Në kompeticionin US Open të këtij viti do të mungojnë disa nga sportistët më të famshëm, ndër të cilët veteranët Roger Federer, Rafael Nadal dhe Serena Williams, si dhe 27-vjeçari, Dominic Thiem, kampion i vitit të kaluar, për meshkuj.

Megjithatë, të dish se kush do ta fitojë turneun dhe çmimin e parë prej 2.5 milionë dollarësh nuk do të ndikojë në klasifikimin e tenistëve më të paguar në botë. Sepse, falë kontratave të sponsorizimit, ata janë më se të aftë të kompensojnë një rënie të mundshme të çmimeve të tyre në para.

Edhe këtë vit, Roger Federer, i cili nuk do të marrë pjesë në US Open, për shkak të një dëmtimi në gju, renditet i pari në klasifikimin e tenistëve më të paguar në botë, falë fitimit bruto në 12 muajt e fundit prej 90.6 milionë dollarësh, sipas llogaritjeve të Forbes. Nga kjo shumë, më pak se 1 milion dollarë vijnë nga të ardhura direkte nga bota e tenisit.

Naomi Osaka ka shënuar një rekord të ri, që me 60,1 milionë dollarë – nga të cilat 90% janë të ardhura jashtë fushave të tenisit, renditet e dyta në klasifikim.

Serena Williams, e cila po rikuperohet nga një dëmtim i kyçit të këmbës, renditet e treta, me 41.8 milionë dollarë. Top 5 mbyllet me Novak Djokovic (38 milionë dollarë) dhe Nadal (27 milionë dollarë), pavarësisht një dëmtimi në këmbë që do ta mbajë larg fushës deri në vitin 2022.

Dhjetë tenistët më të paguar në botë kanë fituar në total 320 milionë dollarë në 12 muajt e fundit, 6% më pak krahasuar me 340 milionë dollarë vitin e kaluar. Për shkak të pandemisë u anuluan disa kompeticione, të cilat do t’u siguronin çmime në para dhe komisione që shpesh u garantohen yjeve që vendosin të marrin pjesë të turnetë më të mirë. Duhet theksuar se rënia është kompensuar nga fitimet e regjistruara jashtë fushës, ku dhjetë atletët kanë fituar 281 milionë dollarë, në rritje me 4% krahasuar me vitin kaluar, pavarësisht se buxhetet e disa markave janë reduktuar për shkak të krizës së pandemisë.

Ky faktor është një luks që jo të gjithë në sport mund ta përballojnë. Lojtarët e tenisit, në fakt, në thelb punojnë si profesionistë të lirë, pa një pagë – një ekip apo një ligë – që t’i mbështesë ata në kohë të vështira. Dhimbja e anulimit të disa turneve gjatë 18 muajve të fundit shkon përtej çmimeve të humbura në para. Me përjashtim të disa prej yjeve më të mëdhenj, përfshirë Roger Federer dhe Serena Williams, disa marrëveshje sponsorizimi zakonisht përfshijnë ulje financiare nëse atletët nuk përmbushin disa kërkesa minimale në lojës.

Për shkak të situatës së vështirë, United States Tennis Association (Shoqata e Tenisit të Shteteve të Bashkuara) ka ndryshuar shifrat e çmimeve në US Open të këtij viti, për të ndihmuar tenistët e nivelit më të ulët, të cilët kanë më shumë nevojë. Në fakt, edhe pse fondi i përgjithshëm i çmimeve arriti një rekord prej 57.5 milionë dollarësh, çmimi për kampionin e turneut u ul në 2.5 milionë dollarë, 17% më pak se vitin e kaluar dhe 35% më pak në krahasim me vitin 2019. Nga ana tjetër, sportistët që humbin në raundin e parë do të marrin 75 mijë dollarë në vend të 61 mijë vitin e kaluar dhe ata që humbin në raundin e dytë, do të fitojnë 115 mijë dollarë, 15 mijë dollarë më shumë se vitin e kaluar.

Bëhet fjalë për një ndryshim që vjen në një moment të rëndësishëm tranzicioni për disa tenistë, duke qenë se disa yje po i afrohen fundit në karrierë. Në një anë, është Novak Djokovic, i cili mbetet ende dominues me tre tituj Grand Slam të fituar në 2021. Në anën tjetër është 40-vjeçari Roger Federer, i cili ka luajtur në vetëm 5 turne që nga shkurti i 2020-s dhe së fundi ka deklaruar në Instagram se ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale, që do ta mbajë për “shumë muaj” larg fushës, duke shtuar zërat për një largim të tij.

Forbes, Klasifikimi i 10 tenistëve më të paguar në botë

1. ROGER FEDERER
Fitime jashtë fushës: $90 milionë
Fitime nga fusha: $0,6 milionë
Fitimet totale: $90,6 milionë

2. NAOMI OSAKA
Fitime jashtë fushës: $55 milionë
Fitime nga fusha: $5.1 milionë
Fitimet totale: $60.1 milionë

3. SERENA WILLIAMS
Fitime jashtë fushës: $40 milionë
Fitime nga fusha: $1.8 milionë
Fitimet totale: $41.8 milionë

4. NOVAK DJOKOVIC
Fitime jashtë fushës: $30 milionë
Fitime nga fusha: $8 milionë
Fitimet totale: $38 milionë

5. RAFAEL NADAL
Fitime jashtë fushës: $23 milionë
Fitime nga fusha: $4 milionë
Fitimet totale: $27 milionë

6. KEI NISHIKORI
Fitime jashtë fushës: $19 milionë
Fitime nga fusha: $76 milionë
Fitimet totale: $95 milionë

7. DANIIL MEDVEDEV
Fitime jashtë fushës: $8 milionë
Fitime nga fusha: $5.9 milionë
Fitimet totale: $13.9 milionë

8. DOMINIC THIEM
Fitime jashtë fushës: $4 milionë
Fitime nga fusha: $4.9 milionë
Fitimet totale: $8.9 milionë

9. TEFANOS TSITSIPAS
Fitime jashtë fushës: $4 milionë
Fitime nga fusha: $4.1 milionë
Fitimet totale: $8.1 milionë

10. ASHLEIGH BARTY
Fitime jashtë fushës: $2 milionë
Fitime nga fusha: $3.8 milionë
Fitimet totale: $5.8 milionë

/ Forbes