Ndryshimet klimatike dhe bashkëpunimi janë ndër temat e diskutimit sot në takimin ministror të Këshillit të Arktikut në Rejkjavik të Islandës.

Në prag të bisedimeve, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA e vlerëson bashkëpunimin e fortë ndërkombëtar që ajo ka përmes Këshillit për të trajtuar krizën e klimës dhe për ta mbajtur rajonin e Arktikut në paqe.

Zoti Blinken i kërkoi këtë javë komunitetit ndërkombëtar të shmangë militarizimin e Arktikut dhe tha se Rusia ka avancuar “pretendime të paligjshme detare” në rajon.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha ndërkaq se vendet perëndimore nuk duhet të pretendojnë të drejta ndaj Arktikut dhe se Rusia është përgjegjëse për të siguruar që brigjet e saj të Arktikut do të jenë të sigurta.

Mosmarrëveshja për Arktikun ka të bëjë me të ashtuquajturën Rruga e Detit të Veriut, një rrugë transporti që kalon nëpër bregdetin verior të Rusisë në Arktik. Rusia e sheh Rrugën e Detit të Veriut si jetike për interesat e saj ekonomike dhe ushtarake dhe kërkon që anijet e huaja të marrin leje nga Moska për të lundruar në të. Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë si të paligjshme pretendimet e Rusisë për juridiksionin mbi disa pjesë të kësaj rruge.

Në periferitë e mbledhjes së Këshillit të Arktikut, fokusi i madh dje ishte tek një takim midis sekretarit Blinken dhe ministrit Lavrov.

Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Rusinë në aspektet ku të dy vendet kanë “interesa që ndërthuren”. Ai tha se SHBA do të kundërpërgjigjen nëse Moska vepron në mënyrë agresive kundër Uashingtonit dhe aleatëve të tij.