Presidenti Frank-Walter Steinmeier bën thirrje për besim dhe përgjegjësi në kohën e pandemisë Corona. Ai bën thirrje që të mos përdoret gjuha e urrejtjes dhe agresionit. Fjalimi i tij për Krishtlindje ka një ton serioz.

“Kur e kthejmë kokën pas dhe shikojmë ngjarjet e këtij viti, shohim shumë gjëra që na shqetësojnë dhe që na kanë frikësuar”, tha Presidenti Frank-Walter Steinmeier menjëherë në fillim të fjalimit të tij për Krishtlindje. Dhe shtoi: “Shteti ynë rrallëherë është sfiduar kaq shumë”.

Fjalimi i Presidentit tingëllon shumë më serioz sesa ai para dymbëdhjetë muajve, ku mbajti fjalimin e parë të Krishtlindjeve në kohët pandemike. Para një viti ai kishte guximit të jepte parashikime me një lloj sigurie: “Ne mund të presim me padurim të festojmë Krishtlindjet e ardhshme ashtu siç duam – në rrethin familjar, me miqtë tanë, me përqafime dhe duke kënduar. Shpresojmë që ky gëzim paraprak të na ndihmojë të kemi festa sa më të bukura. Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë ju!”

“Edhe një kohë të gjatë”

Po tani? Steinmeier u bën thirrje gjermanëve për qëndrueshmëri, për unitet dhe besim. Sepse: “Pandemia nuk do të kalojë shpejt, do të na preokupojë edhe një kohë të gjatë.”

Sërish fjalimin e tij për Krishtlindje e dominon kjo temë – lufta kundër pandemisë Corona, e së fundmi kundër variantit të ri të virusit Omikron.

Në shpjegimet e tij të gjata për Coronën, Steinmeier foli detajisht: “Rrallëherë kemi përjetuar nga një afërsi kaq e madhe sesa e rrezikuar është jeta jonë dhe sa e paparashikueshme është e ardhmja – sa të paparashikueshme janë muaji tjetër, java tjetër, madje edhe e nesërmja”.

Falënderimet

Aktualisht vdesin nga Corona çdo ditë në Gjermani – Steinmeier nuk i përmend në mënyrë specifike këto shifra – midis 400 dhe 500 njerëz. Rreth një milion njerëz vaksinohen çdo ditë. Shumica e tyre, thekson Steinmeier, e kanë kuptuar shansin që ofron vaksinimi. Presidenti falënderon shkencëtarët, mjekët, policinë dhe forcat e sigurisë, si dhe punonjësit në ente: “Ata të gjithë po bëjnë më të mirën.”

Por vetëm veprimi i shtetit nuk mjafton, paralajmëron Steinmeier dhe bën thirrje që njerëzit të vaksinohen dhe të mbajnë maska ​​​​mbrojtëse. “Kjo varet nga ne, nga secili prej nesh!” Ai falenderoi “nga zemra shumicën e madhe, shpeshherë të heshtur në vendin tonë”, që veproi me maturi dhe përgjegjësi.

Nga grindjet në shoqëri për masat në kohë pandemie, Steinmeier ndjehet i zhgënjyer dhe i acaruar. “Ju lutem, të gjithë ne jemi një vend! Ne duhet të jemi në gjendje ta shikojmë njëri-tjetrin në sy edhe pas pandemisë. E ne duam që të vazhdojmë të jetojmë së bashku edhe pas pandemisë.” Sot bëhet fjalë për mirëbesimin dhe përgjegjësinë, si dhe kuptimin e drejtë të lirisë. “Liria, besimi, përgjegjësia – për domethënien e këtyre gjërave duhet të merremi vesh, sepse këto na duhen edhe tek temat e tjera të mëdha, siç është mbrojtja e klimës.”

Me pak fjalë Steinmeier përmendi edhe fatkeqësinë e përmbytjeve në mes të korrikut, ku humbën jetën më shumë se 180 njerëz, ndërkohë që me mijëra humbën të gjitha që kanë krijuar me vite e dekada. Presidenti falënderoi qytetarët për gatishmërinë e madhe për të ndihmuar, “për solidaritetin e madh”.

Shqetësimit për gjendjen në Evropën Lindore

Një fjali të vetme por të qartë ai ia kushtoi politikës së jashtme. “Ne jemi të shqetësuar për atë që dëgjojmë nga shumë pjesë të botës sonë të trazuar, veçanërisht nga Evropa Lindore,” tha Steinmeier. Kjo ka të bëjë me kërcënimet ruse në kufirin me Ukrainën dhe situatën e tensionuar në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë.

Steinmeier foli shkurt edhe për Afganistanin, i cili ishte në fokus të opinionit botëror në gusht dhe shtator. “Ne mendojmë për ushtarët tanë që u kthyen në shtëpi nga Afganistani, si dhe për njerëzit që mbetën atje në gjendje të rëndë dhe në uri.

“Zoti ju bekoftë të gjithëve në Tokën e mirë.”

Presidenti në fund të fjalimit kujtoi një skenë që ka ndodhur para më shumë se 50 vitesh. Në prag të Krishtlindjes 1968 – kur Frank-Walter Steinmeier ishte dymbëdhjetë vjeç – Apollo 8 u soll rreth Hënës për herë të parë.

“Astronautët nga Apollo 8 lexuan asokohe fillimin e historisë biblike të krijimit dhe mesazhin e tyre për Krishtlindje e mbyllën me fjalët: “Zoti ju bekoftë të gjithëve në Tokën e mirë”, kujton Steinmeier. Së bashku me gruan e tij, Presidneit uron që “që Toka e mirë të na mbetet të gjithëve, që të ketë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”.

Frank-Walter Steinmeier do të kandidojë në shkurt për një mandat të ri si president i Gjermanisë edhe për pesë vjet të tjera. Ka shumë mundësi që ai të rizgjidhet dhe pas një viti t’i drejtohet sërish gjermanëve me një mesazh tjetër për Krishtlindjet.