Intervistoi: Armend PRETENI.
Ëndrra e Bleona Qeretit, për të qenë këngëtare e njohur edhe përtej trojeve shqiptare, filloi në vitin 1996.
Në fakt ajo filloi të këndonte në moshën pesë vjeçare, në Shtëpinë e Pionierit, ndërsa kur ishte vetëm 14 vjeç, Bleona fitoi audicionin ne teatrin “Skampa” si këngëtarja kryesore.
Një vit më vonë, do të publikonte këngën e saj të parë, “Lermeni” (1996), për të vijuar me albumin debutues “Kam qejfin tim”, i cili u mirëprit jashtë mase nga publiku shqiptar.
Bleona është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Pas një sërë suksesesh me këngë, albume, e turne, në trojet shqipfolëse dhe diasporë, këngëtarja vendosi që karrierën e saj ta ngrinte në një nivel tjetër, të cilin e kishte dëshiruar gjithmonë.
Në vitin 2010, Bleona shpërngulet përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe publikon këngën e parë në gjuhën angleze “Show Off” me Petey Pablo.
Në vitin 2012 publikon hitin “Pass Out” nga Timberland, ndërsa në vitin 2013 do të vinte me “Take It Like A Man” të prodhuar nga StopWaitGo.
Suksesin e vërtetë do ta arrinte në vitin 2015, me këngën “Take You Over” e cila arriti në numrin tre në tabelën e “Dance Billboard”.
Në vitin 2018 Bleona regjistroi versionin e saj të këngës së hitit italian të vitit 1980 “Su Di Noi”.
Provoi fatin e saj si regjisore në klipin epik “Monster” xhiruar në Como të Italisë, ndërsa hiti i rradhës “I Dont Need Your Love” arriti vendin e parë në “Billboard Dance Charts” në USA.
Përveçse këngëtare, Bleona sfidoi veten edhe në aktrim: Në vitin 2012 me një paraqitje në një episod të “True Justice” të Steven Seagal. Në 2017, ajo zbarkoi një rol së bashku me Dolph Lundgren në “Dead Trigger”. Një vit më pas, Bleona u shfaq në filmin “#211”, krahas aktorit Nicolas Cage. Bleona shfaqet si Nova në serinë e “Paper Empire” që do të jetë dhe roli i saj i parë i madh së bashku me Wesley Snipes, Denise Richards, Robert Davi dhe Anne Archer.
Në një intervistë ekskluzive ylli i muzikës Bleona Qereti përgjigjet në shumë pyetje: A i ka arritur të gjitha synimet sa i përket karrierës, cilën ngjarje të fëmijërisë e kujton me mall, si ishte eksperienca e fundit si aktore në filmin “Falco” dhe “Paper Empire”, këto dhe shumë ngjarje të tjera mund t’i kuptoni gjatë intervistës në vijim…
–Kënga e fundit që keni publikuar është “#Haters”, sa jeni ndarë e kënaqur me këtë projekt, dhe cili është mesazhi që përcjell kjo këngë?
Bleona Qereti:– Kënga e re “Haters”, është bërë për të gjithë njerëzit që japin komente negative në mediat sociale me llogari fiktive, teknikisht këta njerëz janë fansa, por nga llogaritë fiktive fillojnë dhe bëjnë komente negative. Ata s’janë rehat me veten e tyre, jo me atë që po ndodh…dhe kjo është kthyer në fenomen, “kancer digjital” do të thoja për të gjithë artistët, kështu që unë vendosa të flas për këtë fenomen.
Kënga “Haters” ka një video shumë të bukur, regjisori i së cilës është Chris Applebaum, një nga drejtorët më të famshëm në Hollywood. Look-u është si gjithmonë i kuruar nga Marjan Malakpour, stilistja ime personale e cila kujdeset edhe për artistë të tjerë si Shakira dhe Cher. Ndërsa drejtor fotografie është Jeffrey Kelly, qe ka bërë “Drunk In Love” të Beyonce.
–Konsideroheni këngëtarja e parë shqiptare që filluat misionin e fames edhe në Hollywood, a i ka arritur të gjitha synimet Bleona sa i përket karrierës?
Bleona Qereti:– Unë do të thoja që qëllimin qe të futem deri këtu e kam arritur, synimin që kam pasur që të filloj një rrugë shumë të gjatë, por sigurisht në një nivel tjetër, atë botëror, e kam arritur dhe mund të them se gjërat kanë filluar të ecin në drejtimin e duhur.
Nuk mund të thonë më tani që ishte thjesht ëndërr, siç thanë ne fillim kur nisa këtë punë.Kështu që synimi është i arritur.
Natyrisht, qëllimi final është që unë të marr “Oscars”, “Grammy”, “Emy”, por mund të them që jam në rrugën e duhur, nga dita kur kam filluar këtë punë.
–Kënga “Monster” pati shumë sukses, sajeni ndarë e kënaqur me këtë projekt në tërësi, dhe a mund të na ndani ndonjë moment interesant gjatë realizimit të videoklipit?
Bleona Qereti:– Kënga “Monster”, tashmë është bërë e vjetër, sepse është publikuar vitin e kaluar, arriti vendin e 12 në Billboard, është një këngë të cilën unë e kam pasur shumë përzemër, pasi ka qenë shumë personale për mua si histori. Mund të them që videoklipi i këngës “Monster” është një video epike e realizuar në Como të Italisë, siç e shikoni edhe në kanalin tim të “Youtube-it”. Njerëzit kanë pasur reagime shumë, shumë pozitive për këtë këngë.
–Ndër vite, keni realizuar shumë këngë, por cilat mbeten këngët më të dashura për ty që i këndon më ëndje?
Bleona Qereti:– Unë kam realizuar shumë këngë, është e vërtetë, këngët më të dashura nuk e di, pasi muzika është si moda, domethënë ndonjëherë kemi nostalgji për gjërat, për këngët tona të vjetra, por zakonisht unë gjithmonë fiksohem me këngën e re. E këndoj gjatë inçizimit, gjatë përgatitjes së videoklipit, montazhit të videos, dhe pasi e këndoj dhe e dëgjoj shumë herë, gjatë inçizimit, miksimit, dhe të gjitha gjërave, që siç dihet unë i bëj vetë, nga xhirimin e videos, montazhin, post produksionin. Në momentin që unë i mbaroj të gjitha këto, atëherë nuk e dëgjoj më këngën, pasi e kam dëgjuar aq shumë, saqë nuk dua më ta dëgjoj. Kështu që kur vjen puna tek këngët e vjetra, mund të them një gjë me bindje, që momentin kur unë kam mbaruar videon për ato këngë respektive, nuk i kam dëgjuar më vetë, përveçse në koncerte.
–Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?
Bleona Qereti:– Sigurisht, vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, unë kujtoj mamin dhe babin, të cilët më dërgonin çdo ditë në turizëm që të haja akullore kur jo të gjithë fëmijët e tjerë kishin ato lloj kushtesh, me të cilat jam rritur unë. Kështu që sot mami dhe babai jetojnë me mua në Beverly Hills, dhe tani po u kthej unë atë akullore që ma kanë dhënë ata kur kam qenë e vogël (buzëqesh), ja kam khyer unë me stilin e jetës që kanë ata tani.
–A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk i është përshtatur karakterit tënd?
Bleona Qereti:– Pothuajse gjithmonë, shumë producentë dhe kompozitorë kanë dashur që mua të më drejtojnë në një rrugë tjetër, dhe jam pikërisht unë që kam këmbëngulur në drejtimin tim si artiste në këtë jetë. Kam kthyer vërtetë shumë këngë, si shqiptare, ashtu edhe amerikane.
–Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtare të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtare e pëlqyer sot pa provokime?
Bleona Qereti:– Unë mendoj që fama e artistit, vjen me territorin e profesionit që kemi zgjedhur ne, me rëndësi është që t’i të bësh muzikën e bukur, të dish të dalësh në skenë dhe ta përfaqësosh vetën denjësisht. Pastaj çfarë klasifikohet për provokim, është krejt tjetër gjë, sepse gjithçka varet nga forma si perceptohet ajo nga njerëzit. Unë nuk mendoj që një artist, duhet të bëjë provokime për të qenë “in”, unë di që ka yje dhe ka super yje. Zakonisht superstarat çdo gjë që bëjnë, mediat merren me ta, por kjo nuk do të thotë që provokojnë… Pastaj artistët që NUK shesin, janë pikërisht ata që provokojnë…
–Me cilin këngëtar/e shqiptare por edhe botëror do të doje ta realizoje një bashkëpunim, që mendon se do t’i përshtatej stilit tënd?
Bleona Qereti:– Nuk kam ndonjë njeri në mendje momentalisht për të bërë ndonjë duet, thjesht unë dua të përcaktohem në muzikën time, të përqëndrohem në muzikën e re dhe albumin e ri që po e bëj me Timberland, kështu që nuk kam asnjeri në mendje momentalisht. Gjithsesi ju uroj të gjithëve shumë sukses. Si ishte eksperienca e fundit si aktore në filmin“Falco” të aktorit Bes Kallaku, a do të thotë kjo se për Bleonën ka filluar një epokë e re? Bleona Qereti:Sigurisht ka filluar një epokë e re, unë tani po merrem më shumë me filmat. Nuk është vetëm filmi “Falco” që kam bërë, kam luajtur edhe në “True Justice” të Steven Seagal në vitin 2012. Mund të them se kjo epokë filloi pikërisht atëherë, më pas kam luajtur në “#211” me Nicolas Cage në vitin 2017, kam luajtur në filmin “Dead Trigger” (2016), dhe kam luajtur në filmin “Paper Empire”, për të cilin kanë filluar xhirimet në vitin 2018 dhe do të shfaqet në “Netflix”, dhe sigurisht në vitin 2019 ishte filmi i Besit “Falco”, që për mua është filmi i pestë që bëj. Sigurisht në “Paper Empire”, roli ka qenë shumë më i madh sesa tre filmat e tjerë, ndërsa në filmin e Besit kam pasur një rol shumë të spikatur. Ka filluar një epokë e re, është një epokë për të cilën unë kam vite që përgatitem, unë kam kryer shkollën për aktrim dhe nuk ka qenë rastësi shpërngulja ime, devijimi i rrugës.Pra unë jam këngëtare por edhe aktore, dhe sigurisht ka ardhur koha që unë të përqendrohem në filma, por muzikën nuk do ta harroj asnjëherë.
–A mund të na shpalosni ndonjë projekt që keni planifikuar për 2021?
Bleona Qereti:– Përveç këngës, do vazhdoj me xhirimet e filmit “Paper Empire”, dhe të filloj punën për albumin tim me Timbaland.
–Cila është motoja që Bleona përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?
Bleona Qereti:– Mos lë asnjë njeri, asnjëherë të dëmtojë ëndrrat e tua, dhe të thotë ti je shumë i vogël për të arritur diçka, dhe diçka është shumë e madhe për ty. Në momentin kur ti vendos, që i vë vetes një qëllim për të arrirë diçka, pikerisht ai është momenti më i vështirë dhe hapi i parë i realizimit të tij.