Ballina Bota Gjermania refuzon propozimin e Lukashenkas për të marrë 2,000 migrantë

Gjermania refuzon propozimin e Lukashenkas për të marrë 2,000 migrantë

 

Gjermania ka refuzuar propozimin e liderit autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, për të marrë 2,000 migrantë nga ky shtet, pasi autoritetet bjelloruse kanë akuzuar zyrtarët evropianë se kanë dështuar që të angazhohen me Minskun për të zgjidhur problemin, dhe kanë paralajmëruar se situata mund të çojë në konflikt të armatosur.

Bashkimi Evropian ka akuzuar Minskun se ka marrë mijëra burra, gra dhe fëmijë nga Lindja e Mesme dhe i ka dërguar në kufi me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, si përgjigje ndaj sanksioneve që ka vënë BE-ja ndaj shtypjes së protestave të opozitës, e cila e akuzon Lukashenkan se ka manipuluar zgjedhjet e vitit 2020.

Lukashenka është cituar të ketë thënë më 22 nëntor, sipas agjencisë së lajmeve BeITA, se ai nuk dëshiron që kriza të përshkallëzohet dhe se “ne nuk duam përballje… sepse ne e kuptojmë se nëse shkojmë shumë larg, lufta është e pashmangshme”.

Një zëdhënës i Qeverisë gjermane ka hedhur poshtë kritikat e Lukashenkas për “hezitimin” e Berlinit, që të marrë rreth 2,000 migrantë, të cilët janë në mesin e mijëra personave të bllokuar në kufijtë mes Bjellorusisë dhe vendeve të BE-së.

“Idea e krijimit të një korridori humanitar në Gjermani për 2,000 migrantë nuk është zgjidhje që është e pranueshme për Gjermaninë apo BE-në”, ka thënë zëdhënësi qeveritar, duke përsëritur qëndrimin e njëjtë të Berlinit edhe ndaj një propozimi të ngjashëm javën e kaluar.

Lukashenka ka mohuar se ka nxitur krizën duke shtyrë migrantët nga Lindje të Mesme në zonat kufitare, ndonëse në një intervistë dhënë transmetuesit britanik, BBC një javë më parë, ai ka thënë se është “absolutisht e mundshme” që disa ushtarë bjellorusë t’iu kenë ndihmuar migrantëve për të kaluar në territor të bllokut evropian.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka thënë më 21 nëntor se ai është i shqetësuar se kriza mund të shndërrohet në diçka më “të rëndë”.

Disa migrantë kanë thënë se duan të shkojnë në Gjermani përmes Polonisë, dhe Lukashenka ka thënë se është i gatshëm për t’i dërguar atje me aeroplanë, nëse është e nevojshme.

Më 18 nëntor, autoritetet bjelloruse kanë dërguar rreth 400 migrantë në Irak me aeroplan dhe Lukashenka ka thënë më 22 nëntor se Qeveria e tij është e gatshme të organizojë fluturim të ngjashëm drejt Irakut, nëse “ka nevojë”.