Raundi i një të tetave të Euro 2020 la një mori skuadrash të mëdha, “viktimë” në fushë. Mjafton të mendojmë se vlera totale e skuadrave të eliminuara, sipas vlerësimeve të faqes së specializuar Transfermarkt, arrin në 4.5 miliardë euro (pak më pak se ekipet fituese, vlera totale e të cilëve është 4.57 miliardë).

Thuajse një e katërta e kësaj shifre vjen nga Kombëtarja e Francës, një nga ekipet e mëdhenj të zhgënjyer të këtij kompeticioni, me vlerë 1.03 miliardë euro. Pak më tej, Gjermania (936.5 milionë), ekipi i dytë kombëtar për vlerën totale në treg, i cili u eliminua para kohe nga turneu. Podiumi mbyllet me Portugalinë e Cristiano Ronaldo, në kuotën 827.5 milionë euro.

Franca, ekipi 1 miliard euro i eliminuar

Ndër kampionët e botës në fuqi, është e pamundur të mos vësh re që, ai i cili humbi penaltinë vendimtare kundër Zvicrës ishte pikërisht Kylian Mbappé, sulmuesi 22-vjeçar i Paris Saint-Germain, i cilësuar nga shumë si pasardhës i CR7 dhe Lionel Messi. Këto pritshmëri vërtetohen në vlerësimin e kartonit të tij – 160 milionë euro, si dhe paga e konsiderueshme që e rendit të 31-in në Klasifikimin e Forbes si sportistët më të paguar në botë, me 40 milionë dollarë fitime mes pagës (14 milionë) dhe aktiviteteve jashtë fushe (26 milionë).

Nga Euro 2020 dje u eliminua edhe Gjermania, e mundur nga Anglia 2-0. Edhe në këtë rast, lojtarët e mëdhenj nuk mungojnë, me në krye, mesfushorin e Bayern Munchen, Joshua Kimmich (vlera e kartonit të të cilit është 90 milionë euro). Shoku i tij i skuadrës, Leon Goretzka, është i dyti më i vlerësuar, së bashku me Serge Gnabry dhe Kai Havertz, me 70 milionë. Por nëse në sfidën kundër Hungarisë, Goretzka i shpëtoi gjermanët nga eliminimi në fazën e grupeve, me një gol vendimtar, nuk mundi të bëjë dot gjë kundër Harry Kane dhe ekipit të tij.

CR7 i thotë lamtumirë Europianit

Edhe ekipi i Cristiano Ronaldos, sportisti i tretë më i paguar në botë (130 milionë dollarë të ardhura), i dha lamtumirë Kampionatit Europian. Dhe me të, edhe talente të çmuara si Joao Felix, 21-vjeçari i Atletico Madrid, i vlerësuar 80 milionë, dhe Bruno Fernandes, i cili luan te Manchester United, 90 milioni euro.

Ekipi i Holandës, pas një paraqitje dominuese në fazën në grupe, u eliminua përballë skuadrës së Republikës Çeke. Ekipi i tulipanëve, 607 milionë euro, ishte i pari ekip i madh që ra, dhe këtë e bëri me zhurmë. Në ekipin e Holandës bëjnë pjesë lojtarë mjaft të vlerësuar, por autorë të një Europiani shumë zhgënjyes – duke nisur nga mesfushori i Barcelonës (vlera e kartonit të të cilit është 90 milionë), ndjekur nga Matthijs de Ligt (75 milionë) dhe Stefan de Vrij (50 milionë). Sulmuesi Memphis Depay, i vlerësuar me 45 milionë euro, është ngushëlluar me nënshkrimin e një marrëveshje
dyvjeçare me Barcelonën.

Ndër ekipet e eliminuara nuk mund të mos përmendim edhe nënkampionët e Botës, Kroacinë, skuadra e së cilës vlerësohet më shumë se 376 milionë euro. Kroacia u mund në përballjen me Spanjën, në një ndeshje e cila përfundoi 5-3 me kohë shtesë. Austria, me vlerë 320 milionë euro, e bëri Italinë të vuajë. Klasifikimi i ekipeve të eliminuara në fazën e një të tetave mbyllet me Suedinë (215.05 milionë euro) dhe Uellsi i Gareth Bale (176.5 milionë euro).

/ Forbes Italia