Raporti vjetor i përparimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përshkruan pak përparime në Kosovë në reforma që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas raportit, mungesa e përparimit ka ardhur si pasojë e situatës së paqëndueshme politike në vend, zgjedhjeve të parakohshme dhe pandemia COVID-19.
Në raport thuhet se në përgjithësi, zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive, por sipas raportit, forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi fushatën zgjedhore dhe financimin e partive politike mbetet një fushë ku duhet të kryhen reforma.
Në pjesën e raportit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshëm me Serbinë.
Sipas raportit, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin e tyre përkatës evropian.
Raporti thekson se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i cënueshëm nga ndikimi politik. Sipas raportit, Kosova ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke bërë thirrje për shtim të përpjekjeve në hetime më aktive, vendime përfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të pasurive.
Komisioni thuhet në raport mbetet i përkushtuar për të arritur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe se sipas tyre Kosova ka përmbushur kriteret.
Raporti thekson ndërkaq se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit posaçërisht në lidhje me rehabilitimin dhe ri-integrimin e luftëtarëve të huaj terroristë dhe familjet e tyre.
Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë u dorëzon raportin autoriteteve vendase
Autoritetet në Kosovë morën sonte edhe zyrtarisht Raportin vjetor të Komisionit Evropian. Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog ua dorëzoi atë udhëheqësve të institucioneve, të cilët në reagimet e tyre nënvizuan se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave që çojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një konference me gazetarë tha se qeveria e tij tashmë po bën përpjekje në përmirësimin e fushës së sundimit të ligjit.
“Kemi miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, projektkodin e procedurës penale dhe ligjin për Agjencinë kundër korrupsion si dhe e kemi finalizuar draft-dokumentin për zhvillimin e Vettingut dhe draftin e parë të projektligjit për verifikim dhe konfiskim të pasurisë të pajustifikuar, veprime këto që do të forcojnë dhe avancojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit”, tha ai duke nënvizuar se qeveria ka ndërmarrë operacione të ndryshme kundër grupeve kriminale dhe në kuadrin e luftës kundër kontrabandës.
Kryeministri Kurti tha se Kosova do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar për bisedime me Serbinë, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Pra edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 3 dhjetor të vitit 2015 edhe peticioni me mbi 200 mijë qytetarë në vitin 2015 edhe fryma e kushtetutës dhe institucioneve tona nuk lë hapësirë për solucione mono-etnike”, tha ai.
Kosova mbetet vendi i fundit në rajon drejt rrugës së integrimit evropian, ndërsa pritet të përballet me sfida të mëdha posaçërisht në përpjekjet për një marrëveshjeje detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, në veçanti atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.