Poeti Mhill Marku mes dy redaktoreve te librave te tij, Ndue Dragusha majtas, e Zeqir Lushaj

POETI I NDJENJËS SË BUKUR, KRIJUESI I PALODHUR DHE NJERIU SHEMBULLOR, MHILL MARKU
-Në ambientet e lokalit “ARDA” në qytetin e Shëngjinit
 
Nga Ndue Dragusha
 
I nderuar z. Mhill Marku,

Të nderuar pjesëmarrës!

Në momente të tilla, ku bashkohet dashuria me pasionin, ku krijimtaria bëhet pjesë e komunitetit, ku vlerat marrin trajta të veçanta dhe cilësore, ku bukuria e jetës merr ngjyra më ylberike, ku dhimbjet kthehen në forcë, domosdoshmërisht që secili e ndjen veten krenar mes miqsh, mes krijuesish, mes kolegësh dhe thith nektarin e ëmbël të dashurisë njerëzore në një simbiozë me Hyjnoren. Dhe jo çdokush mund ta arrijë një gjë të tillë, përveçse krijuesit e artit, të cilët e sjellin pikërisht këtë freski dhe dashuri si një pranverë e këndshme edhe në kohë të vështira, siç është rasti i sotëm me poetin e ndjenjës së bukur, krijuesin e palodhur dhe njeriun e mikun shembullor, z. Mhill Marku, i cili pasionin për artin dhe kulturën në përgjithësi e kthen në një gjë të prekshme, konkrete, nxitëse, frymëzuese, si një rrezatim diellor për çdo shpirt.

Ftesa e tij sot, më bëri të deduktoj dhe të kujdesem që prezenca ime të mund të bëhet një shkëndijë dashurie mes të gjithëve Ju, miq të nderuar krijues dhe dashamirës të artit të bukur të krijimit, të ndiej më shumë përgjegjësinë e fjalës dhe të jem sa më realist në atë që do të shpreh për krijimtarinë e mikut tonë, poetit Mhill Marku.

Mhill Marku radhitet ndër ata poetë që kanë krijuar tashmë individualitetin e tij krijues, duke qenë konkret në mendimet dhe subjeket e krijimtarisë së tij, ku ka synuar që nëpërmjet imagjinatës së tij krijuese dhe fantazisë të transmetojë tek lexuesit dije dhe mesazhe jetësore të vlefshme për secilin prej tyre. Më përpara se filozofët, kanë qenë poetët, të cilët kanë ushqyer shpirtërisht popujt, duke i ushqyer me imagjinatë. Dhe imagjinata krijuese e Mhill Markut konfigurohet mbi bazë të një sensi harmonie, ekuilibri, mase, limiti. Krijimtaria e tij ka brenda motivimin, ku përpiqet që t’u japë shkak gjërave, duke bërë përpjekje që të ushqejë mentalitetin popullor shqiptar për të kërkuar parimet bazë tek gjërat. Menjëherë, sapo të lexosh poezitë e poetit Mhill Marku do të bindesh se kemi të bëjmë me një poet me një stil krejtësisht të veçantë, me një trajtim të gjetjeve në mënyrë tregimtare, bindëse, me material të marrë nga jeta, nga realiteti social, por veçanërisht për qëndrimin e tij ndaj krijimtarisë artistike poetike, ku sjell fabulën në mënyrë panoramike, të skeduar mbi një “telajo” inteligjente të shfaqjes.

Mhill Marku, autor i 6 librave, gjithnjë e më tepër po afirmohet si poet i sigurtë në rrugën e tij krijuese, me ide të qarta dhe me një metodë shumë transparente të shfaqjes me mendimin.

Poeti gjithnjë ka sensin për të sjellë lexuesin në “hullinë” e dashurisë, e cila qëndron në themel të të gjithë krijimtarisë së këtij poeti. Ai është aq i lidhur me detin, me një dashuri të pashkëputur, me të cilin flet si me një të dashur të paharrueshëm, ndjen, tronditet për shqetësimet e detit, për nëndetëset, për kolegët e tij marinarë e oficerë, që gjithë jetën ua kushtoi me pasionin e njeriut të dashuruar thellësisht me profesionin. Kështu bën poeti Mhill Marku, që poezinë e ka si ushqim të përditshëm, një prirje e përgjithshme e krijuesve të mirë, të cilët jetën e vështrojnë drejtpërdrejt, që u japin shpirt gjërave në rrjedhën jetësore, me përdorimin e elementeve të saj në dobi të jetës dhe të dashurisë.

Poeti Mhill Marku është i ndërgjegjshëm për kërkesat e krijimtarisë poetike me të gjitha trazirat dhe problematikat e jetës, me alterimet figurative, me stilemat, metaforat, përdorimi i tropeve letrare, gjallëria e lëndës së punuar dhe emocioni jetëdhënës në çdo poezi.

Realitet artistik emocional, që paraqet poeti, është dashuria, e cila qëndron në bazë të gjithçkaje dhe që të jep forcë motivuese, transformuese dhe të bën ta ndjeshë jetën duke pulsuar energjikisht në të gjithë krijimtarinë e tij.

. Lëndën më së shumti e ka marrë nga jeta dhe puna e tij në det, si oficer marine, nga origjina e tij mirditore, ku spikasin aludimet dhe mençuria e mendimit, nga Zadrima e traditave dhe e besimit, nga trevat veriore dhe sidomos ato të Vlorës, ku jeta e tij u mbush me pjalmin e mendimit dhe dashurisë së vlonjatëve trima dhe besnikë, të fjalës dhe të besës, të qytetarisë dhe të miqësisë. Aty ka shtruar dhe “shtratin” e numrit më të madh të krijimtarisë së tij, por nuk harron dhe racionalitetin e mendimit të trevave të tjera, çka i jep kolorit dhe fleksibilitet mendimit.

Ka një dendësi të jashtëzakonshme të imazhit figurativ të “pikturuara” në memorien e tij dhe që ja dhuron lexuesit. Shpesh ndonjë poezi ka një shtrirje me shumë vargje, por që krijon një strukturë dramatike me një intrigë shumë domethënëse që tërheq, si një angazhim serioz të tij në raport me lexuesin, në formën e një paralelizmi figurativ, për të ndriçuar ato realitete të panjohura të botës së personazheve që veprojnë brenda librit. Gjatë gjithë librit, në të gjitha poezitë, shfaqet një dinamikë e gjallë, që ja bën shumë më të këndshëm leximin çdo lexuesi.

Ky model i strukturës së poezive dhe konfiguracionit të librit, si një dëshmi e gjallë e realiteteve që ka përjetuar poeti, kushtëzon “borxhin” ndaj dashurisë, ndaj mbresave dhe atmosferës së imazhit të dhënë, si pasuri e atmosferës krijuese dhe deduktimit përsiativ. Sido që të jetë, poezia e poetit Mhill Marku flet për një nivel shumë të lartë perceptimi dhe transmetimi emocional tek lexuesi dhe që nxit frymëzim dhe dashuri tek ai.

Por edhe në librin e tij “Kujtime që jetojnë gjatë”, i vetmi libër në prozë, Mhill Marku na vjen me një përmbledhje kujtimesh, historishë të jetuara dhe ngjarjesh që kanë mbetur ndër vite në kujtesën e tij. Kjo e bën shumë më interesante kërshërinë e secilit për të lexuar dhe përjetuar ato që janë shkruar në libër, për të ndjerë pulsin e shumë jetëve, individuale apo kolektive dhe për të sjellë në kujtesë ngjarjet nga jetët tona, të cilat na vijnë pasi të kemi lexuar këtë libër. Janë unike dhe mbetën gjithmonë të bukura. Është vetë jeta reale, si një biografi e “humbur” e asaj kohe legjendë, kohë në të cilën të gjithë punonin, mendonin dhe vepronin në një unitet social, por edhe nën frikën e persekutimit, privimit të lirisë, pavarësisht në se je apo jo hero i punës apo i luftës.

Tek  fryma e këtij libri vjen natyrshëm ai realitet luftarak, ai pasion dhe ajo dramë sociale, por dhe heroizmi, ndienja e detyrës, patriotizmi i palëkundur si një shenjtëri apostolike, ajo vendosmëri për të mos u dorëzuar, për të mos mbetur prapa, por i guximit luftarak brenda një betimi shpirtëror.

Përjetimet që vijnë nga ky libër gjatë leximit, për ata që e kanë jetuar këtë kohë dhe madhështore, dhe tragjike, janë vërtetë të mëdha, janë lotë dhe krenari, janë afirmim i asaj që koha e la pas, duke ua fshehur meritat atyre që donin atdheun, vendin, traditat dhe pavarësinë.

Edhe pse autori tregon realisht atë çfarë ka ndodhur, duke personalizuar të gjithë ata bashkëpunëtorë dhe bashkëvuajtës, në kushte shumë të vështira, por që dhe në ato kushte, brenda tyre kishin një shpirt të paepur, vendosmëri maksimale dhe përgjegjësi thellësisht të madhe, ai flet me devocion dhe përkushtim familjar për njerëzit e tij, të traditës, për prindërit, për gruan dhe fëmijët, për vëllezërit, motrat, nipat dhe mbesat aq të bukur, që vijojnë të vijnë si re të bardha dashurie në shpirtin e kujtimeve të autorit.

Narracioni është pa stisje, ka një gjuhë të kuptueshme, racionale dhe shumë tërheqëse. Autori ka arritur që të japë si një pikturë të gjallë portretin e secilit personazh nga jeta reale.

Arti i krijimit të së bukurës nuk është lehtësisht i pranueshëm, në se individi përqaset në idenë e unifikimit të individualiteteve dhe të identiteteve në një botë ku lulëzon një fluks i madh energjishë krijuese.

Përshfaqjet energjike dhe vrulli e shpejtësia me të cilën krijuesit pasqyrojnë respektivisht botën, krijon alternativa të besueshme lidhur me përmbajtjen e një jete mbi kontradikta, urrrejtje dhe dashuri, brenda kulturave dhe rrymave të ndryshme. Janë pikërisht njerëzit me iniciativën e tyre, me shpirtin krijues dhe forcën bindëse të ideve që bëjnë shpesh të kuptohet se e tashmja dhe e shkuara janë të pranishme tek e ardhmja.

Vlerat e poezisë së poetit Mhill Marku reflektojnë kulturën e trashëguar ndër shekuj e deri në ditët tona, sjellin mrekullinë e filozofisë popullore, mençurinë dhe dialektikën e kohrave në emancipimin social të brezave. Vetë poeti është i lidhur me detin, si një oficer marine, rritur mbi dhe nën ujë të detit, nga ku është mbrujtur me kripën e detit, me të cilën ka marrë shijen elegante të “kripës” së mendimit të koncentruar, të çiltër dhe të mbushur veç me dashuri.

Poezia e Mhill Markut na nxjerr në dritë shumë motive të mençurisë popullore, që lidhen veçanërisht me marrëdhëniet me prindërit, me shoqërinë, me realitetet historike dhe me vijimësinë e traditave. Por tek poeti shfaqet një nostalgji, një mall i madh për detin, për anijet, nëndetëset, të cilat i personifikon dhe t’i sjell si qënie të gjalla, që flasin, heshtin me dhimbje, ndiejnë dhe japin emocione, korrelojnë me shpendët e gjalla si pulëbardhat, që fluturojnë mbi detin e pastër, pastërtia një simbolikë e heroizmit dhe krenarisë kombëtare, që e ruajnë pa u lodhur bijtë e këtij trualli luftëtar e patriot.

Është diçka e veçantë dhe surprizë poezia e Mhill Markut, sepse brenda çdo poezie, ai sjell një univers, një jetë, sjell lotin e pastër, dashurinë e çiltër, vendos shpirtin aty dhe e shfleton atë ngadalë, duke të ngjallë emocione të forta. Ai gjithashtu të sjell zemrën dhe mendjen e tij të kripur me mençurinë e ushtarakut të karrierës, e mirditorit guximtar dhe krenar, e orikumasit burrëror, besnik dhe i dashur, cilësi që janë mbrujtur jo vetëm në shpirtin dhe mendjen e poetit, por na ndihmon dhe ne dhe ata që do të vijnë pas nesh që t’i kuptojnë dhe të përpiqen t’i trashëgojnë me dashuri dhe vendosmëri.

Buzëqeshja poetike e poetit shkon në një linjë me buzëqeshjen metaforike të detit, me suksesin, që arrihet pas vështirësive të shumta, ku triumfon ndërgjegja dhe përgjegjësia e detyrave.

Për vlerat e poezisë së poetit Mhill Marku mund të shkruhet shumë, pasi poezia e tij ka muzikën e duhur, secila prej tyre sjell aromën e jetës në dallgëzimin e saj, e kuptueshme, e ngarkuar me vlera filozofike, me kumt psikologjik dhe social, duke të dhënë modelet e duhura respektive nga secila prej krijimeve të tij dhe duke të “mbërthyer” në suportin e tyre intelektual.

Urojmë poetin për këtë krijimtari kaq të bukur dhe shpresojmë që krijimtaria e tij të jetë në vijim përherë, me të gjitha ndjesitë dhe impaktin emocional që të jep, me libra të tjerë për bibliotekat tona, për çdo lexues.

Më mbetët që t’i uroj shumë suksese këtij poeti kaq produktiv në krijimtarinë e tij dhe lexuesit lexim të këndshëm. Nuk do të zhgënjeheni!

Milioneri Avni Ponari pershendet takimin ne promovimin  e librave te poetit Mhill Marku.

Gjenerali Skender Doci, 85 vjecare, ka ardhur nga Tirana per kete promovim ne Shengjin. Meriton nje falenderim te vecante.

(Foto: nga Zeqir Lushaj. Shengjin, fund-maji, 2021)