelit kinez.

​Pa mbushur dy vjet të tjera, me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes emrohet Zv/Drejtor për edukimin Fiziko-Ushtarak në Gjimnazin ” 28 Nëntori” dhe Komandant i repartit që formonte kjo shkollë.

​Në Gjimnazin “28 Nëntori” të Shkodrës Aliu punoi për tetë vite rresht nga viti 1969-1977.

​Më pas Aliun e gjejmë Komandant Shkollë të Lirë Ushtarake (SHLU) funksionar në Koplik dhe Komandant batalioni në Gruemirë të Malësisë së Madhe për një periudhë katër vjeçare.

​Në vitet 1981-1983 studioi e përfundoi studimet e larta, Akademinë në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë me rezultate tëmira.

​Pas përfundimit të Akademisë Aliu u rikthye në ish Korpusin e Shkodrës, ku u emrua nga Ministri i Mbrojtjes në disa detyra të nivelit të lartë e madhore si Shef Operativ e Shef Shtabi në dy BrK – rie. Komandant i Regjimentit të Rinisë Shkollore e Studentore në Qytetin e Shkodrës, si dhe Komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Territoriale për Qytetin e Shkodrës, funksione në detyrë që nga viti 1983 deri në vitin 1998 me daljen në rezervë nga reforma në ushtri.

​Me rivendosjen e gradave në Ushtri në vitin 1991 mori gradën N/ Kolonel të cilën e mbajti deri me daljen në pension.

​Të gjitha detyrat që ka kryer në të gjitha funksionet drejtuese e komanduse, kanë patur një objektiv e qëllim të caktuar; përgatitjen dhe aftësimin fiziko-shtarak e atë luftarak të të gjithë efektivave të strukturave që ka drejtuar e komanduar si ato me ushtarë aktivë e rezervistë, nxënës e studentë dhe Forcat Vullnetare Territoriale, në shërbim e funksion të mbrojtjes së Atdheut, në kuadrin e përgjithshëm të mbrojtjes së Vendit. Me një planezim e organizim të mirë nga ana e Tij, të procesit mësimor e stërvitor, duke bërë me parë aftësimin e kuadrove aktive e rezerviste, ka bërë të mundur që vazhdimisht të ketë rezultate të nivelit mirë e lartë deri shembullore. Janë për t`u përmendur, mësimet e stërvitjet e hapura metodike e instruktivo metodike, stërvitjeve treguese e atyre me trupa kompaktësuese si dhe e stërvitjeve taktike me qitje luftarake apo garat e përgatitjes Fiziko-Ushtarak, përfshirë kampionatet në disiplina të ndryshme të aktiviteteve sportivo kalitëse me efektivat e strukturave, ku mund të përmendim për rezultate të larta batalionin e këmbësorisë në Gruemirë që për tre vjet rresht u shpall Shembullor në vitet 1879 – 1881, duke e nxjerrë nga niveli i dobtë ku kishte rënë, apo Gjimnazi “28 Nëntori” që në inspekimet për stërvitje e gatishmëri dhe garat e përgatitjes luftarake nga Ministria e Mbrojtjes është vlerësuar një nga shkollat më të mira të vendit. Po kështu SHLU Koplik në vitet 70- të e vlerësuar si një nga më të mirat e Korpusit Ushtarak të Shkodrës për stërvitjen e të gjitha strukturave aktive e rezerviste. Gjithashtu Regjimenti i Rinisë Shkollore e Studentore është dalluar për realizim të mirë të procesit mësimor e stërvitor si dhe për mbajtjen e gatishmërisë në nivelin e kërkesave të kohës.

​Gjate karrierës së Tij mbi 40-të vjeçare në radhët e ushtrisë N/Kolonel Ali Demushi, në etapa të ndryshme ka kontribuar si sportist në Klubin Sportiv “Partizani “si atlet e qitës. Po kështu ka mbuluar ekipin e qitjes sportive të Klubit Sportiv “Vllaznia”,duke qenë antar i kryesisë së tij.

​Kontribut të veçantë ka dhënë në hapjen e rrugës automobilistike qyteti B.Curri- Dragobi -Valbonë, me forcat rezerviste të disa njësive ushtarake.

​Po kështu ka kontribuar në vitin 1970 për ndërtimin e hekurudhës Elbasan – Labinot me nxënësit e Gjimnazit “28Nëntori ” të Shkodrës.

​Pas daljes në reformë në vitin 1998-1999, kur zhvilloheshin luftimet për çlirimin e Kosovës, ka kontribuar, për dërgimin e shumë djemve të rinj kosovar (të ardhur në Shkodër), në frontin e luftës në kufirin në mes zonës së Tropojës me Kosharen e Kosovës, ku për këtë kishte rënë në dakort me Sali Çekaj (tashmë Hero i Luftës së Kosovës i rënë në Betejën Vendimtare për çarjen e kufirit në Koshare.) Duam të vëmë në dukje se dy vëllezër (Ushtarakë) të Ali Demushit për kontributin që kanëdhënë për çlirimin e Kosovës, janë shpallur nga Qeveria e Kosovës “Veteranë të Luftës së Kosovës”, ku njëri prej tyre është i plagosur nga forcat serbe gjatë luftimeve.

​Për kryerjen e detyrave në fushën e mbrojtjes, me përkushtim e punë të ndërgjegjeshme, me profesionalizëm e kompetencë, gjatë punës mbi 45 vjeçare në radhët e ushtrisë, N/ Kolonel Aliu është vlerësuar me dekorime, me urdhra e medalje dhe tituj shembullor .

​Po kështu vlerësime Mirënjoheje, ka marrë nga disa Shoqata Atdhetaro-Patriotike e Kulturore si brenda vendit dhe në Kosovë, pas daljes në pension sepse ai edhe pas daljes në pension nuk e ka pushuar aktivizimin dhe kontributin në interes të komunitetit e Çështjes Kombëtare.

​Kështu ai është i zgjedhur Kryetar i OBVL-së Dega Shkodër, Antar i Kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, Dega Shkodër, Antar i Kryesisë sëShoqatës “Drini” Shkodër – Gjakovë, Zv/Drejtor i “Gazetës së Alpeve” për Qarkun e Shkodrës, ku këto detyra i ka kryer më sëmiri.

​Aliu merr pjesë edhe në veprimtaritë e disa shoqatave si brenda vendit dhe në trojet e tjera Shqiptare si në Gjakovë, Deçan të Kosovës dhe Plavë– Gucisë në Mal të Zi.

​Një aspekt tjetër i rëndësishëm në jetën e Aliut është fakti se ky i mbështetur nga prindrit shumë arsimdashës, ka kontribuar për shkollimin e vllezërve e motrave po kështu edhe për dy djemtë e tij si detyrim prindror, ku të gjithë sot kanë krijuar familjet e tyre e në përgjithësi punojnë e jetojnë normalisht.

​Krahas kësaj veprimtarie jetësore, Aliu studion e shkruan në shtypin e kohës, kryesisht në Gazetën “Veterani” të OBVL- së dhe “Gazetën e Alpeve”.

​Por Aliu dallohet edhe për mardhëniet e mira me komunitetin ku jeton në Qytetin e Shkodrës në të cilin ka një njohje mbi 50- të vjeçare. Por duhet thënë një fakt real se Aliu e ka pikë të dobtë, vendlindjen, Malësinë e Gjakovës, Geghysenin e Tij “Nderi i Kombit” e mund të themi se mesatarisht në çdo dy muaj shkon atje, rrin, kuvendon e bën vizita në të afërm, shokë e miq për raste gëzimi dhe raste ngushëllimesh, në shenjë detyrimi si traditë e Tropojës. Pas njoftimit që dha Gazeta jonë e Alpeve, jo pa qëllim për 80- të vjetorin e lindjes të N/ Kolonel Ali Demushi që mbushet me 14 janar 2022, u pa mjaft qartë respekti që gëzon Komandant Aliu në shoqëri kudo ku ka punuar e jetuar, duke folur për figurën e tij me mjaft superlativa, ku veçanrisht veçohen ish nxënës e studentë Tropojanë që kanë studjuar në Shkodër, të cilët e kanë patur siç shprehet një prej tyre, “Ambasador” të tyre në Shkodër, që vazhdimisht është kujdesur e interesuar për mbarvajtjen e tyre në mësime, sistemimin në konvikte e plotësimin e kushteve të jetesës, në bashkëpunim me drejtoritë e konvikteve. Ka prej tyre që kanë dhënë mendimin që Këshilli Bashkiak i Tropojës ta vlerësojë me dhënien e Titullit “Qytetar Nderi”.

​Në përfundim mund të thuhet se jo gjithçka ka shkuar si në vaj gjatë jetës së tij. Në këtë udhëtim ka patur pengesa e vështirësi të krijuar nga goditjet keqdashëse me shpifje, intriga,inate e çmirëzi fshatareske, nga persona të veshur me pushtet partiak në sistemin e kaluar, të cilët jeta tashmë i ka seleksionuar si të padenjë për të jetuar në këtë shoqëri të lirë Demokratike.Ishte këmbëngulja e Aliut, guximi dhe pastërtia e tij që i mundësuan përmbysjen e atyre pengesave dhe diskreditimin e personave të përfshirë në atë punë të pistë. Aliu proceset Demokratike dhe reformat në ushtri i mirëpriti duke kontribuar në këtë aspekt por ajo që e mundon është brenga e madhe që shkaktoi shkatërrimi i vendit dhe veçanërisht i ushtrisë.

​Në mbyllje të këtij shkrimi për N/Kolonel Ali Demushi në këtë 80- të vjetor të lindjes së Tij, nuk mbetet tjetër veçse Urimi “Të rrojë sa më gjatë, me shendet të plotë në gjirin e familjes e shoqërisë”.

Halil AHMETI

Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Kosovën

Gjakovë, 30 dhjetor 2021