Ndërsa amerikanët përballen me çmime të larta për mallrat dhe karburantin, presidenti Joe Biden thotë se po ndërmerr hapa të rëndësishëm për të lehtësuar barrën e konsumatorëve duke hapur rezervat strategjike të karburantit dhe masa të tjera. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, njofton nga Shtëpia e Bardhë.
Blerjet dhe përdorimi i makinës janë diçka po aq amerikane sa edhe Dita e Falënderimeve dhe Presidenti Joe Biden e di një gjë të tillë.
Sipas një sondazhi të fundit, një numër rekord amerikanësh, 55% nuk janë dakord me trajtimin e ekonomisë nga zoti Biden, në një kohë kur në disa shtete çmimi i karburantit ka aritur nivele rekord dhe inflacioni është rritur përpara sezonit të festave.
Të martën, presidenti Biden urdhëroi nxjerrjen nga rezerva strategjike e vendit të 50 milionë fuçive naftë. Ai tha se konsumatorët e tjerë të mëdhenj të energjisë, përfshirë Indinë, Britaninë dhe Kinën, planifikojnë të bëjnë të njëjtën gjë.
“Javët e fundit kam punuar shumë me telefonata me udhëheqës të huaj, për të marrë masat që çuan tek njoftimi i sotëm. Dhe megjithëse këto masa të koordinuara nuk do ta zgjidhin problemin e çmimeve të larta të karburantit brenda natës, do të ketë një lehtësim. Do të duhet kohë, por shumë shpejt do të shihni se çmimi i karburantit do të ulet. Dhe në planet afatgjata, ne do të reduktojmë varësinë nga nafta ndërsa kalojmë tek energjia e pastër”, tha presidenti Biden.
Por a mjafton kjo?
“Vendimi u mor për dy arsye. E para që të bindë amerikanët se presidenti po e merr me seriozitet këtë problem, duke u përpjekur të ulë çmimet e gazit. Dhe e dyta duke punuar me aleatët tanë, madje edhe me Kinën, ai po i dërgon një sinjal OPEC-ut se nëse nuk rrit prodhimin, ne do të hapim rezervat”, thotë David Wessel, drejtor i Qendrës Hutchins për Politikat Fiskale dhe Monetare në Institutin Brookings.
Presidenti Biden po ashtu riemëroi këtë javë kryetarin e Rezervës Federale, (Bankës Qendrore) Jerome Powell, i cili mbajti normat e interesit të ulëta gjatë pandemisë, për të forcuar besimin e konsumatorëve. Dhe administrata e tij ka marrë hapa për të zgjidhur problemet e zinxhirit të furnizimit që kanë shkaktuar mungesa të mallrave.
Ai gjithashtu po nxit miratimin e një projekt-ligji për shërbime sociale dhe klimën me vlerë prej 1.75 trilion dollarësh, i cili, nëse miratohet në Senat, do të transformonte ekonominë amerikane. Të martën, zoti Biden vuri në dukje se ekonomia më e madhe në botë ka dalë nga pandemia më mirë nga sa pritej.
“Amerika ka shumë arsye për t’u krenuar. Po përjetojmë rimëkëmbjen më të fortë ekonomike në botë, ekonomia jonë është rritur dhe familjet tona kanë më shumë para sesa para pandemisë. Dhe Amerika është e vetmja ekonomi e madhe në botë që është në këtë situate”, tha ai.
Por ekonomistët thonë se as ekonomia amerikane nuk mund t’u dalë mbanë trysnive të ofertës dhe kërkesës. Kjo mund të dojë më shumë punë për t’u zgjidhur.
“Banka Qendrore po vazhdon të blejë një numër të madh letrash me vlerë ndërsa normat e interesit janë në nivele shumë të ulëta. Ndërkohë, qeveria ka ofruar paketën më të madhe të stimujve për buxhetin në kohë paqeje. Pra, kur ke këtë kombinim faktorësh, krijohen probleme me ofertën pasi për shkak të zinxhirit të furnizimit ke një situatë ku ka më shumë kërkesë dhe shumë pak ofertë. Në thelb, kjo sjell në rritje të çmimeve”, thotë Desmond Lachman i Institutit “American Enterprise”.
Pyetja është a do të mund ta gëzojnë amerikanët këtë sezon festash? Zoti Biden shpreson që po.