1.

Një nanë ka ndrrue jetë në Vuthaj të Plavë-Gucisë, me 24 tëgushtit 2021, bash në vitin e 84-të të lindjes së saj. Ajo iku papritur, si engjëll, ishte një nga njerëzit e mirë, me shpirt tëpastër, me botë të madhe, është Shiqere Balidemaj-Gjonbalaj,çikë e Balidemjave të Martinajve e nuse në Gjonbalaj tëVuthajve, tek Rexhep Shpend Gjonbalaj.

E kishim në projektim që “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021” e “Gazeta e Alpeve”, ta nderonin Shiqere Gjonbalaj me Çmimin eLartë “Nanë Fisnike e Alpeve Shqiptare”, po katër aktivitivete nacionale në ato dy ditë tejet të ngarkuara e me miq të shumtë na e morën kohen përplot pa na lanë hapësirë për me shkue e ma ia dhanë atë Mirënjohje tek kulla e Rexhep Shpend Gjonbalajt, tek kulla e saj. Aty, ku edhe unë, dikur, ma heret, para disa vitesh, e kam pi një kafe ndeje, një gotë qumësht me fli e mjaltë. E sa do të doja që në Fjalën e Lamtumirës të sotme ti përmendej edhe ky titull, (po, sidoqoftë, nuk muj e la pa e përmend edhe unë nëmedia), të cilin e ka meritue vet me kohë me punërat e shembullin e saj, ia dhanë prej kaherit vet vuthjanët e plavë-guciasit e vendlindjes, si dhe në Amerikë e në Europë.

E cka asht ajo ma e mendueshmja për mirë: e besonim me bindje të fortë se Nanë Shiqere Gjonbalaj ka me jetue gjatë, ka me e kapërcye dekaden e 9-të, e ka me u ba shekullore. Sikurse i vllau i saj, Rexhep Gali Balidemaj në Amerikë, që është 98 vjeçtuj fol pleqni e histori sikur të ishte në kuvend burrash nëMartinaj, tuj ecë sikur të ishte ká shkon në selinë e OKB-së nëNju Jork, të cilit ia kam kushtimue dhe një poezi “Rexhep Gali Balidemaj, tek Statuja e Lirië”.

Edhe unë fola me Nanë Shiqere Gjonbalaj kah fundi i korrikut 2021. Ishte koha kur po organizonim, me 1 gusht, nështëpinë e kulturës në Vuthaj: “Takimin e Plavë-Gucisë, 2021” dhe, atëherit, kishte ndonjë ditë e disa orë/dite që ia merrjaEsadit nga pushimet e verës, e– tashti, pasi na iku, po them – edhe nga Nana Shiqere! E, pra, fola atë ditë korriku prej Tirane me Nanë Shiqere Gjonbalaj në Vuthaj: E kishte zanin Gërlë. E kishte Fjalën bjeshkë alpine.

Nuk vdesin nanat, o Esad! As nana e jote Shiqere, ajo Nanëmadhe. Nuk vdes kurrnji nanë, po vecanaraisht ato nana si Nanëmadhja Shiqere Gjonbalaj. Se nanat, nanëmëdhajat, që tëmbajnë 9 muaj në barkun e vet, kur ikin nga kjo botë lartësohen në qiell e të yllësojnë në rrugën tande, vijnë e hyjnë në shpirtin tand për 900 vjet, për 9 mijë vjet e të bajën edhe ma të mirë, e tëmbajnë edhe ma të fortë.

Nuk vdesin nanat, o Esad, se çdo ditë e ka emnin: NANË…!

2.

Sot m’u kujtue diçka që kurrë nuk e dita përveti, nëvetveten time: kush ishte i pari në Martinaj që e pagëzoi me emnin Shiqere, kush e thirri i pari në djep me emnin e jetës: Shiqere. Përndryshe, duhet thanë se ai paska ditë shumçkaardhmërie për këtë çikë të Martinajve, se në këtë emën paska pasë edhe diçka hyjnore, se emni i saj është CV-ja e sajkryefjalë, se Nanëmadhja Shiqere, sic e kishte emnin e vet e kishte dhe Fjalën, edhe Punën, edhe Zemrën, edhe Shpirtin, edhe Mikëpritjen e Humanizmin e saj.

Ajo ishte e mbetet një Nanë e Madhe, një Nanëmadhe, se i lindi e i rriti fëmijët e saj të mrekullueshëm, secili ma i mirë se tjetri, secili me emën të mirë e punëra të mira për veti e kombin: Edhe Fazlia. Edhe Zymeri. Edhe Esadi. Edhe Ismeti. Edhe Sulltanja. Edhe Drita e ndjerë, Drita e ylltaë, që iku shumë herët nga kjo botë: 23 vjeçare, tash mbi 35 vite). Ajo i ka lanë PesëYje. Dhe plot nipër e mbesa. Një yllnajë e madhe.

Në koft se lypën poetë e poetesha ato do t’i gjesh si rrallkund në Vuthaj, në Alpet Shqiptare, sepse është vet natyra e mrekullueshme, me njerëzit e saj të mrekullueshëm, që i ban të tillë,  në çdo vllazni e fshat, në çdo shtëpi.

Një prej tyne asht edhe Shiqere Balidemaj-Gjonbalaj. Një poete elegjiane e pazakontë. Në zërin e krijimtarinë e saj qëndron e jashtëzakonshmja, e madhërishmja, tragjikja, heroikja. Ajo ishte një vajtore e rrallë. Shumë e rrallë. E përjetuar. E përjetësuar. E thotë një nga djemtë e çmuar tëKelmendit, një nga shpirtmirët e punëmëdhenjtë e Plavë-Gucisë, Kelmend Ahmetaj i Vuthajve, e thotë në ngushëllimin e tij vetjak e publik, se “Nënë Shiqerja ishte vajtorja e fundit e Plavë-Gucisë, se ajo “ishte Nënë nga Buka sepse qindra herë hëngrëm bukë nga duart e saj”, se Ne- Vuthajt e Plavë-Gucia: “humbëm një nënë malësore punëtore e burrnore”.

Nanëmadhja Shiqere Balidemaj-Gjonbalaj me vajtimet e saj,me elegjitë e saj, ka hyrë dhe në filma e dokumentarë tëregjisorit të madh shqiptar, Isa Qosaj, pedagog, laureat i disa çmimeve në festivale ndërkombëtare, si në Festivalin e Filmit nëKanë (Cannes, Francë), etj, që me filmin “Rojat e Mjegullës”, me fuqinë viziuale, guximin e trajtimin e vuajtjes sëjashtëzakonshme të shqiptarëve në kohën e represionit tejet tëmadh komunist “e tronditi RSFJ”. Në dokumentarin e mirënjohur “Muzgu i trojeve Tona” të regjisorit Isa Qosaj ajo del në një video duke vajtur, ndërsa në një film të tij artistik me metrazh të gjatë ka një sekuencë vajtimi të Nanëmadhes Shiqere Gjonbalaj, ku ajo shfaqet me një vajtim, me një elegji të veçantë“Vajtimi i Emigrimit”, të cilën e këndon me shpirt vajtorje sepse edhe fëmijët e saj i ka mërgimtarë në Amerikë, se Ajo me tëshoqin Rexhep Shpendi Gjonbalaj janë trojenik në Vuthaj, që e mbajnë derën e kullës hapë, që e mbajnë sofren e kulllës shtruar, që në oxhak del tym e në dritare ndizen dritat e (mbi)jetetës. Regjisori i madh Isa Qosaj nga Vuthajt, thotë se “më ka frymëzuar edhe Nënë Shiqerja”. E cila ishte e mbetet njëNanëmadhe e Plavë-Gucisë.

Tashti unë e kuptoj edhe ma shumë e ma mirë se si Esad Gjonbalaj ka arritë të jetë editor i portalit “Plava e Gucia Sot”, të jetë autor i  disa studimeve e dhjetra shkrimeve të ndryshme, të jetë kaq humanist, të arrjë të jetë edhe themelues e nja dy herë dhe President i Fondacionit Plavë-Guci në Amerikë. E ka dhe genetike nga Nanëmadhja Shiqere, e ka dhe në gene të trollit tëvet, të fisit të vet, të krahinës së vet të Plavë-Gucisë.

E jashtëzakonshmja Nënëmadhja Shiqere Balidemaj-Gjonbalaj, në 2 nëntorin 2015, në Amerikë, në Institutin me renomene botërore të syve, në Cincinnati Eye Institute OH(Ohajo) sëbashku me djalin e saj, Esadin tonë, kryen njëintervenim të planifikuar mjekësor. Asokohe, Nanëmadhja Shiqere Gjonbalaj, 79 vjeçare, kishte ardhë nga Vuthajt e Plavë-Gucisë, për t’i dhuruar djalit të saj qeliza të syrit të vet, apo, ndryshe, siç iu tha mjekëve të atyshëm “për djalin tim jap dhe frymën e fundit të jetës”. I shkëlqyer ishte dhe dr. Edward Holland, me famë botërore në lëmin e oftalmologjisë, të cilit iapata kushtimue atëherit edhe një poezi mirënjohjeje.

Nanëmadhja Shiqere Balidemaj-Gjonbalaj është çikë e Martinaje e nuse në Vuthaj, është nga këto dy kështjellat shqiptare të mos-asimilimit në krahinën e sotme të Plavë-Gucisë, se edhe në dy kullat e saj nga fëmijet e deri tek stërnipat në Martinaj e në Vuthaj të gjithë flasin Shqip, ligjërojnë Shqip, jetojnë Shqiptarisht. Dy bashkësitë Vuthaj e Martinaj janë dy fshatra të mëdha në Malin e Zi ku ende frymohet Shqip, ku në të gjithë territorin e tyre gjeofizik e administrativ jetojnë vetëm shqiptarë, se këto treva shqiptare kanë pasë e kanë Nënëmëdhaja si Shiqere Balidemaj-Gjonbalaj.

Sot, ndjesë, Rexhep Shpendi i Gjonbalajve, edhe ju:- Esad, Fazli, Zymer, Ismet e Sulltane,  edhe ju nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, sepse nuk mujta me ardhë nga Tirana në Vuthaj nëkëtë Ditë Lamtumire të 25 Gushtit 2021 për Njeriun Tuaj të Shtrenjtë! Po, siç po e shihni edhe vet, sot, pikërisht sot, erdhi tek unë, edhe këtu në Tiranë, Nanëmadhja Shiqere Balidemaj-Gjonbalaj dhe u ba pjesë e këtij shkrimi përkushtimor, u ba kryefjala, prologu e epilogu i këtij shkrimi rasti, sepse Nana të Mëdha të Kështjellave Shqiptare si Vuthajt e Martinajt, se Nanëmëdhaja si Shiqere Balidemaj-Gjonbalaj nuk vdesin kurrë, jetojnë gjatë, jetojnë përgjithmonë.

E, në përmbyllje të shkrimit tim, po ta them, prapë: Nuk vdesin nanat, o Esad, se çdo ditë e ka emnin: NANË…!

Tiranë, 25 gusht 2021