Nga Muhamet Mjeku – Nju Jork
Si një çekan me rënie mbytëse,në këtë mengjes të hershëm, mori dhenë lajmin e hidhur për vdekjen e shokut, mikut dhe kolegut tim, Sulejman Gashi. Iku në pakthim, duke na lënë tepër të pikëlluar. Syla, siç i thoshim ne, jetën e shihte si një mrekulli për realizimin e ambicjeve që i kishte skicuar në notesin e tij. Ishte aq njerëzor sa që lënte veten keq për të tjerët. Ai digjej në zjarr për të plasuar një lajm të mirë për Kosovën dhe ngurësohej kur këtë s’e gjente.
Jeta e Sulejmanit sot u nda në pëgjysmë. Ky ishte fati i tij tragjik.
***
Një natë para se të nisej në rrugë zyrtare për në Ajova, me të shoqen e tij, Tonen, ishin në familjen time dhe Ylberes. Më tha se kishte bërë një kontroll tek mjeku i tij personal dhe të gjitha analizat i rezultonin mirë. Asnjëherë s’e kam parë më optimist. Çka të thuash, jeta është sfidë dhe fati i paparishkueshëm. Tri ditë pas, një krizë zemre e goditi derisa po bënte ushtrime fizike në një sallë hoteli në Ajova.
E njoha kur me një grup gazetarësh u pranua në Televizionin e Prishtinës, në fund të viteve të 80-ta. Ishte një djalosh që impononte një energji të jashtëzakonshme për t’ i hyrë profesionit të gazetarisë, pasi kishte mbaruar fakultetin Filozofik, gjuhë dhe letërsi angleze. Që në ditët e para tregoi një elekuencë çfarë i duhej një pprofili të gazetarit televiziv. Në Televizionin e Prishtinës erdhi kur Kosova ndodhej në një krizë të thellë politike, vetëm një vit e gjysmë para suspendimit të dhunshëm të autonomisë nga regjimi fashist i Beogradit. Për shkak të situatës dramatike në këtë kohë, Kosovën e vizitonin delegacione të jashtme për të parë gjendjen më afër, ku shkeleshin me të dyja këmbët të drejtat njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Meqenëse Sulejman Gashi ishte i vetmi në rubrikën e brendshme të TVP-së që e fliste rrjedhshëm anglishten, iu dha mundësia që të percillte delegacionet e huaja dhe qysh në pranverën e vitit 1990 pat zhvilluar një bisedë me kongresmenin Tom Lantos dhe ish kongrsistin DioGuardin në hotelin “Grand” që u konsiderua si vizitë historike dhe e para e këtij niveli deri atëherë në Kosovë. Këtë bisedë të zhvilluar me këto dy personalitete amerikane, këtë djalosh plot vullnet e entuziazëm, e nxori në krye të emisioneve informativ të lajmeve në TVP dhe kështu ngjallte shpresën e madhe për Kosovën e pushtuar. Nga këtu, nga TVP, nisi rrugëtimin e tij në këtë profesion të vështirë, në një kohë krize politike dhe arriti të jetë figurë e gazetarisë për më shumë se tri dekada, deri në ditën kur ra në koma në Ajova, kur ishte korrospodent i RTK-së nga New York-u dhe Washingtoni.
Sulejman Gashi ishte gazetar racional, pragmatik dhe kuptimplot, i ndërgjegjshëm, i saktë dhe shumë i përkushtuar në punën e tij. E donte këtë profesion dhe për të ka investuar shumë mund.
Pasi Millosheviqi me terror mbylli RTP-në në korrik të vitit 1990, ai për të gjetur një mundësi të mbijetesës, shkoi në SHBA, në New York, me shpresë se pas një kohe të shkurtër do të kthehej në vendin e tij të punës, në TVP. Mirëpo, ngjarjet ishin shumë dramatike dhe shpresat për një gjë të tillë nuk shkonin në favor të asaj çfarë ai mendonte dhe çfarë mendonin punonjësit e këtij institucioni televiziv.
Në një bisedë, pasi kishte shkuar në New York, me veprimtarin dhe biznesmenin e njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, vendosi të nxirrte në dritë gazetën “Illyria” në gjuhën angleze dhe shqipe, ku Sulejman Gashi ishte inkuadruar edhe në punët përgatitore. Meqenese kishim punuar bashkë në TVP dhe më njihte, më kishte propozuar si editor të faqeve në gjuhën shqipe, dhe më 21 qershor 1991 së bashku më të dhe stafin tjetër e nxorëm numrin e parë.
Atë ditë e pashë tepër të lumtur dhe ishte i bindur se nëpërmejt shkrimeve në faqet e kësaj gazete, veçmas në gjuhën angleze, amerikanët do të njiheshin më shumë për dhunën serbe mbi Kosovën dhe shkeljen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Njihete mirë sistemin e funksionimit të Administratën amerikane dhe punonte vazhdimisht që politikën e Kongresit dhe Senatit ndaj Kosovës ta prezentonte në gazetën “Ilyria” dhe në mediumet tjera shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Për të arritur tek një lajm pozitiv për çështjen e Kosovës në atë periudhë, ai hulumtonte me ditë e javë për të vendosur në faqet e gazetës. Ky mbulonte sektorin më të rëndësishëm të cilin ne e quanin me një emër të posaçme “Amerika për Kosovën”. Krahas kësaj dërgonte lajme e artikuj edhe në Qendrën Informative të Kosovës dhe në Radio Televizionin e Tiranës, në gjysmëorshin për Kosovën, si dhe në shtypin tjetër shqiptar. Ishte i vetmi gazetar që, në këtë kohë, raportonte për Kosovën nga New Yorku dhe Washingtoni. Realizoi shumë itervista me personalitetet e Administratës Amerikane dhe të OKB, duke u përkujtuar atyre gjenocidin e Millosheviqit dhe të ushtrisë serbe mbi popullatën shqiptare në Kosovë. Në se cilin shkrim theksonte se zgjidhja e vetme mbetej Pavarësia.
Sulejman Gashi në këtë kohë familjen e kishte në Kosovë dhe me fliste për fëmijët e vegjël që i kishte lënë nën mbikëqyrjen e bashkëshortes së tij Tone Gashi. Një ditë derisa po përgadisnim një numër të gazetës Illyria, hyri në zyrën time me atë harenë e tij të zakonshme, duke më thënë se i kishte lindur edhe një djalë dhe e kishin pagëzuar me emrin Egzon, siç ishte vetë i hareshëm dhe siç ishte vetë i gëzuar. Me kolegun tjetër Isuf Hajrizi, i cili punonte në faqet në gjuhën angleze, dolëm në një kafe italian që ndodhej afër redaksisë sonë në Bronx, NY dhe me nga një gotë verë e uruam, duke i përkujtuar si në shaka se tash ishte bërë tamm burrë. Kurrë s’ do ta harroj këtë moment se sa i ekzaltuar ishte dhe sa bukur i rrinte buzëqeshja.
***
Sulejman Gashi ishte bir i familjes së madhe të Ramadan Shabanit të Kijevës. Ky i fundit ishte legjendë e pajtimit të gjaqeve mes familjeve, fiseve dhe individëve në Kosovë dhe më larg. Në kohën kur jetoi ky pishtar i paqjes, veç zgjidhjes së konflikteve familjare, ka kryer edhe shumë misione të rëndësishme kombëtare për fatin e Kosovës. Edhe vetë Sulejmani ishte i pasionuar pas filozofisë dhe misionit paqësor të Ramadan Shabanit dhe pasardhësve të tij. Fliste edhe për gjyshin e tij Rexhë Asllani, gjithashtu i njohur në pajtimin e gjaqeve, ngatërresave dhe konflikteve familjare. Në automobilin e tij, kur na binte të udhëtonin bashkë nëpër New York, lëshonte këngët e Sali e Feriz Krasniqit nga Drenoci i Llapushës dhe këngët e këngëtarëve të tjerë të këtij zhanri nga krahinat shqiptare.
Sulejman Gashi ka lindur në Kumanovë, në një periudhë kur babai i tij si mësues qe i detyruar ta braktiste Kosovën nga terrori i Rankoviqit. I ati i tij punoi atje dhe pas pak vitesh, u kthye në Kijevë. Sulejmani është fëmija i parë i prindërëve të tij. Ai në Kijevë ka përfunduar shkollën tetëvjeçare, gjimnazin në Klinë, ndërsa fakultetin filozofik-gjuhë dhe letërsi angleze në Prishtinë. Pak kohë punoi si profesor i anglishtes në gjimnazin e Klinës dersa filloi punën si gazetar, profesion të cilin e vlerësonte dhe e donte më shumë se çdo gjë tjetër. Ka qenë i përkushtuar dhe ka punuar që të jetë emër i gazetarisë në Kosovë. Për shkak të aktivitetit patriotik të babait, të familjes dhe të tij, kur erdhi në TVP, organet e punëve të brendshme atëherë në vitin 1989 kishin vu embargo mbi emrin e tij. Por, komisioni për pranim nuk e perfilli këtë embargo politike, e ardhur nga organet e sigurimit komunal të Klinës.
E donte shumë Kijvën e tij dhe vazhdimisht ishte me të, edhe pse gjeografikisht jetonte me mijëra mila larg saj. Më thoshte se aty e kishte shpirtin, bashkë me mendjen dhe kujtimet. Duke qenë tepër i lidhur me vendin e lindjes, në Kijevë pas luftës, ndërtoi një shtëpi me standarde bashkëohore, në të cilën kur kthehej kalonte kohë çmallje aty, dhe një copëzë të saj e bartte kudo që i binte të shkonte nëpër SHBA. E donte Kosovën dhe punoi shumë për lirinë e saj. Shumë artikuj i kishte shkruar për të. Punoi që amirikanëve përmjet shkrimeve t’ ua bënte të qartë se shiqptarët, një popull antik-evropian, ishte privuar nga të gjitha të drejtat kombëtare e njerëzore nga Beogradi racist.
Sulejman Gashi, me shkrimet e tij, si gazetar i gazetës “Illyria” dhe korospodent i “Rilindjes” nga New Yorku, në periudhën në prag e gjatë Luftës në Kosovë, përhapte optimizëm për popullatën shqiptare se liria po vinte, ajo s’ ishte e humbur. Liria, ishte nisur nga Washingtoni drejtë Kosovës.
Pas Luftës, punoi për Administratën e OKB në Kosovë në fushën e informimit dhe krahas kësaj ka udhëhequr në RTK- emisionin e debateve politike, ku arriti të jetë një ndër gazetarët më i afirmuar në Kosovën e lirë. Kam qenë redaktor i tij në fillim kur filloi gazetarinë dhe një vërejtje që ke mund t’ i a bësh s’ e ka përsëritur më. Ishte shumë komunikativ, i shoqëruar me kolegë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme, gjithherë me një elegancë dhe kerenari. Bisedat i kishte të hareshme me mpleksje filozofike, të trashëguar nga gjyshi i tij, Rexhë Asllani.
Sulejman Gashi edhe në kohën e krizave të rënda, siç kaloi populli ynë në fund të shekullit XX, asnjëherë nuk e humbi besimin se Kosova do të jetë e lirë, siç është sot. Kishte një natyrë shpresëdhënëse dhe shpresa ishte fuqia më e madhe e tij.
Sulejman Gashi la një familje të shëndoshë, bashkëshortën Tone Gashin, dy vajza dhe dy djem, të gjithë me fakultete të përfunduara në SHBA. Ishte shumë familjar dhe familjen e konsideronte begatinë më të madhe dhe kudo që ka punuar apo që i ka rënë të shkojë, nga larg të jetë afër saj, dhe nga afër të jetë inspirues i saj. Ka qenë njeri i mirësisë dhe i paqjes. Ishte shpirtbardhë dhe ka ndihmuar njerëzit aty ku ka mundur në forma të ndryshme.
Sëmundja fatkeqe e goditi si një uragan në Ajova të SHBA, ku ndodhej me punë zyrtare nga State Departamenti amerikan, shumë larg New York-ut, e shumë më larg Prishtinës, ndërsa mallin që e kishte për Kijevën e tij e shuante me punën e përditshme që bënte për Kosovën. Vepra e tij i takon një pjesë të historisë sonë, të cilën e nisi në vitet e 90 të shkullit të kaluar.
Ai digjej në zjarr për të plasuar një lajm të mirë për Kosovën dhe ngurësohej si akulli kur këtë s’e gjente.
***
Ai s’ e donte ambientin e ngurtë, donte një botë në lëvizje dhe një shoqëri ambicioze, sç ishte vetë.
Gazetaria televizive dhe ajo e shkruar mbeti pa një profesioonist të rrallë që do të mbahet gjatë në kujtesë.
I tillë ishte Sulejmani Gashi, i cili na la shumë të pikëlluar.