Prioritet për politikën e jashtme bullgare mbetet mbështetja për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Jemi të vendosur për ta vazhduar dialogun me RMV-në dhe jemi të fokusuar për gjetjen e zgjidhjeve pragmatike, të qëndrueshme dhe të pranueshme për sfidat e trashëguara nga e kaluara”, thuhet në komunikatën e MPJ-së së Bullgarisë.

Në këtë komunikatë sqarohet se për çka është obliguar pala maqedonase në takimin e fundit më 17 Qershor, gjatë takimeve të Kryeministrit Zoran Zaev me Presidentin Rumen Radev dhe Kryeministrin teknik, Stefan Janev.

Sipas Ministrisë së Jashtme bullgare, pala maqedonase ka shprehur gatishmëri që në afate sa më të shkurtra, të konfirmojë para OKB-së se emri RMV nuk e shënon rajonin gjeografik Maqedonia e Veriut, që gjendet në Bullgari.

Obligimi i dytë është se Maqedonia do të ndalojë me pretendimet minoritare ndaj Bullgarisë duke konfirmuar se nuk ka baza historike, etnike dhe të tjera për të kërkuar status minoritar.

“RMV-ja përfundimisht t’i tërheqë kërkesat e saj për pakicat në Bullgari, duke konfirmuar se nuk ekzistojnë baza historike, etnike e të tjera për të kërkuar status të pakicës për çfarëdo grupi të njerëzve që nuk janë qytetarë të saj në territorin bullgar. Kjo do të ishte konform klauzolës për mospërzierje në punët e brendshme të Bullgarisë, vërtetuar në Nenin 11 paragrafi 5 nga Marrëveshja e vitit 2017”.

Pika e tretë është që RMV-ja të fillojë procesin e rehabilitimit të viktimave të komunizmit jugosllav që kanë qenë të torturuar në territorin e saj për shkak të ndjenjave bullgare.

Është ndërmarrë obligimi, siç njofton MPJ e Bullgarisë, që Maqedonia me Bullgarinë ta adaptojnë përmbajtjen e programeve mësimore që në mënyrë objektive të tregohet historia e përbashkët, si element qendror në preambulën e marrëveshjes për fqinjësi.

Dhe e fundit, identifikimi dhe mënjanimi i përbashkët i tabelave dhe mbishkrimeve në territorin e Maqedonisë që përhapin urrejtje ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

MPJ e Bullgarisë thotë se Ministri i Jashtëm Svetlan Stoev tashmë i ka dërguar një letër Ministrit Osmani ku ka përmendur se pret të plotësohen obligimet e marra ndaj Bullgarisë.