Këto ditë gushti,  eshtrat e patriotit dhe veprimtarit të shquar të Shqipërisë etnike, Demë Ali Pozhari do të prehen në vendlindjen e tij, në Pozhar të komunës së Deçanit, në Kosovën e lirë dhe të pavarur, aty ku ai si i ri e nisi luftën për çlirimin e saj.
Demë Ali Pozhari del nga një familje e madhe që ka sakrifikuar shumë gjatë historisë për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuest e shumtë, të hershëm dhe të vonshëm, kundër Perandorisë Osmane dhe kundër Serbisë e Malit të Zi. Familja Pozhari ka një të shkuar përplot luftëra, ku në beteja të ndryshmë kanë rënë dëshmorë shumë burra të saj. Stërgjyshi i tij, Ali Rexha me të vëllain Bekën me 1876 ranë heroikisht në mbrojtje të trojeve shqiptare te Kalaja e Nishit, gjyshi i tij, Mehmet Ali Pozhari me 1878, bie në luftën kundër Maxhar Pashës në Gjakovë
I lindur në fillim të shekullit XX, Demë Ali Pozhari merr një arsimim të kohës që atij i mundësoi ta njoh historinë dhe sakrificën e popullit shqiptar për liri.
Në vitin 1941, pas rënies së Jugosllavisë serbo-kroato-sllovene, emrohet nënprefekt në Rozhajë. Nga këtu, ai me shumë patriotë të tjerë shqiptarë organizuan mbrojtjen e Pazarit të Ri, Plavës e Gucisë nga hordhitë çetnike serbo-malazeze. Ai ishte krah për krah me Shaban Polluzhën e Mehmet Gradicën, me Ali Bajraktarin e Junikut, me Haxhi, Malë e Adem Bajraktarin e Vranocit, si dhe me Mulla Zekë Bërdynen e Kurt Bajraktarin e Radacit dhe me atdhetarë të tjerë nga Kosova. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Demë Ali Pozhari me shumë atdhetarë të tjerë pas një rezistence katër vjetësh kundër pushtuesve dhe komunistëve jugollavë, detyrohet ta lëshojë Kosovën. Ai u vendos në Stamboll të Turqisë deri në vdekje, ku eshtrat e tij po kthehen tash në vendlindjen e tij.
Për shkak të rezistencës dhe veprimtarisë patriotike, regjimi komunist jugosllav, pas vitit 1945 i hakmerret, duke i vrarë djalin e madh, Miftarin, 23 vjeç në vitin 1946. Po këtë vit i digjet kulla dhe plaçkitet deri në gjënë e fundit, ndërsa anëtarët e familjes ia dërgojnë në burgun e Gjakovës. Në vitin 1952 UDB-a serbe i helmoi dy djemtë e tij që ishin nxënës shkolle dhe  nipat e Haxhi Bajraktarit te Vranocit, dhe nga ky helm të dy humbën jetën.

Demë Ali Pozhari u nderua me Urdhërin “Nderi i Kombit” pas vdekjes nga presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dhe nga presidentja e Kosovës Atfete Jahjaga me “Urdhërin e Lirisë”.

Kthimi i eshtrave në vendlindje në Pozhar, ishte dhe amanet i tij.