Pas ekipit të femrave triumfon edhe ai i meshkujve

Pas suksesit me përfaqësuesen e femrave Italia arriti të shpallet kampione e Europës edhe me skuadrën e meshkujve. Ekipi i drejtuar nga Ferdinando De Giorgi, i emëruar më pak se 1 muaj më parë, triumfoi me rezultatin 3 – 2 me sete në finalen me Slloveninë e zhvilluar të dielën në Katovicë.

Një ndeshje e luftuar që zgjati thuajse 2 orë e gjysmë. Setin e parë e fituan sllovenët pasi kryesuan gjatë të gjithë kohës me pikë. Në të dytin italianët u shfaqën më të saktë me aksionet e tyre, duke barazuar. Sllovenia ia doli të marrë setin e tretë, por Italia barazoi 2 – 2 në pasardhësin.

Në të pestin italianët u treguan më të vendosur duke fituar sfidën. Ky ishte titulli i shtatë kampion Europe për përfaqësuesen e meshkujve që erdhi pas asnjë humbje prej fazës së grupeve.