Franca është e njohur për javën e punës me 35 orë, e miratuar me ligj që në vitin 2000. Me krizën aktuale ekonomike dhe epidemiologjike, vendi (politikanët, gazetat) po rimendon javën e punës, nëse ajo mund të reduktohet në 32 orë (ose një javë pune me katër ditë).
Ndërkohë që njerëzit nënshkruajnë kontrata për 35 orë në Francë, pjesa më e madhe e tyre punojnë më shumë, veçanërisht në sektorin privat, ku orari 9:00 – 5:00, ose më shumë, është normal. Edhe në sektorin publik, punonjësit mund të kenë javë më të gjata se 35 orë – në të dyja rastet, në varësi të kompanisë, punonjësit mund të rikuperojnë orët jashtë orarit nën formën e ditëve të pushimit ekstra.
Ashtu si në vende të tjera, java e punës me katër ditë nuk është e re në Francë dhe është shfaqur në bisedimet politike mbi punën, papunësinë, rritjen e automatizimit dhe cilësinë e jetës. Siç shkruan The Local, partia politike e krahut të majtë, La France Insoumise, dhe Partia e të Gjelbërve, që të dyja e kanë mbështetur idenë në të shkuarën.
Të hënën, gazeta e së majtës, Libération, e publikoi idenë në faqe të parë, duke i dhënë asaj mbështetjen editoriale. “Deri më tani, ideja e një jave pune me katër ditë ka qarkulluar duke mos u marrë shumë seriozisht. Por pandemia, duke rimenduar mënyrën tonë të të punuarit, mund t’i japë jetë… kalimi i përgjithësuar në një javë pune me 4 ditë, 32 orë në javë do të krijonte 1.5 – 2 milionë vende të reja pune, shumë më shumë se ato të krijuara nga java e punës me 35 orë. Për këtë arsye, pse të mos e vlerësojmë seriozisht këtë mundësi?”.
Sindikatat në Francë janë shumë të fuqishme dhe sindikata CGT e mbështet idenë. Sekretarja e saj, Sandrine Mourey, u citua nga The Local duke thënë se “për ne është një mundësi për të menduar organizimin e punës ndryshe”, duke shtuar se kjo nuk do të thotë që të punohet vetëm në katër ditë të javës, por edhe në pesë ditë pune më të shkurtra për të ndihmuar familjet.
Franca i mbron me vendosmëri punëtorët e saj dhe jetën e tyre profesionale. Punonjësit francezë sërish ia dalin të ruajnë nivele të larta produktiviteti krahasuar me vende të tjera, pavarësisht pushimit në drekë dhe javës së punës ligjërisht më të shkurtër. Fast Company raportoi se francezët kalojnë zakonisht 24.8 vjet në pension, ndërsa mesatarja amerikane është 18.1. Në të vërtetë, mosha aktuale e pensionit në Francë është e ulët, në 63.3 vjeç.
Pandemia u ka mësuar kompanive shumë vitin e kaluar, kjo do të thotë se një mënyrë për të matur produktivitetin e punonjësve mund të jetë në aspektin e prodhimit dhe jo kohës së angazhimit. Mbetet për t’u parë në Francë se sa larg do të shkojë kjo ide gjatë javëve të ardhshme të zgjedhjeve presidenciale.
/ *Alex Ledsom, Forbes