MENDIME TË SERTA
Bëhen dredhë mendimet
Hapësirës pafund nëpër shllunga resh
Deri në infinit
Syri aty ndal udhëtimin
Ngatërrohen rrugët vetëtimave
Vargu dënes lagështimit i tmerruar
Desh e vrau etja për dashuri
Kudo i lënduar…
Edhe në këtë hapësirë kozmosi lëmsh
E si të ndryshojmë këtë botë
Me mllefin e vargut të helmuar
Poshtë e lartë…
Ne ikim
Ikën edhe koha, mbetur peng mendimi
As pendimet nuk ngushëllojnë shpirtin
Mendime të serta, rikthehen buzëqeshjet në ëndërr
Të rraskapitura lodhjeve të çmendura
Mbështillen në cukla shpresash
Ngrohen në avullin e lotit si guri
Nuk mbyllen sytë pa shikuar qiellin
Si në mëshirë, nuk di të kujt…
Ne do ikim me kohën e stinëve të djegura
Vetëm në dritat e syve do digjet dashuria
Pastaj rrugët mbesin brazda kohe
Si hieroglifë, që rrëfejnë të shkuarën…
Gjakovë, 29 Qershor ,2021
GJUMI MASHTRUES
Më kishte zënë gjumi ankthshëm
E kishte mashtruar lodhja e gjatë
Rrugëve të mykura, plot alga të lagshta
Mendimet shtyheshin pa dashje
Nëpër flakë të kohëve , udhëtonin pa frymëmarrje
Si në ëndërr, do përkëdhelje fluide flokëve
Butësive të poreve rrëshqiste miklimi
Mashtroheshin qepallat e egërsuara
Rrjetës së merimangave, tavanit të çarë
Arkitekturë e rrallë helmuese…
Pastaj gjumi mashtrues ishte shtrirë
Trupit të cullakuar pa drojën e tradhtisë
Duke lexuar pëshpërimat e ëndrrave të mllefosura
Në gjuhën e paditur, paketuar në rafte bibliotekash
Sa lulishte të bukura përfytyrimet e mia të marra
Buzëqeshje dëshirash sajohen buzëve të grimcuara
Kumonë e varur në qafë griçe tingëllojnë
Ëndrrat ikin së bashku me gjumin e rëndë
Do zëra të tjerë shprushin zjarr kokës time të lodhur
Po frynë një tjetër erë…
01 Korrik 2021