Pala serbe thotë se Prishtina duhet të themelojë asociacionin e komunave serbe, para se të flasë për marrëveshje finale.

Prishtina thotë, se në dialogun Kosovë Serbi tashmë janë paraqitur edhe afatet kohore kur mund të ketë një marrëveshje finale gjithpërfshirëse, por kjo është kundërshtuar nga pala serbe, e cila thotë se nga Prishtina zyrtare duhen zbatuar marrëveshjet e arritura deri tash para se të flitet për afatet kohore. Kryenegociatori i Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi Besnik Bislimi, pas kthimit nga Brukseli ku pala kosovare dhe ajo serbe u takuan me ndërmjetësuesit e BE-së, por jo ndërmjet tyre, tha për mediet lokale, se “dialogu Kosovë-Serbi me një marrëveshje gjithpërfshirëse do të përfundojë brenda një afati të caktuar”, e që sipas tij, “përputhet me mandatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

“Afatet kohore faktikisht janë paraqitur, por kanë të bëjnë me njëfarë koincidence që edhe mandati i z.Kurti, edhe i z.Biden edhe i z.Borrell përputhen”, tha zëvëndëskryeministri Bislimi, duke mos përmendur një datë të saktë të caktuar.

Belgien Treffen Vucic Kurti in Brüssel

“Për neve është me rëndësi që marrëveshja fillimisht të jetë e mirë, të mos jetë në dëm të qytetarëve, pastaj afati kohor është i një rëndësie, por jo aq primare sa është kualiteti i marrëveshjes. Nuk do të nënshkruajmë asnjë marrëveshje për të cilën do ta dimë sigurt që është në dëm të qytetarëve”, thotë Besnik Bislimi. Ai tha se nga pala serbe megjithatë ka hezitim për një marrëveshje finale.

“Ka hezitim nga pala tjetër. Ne jemi duke thënë se fokusin kryesor duhet ta kemi tek marrëveshja e përgjithshme, ligjërisht e obligueshme, e pala serbe po thotë të merremi njëherë me marrëveshjet e tjera të kaluara, pastaj shkojmë te marrëveshja gjithëpërfshirëse”, theksoi Bislimi.