Vaksina Pfizer-BioNTech Covid-19 gjeneron një përgjigje të antitrupave dukshëm më të fuqishme tek njerëzit e moshuar kur doza e dytë bëhet 12 javë pas të parës, sipas një studimi britanik të publikuar së fundmi, një zbulim që zyrtarët e shëndetit publik në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se shfajëson qasjen e tyre për t’i dhënë përparësi shpërndarjes së dozës së parë.
Studimi i Universitetit të Birminghamit zbuloi se shtyrja e dozës së dytë në 12 javë nga e para, çoi në një përgjigje të antitrupave që ishte tre herë e gjysmë më e madhe sesa kur dozat e vaksinës u bënë sipas rekomandimit standard me tre javë larg, Raportoi Reuters.
Intervalet tre javore midis dozave, megjithatë, gjeneruan një përgjigje më të lartë të qelizave T në krahasim me strategjinë e dozimit të vonuar dhe shkencëtarët besojnë se qelizat T mund të jenë një shenjë për imunitetin afatgjatë. Studimi ekzaminoi 175 persona në Mbretërinë e Bashkuar të moshës ndërmjet 80 dhe 99 vjeç.
Shëndeti Publik i MB-së, megjithatë, tha se studimi ishte mbështetës i qasjes së qeverisë britanike për të vonuar dozën e dytë të vaksinave ndërsa i dha përparësi një përhapjeje në shkallë të gjerë të dozës së parë.
Në fillim të procesit të shpërndarjes së vaksinave, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar zgjati intervalin midis dy dozave në 12 javë. Kjo u bë për të siguruar që një numër i madh i njerëzve të mund të merrnin dozën e tyre të pare, duke i ofruar atyre në këtë mënyrë një farë mbrojtje kundër Covid-19.
BioNTech, i cili zhvilloi dozat me Pfizer, rekomandon kalimin e një periudhe tre javore midis dy dozave të tij dhe është shprehur gjithashtu se nuk ka të dhëna për të mbështetur strategjinë e vonuar. Hendeku 12-javor, megjithatë, ka lejuar Britaninë të ketë një nga shpërndarjet më të shpejta, me gati 70% të popullsisë së saj të rritur që e ka marrë të paktën një dozë, sipas të dhënave të qeverisë.
Të dhënat e fundit të publikuara nga zyrtarë të Koresë së Jugut gjithashtu zbuluan se doza e parë e vaksninës Pfizer-BioNTech është gati 90% efektive në parandalimin e infektimit me Covid-19 dy javë pasi të administrohet – edhe pse ka të ngjarë që ky numër të jetë më i ulët në vendet ku janë të përhapura variante të ndryshme të virusit. Këto të dhëna të reja mund t’i japin mundësinë edhe vendeve në shtete të tilla si Azia, ku shpërndarja e vaksinave është me ritme të ngadalta, që të marrin në konsideratë një strategji të ngjashme me atë të Britanisë së Madhe.
Mes një mungese të vaksinave dhe teksa vala e dytë e pandemisë po përshkallëzohet në Indi, qeveria e vendit ka vendosur të zgjasë hendekun midis administrimit të dy dozave të vaksinave AstraZeneca nga 4-8 javët aktuale në 12-16 javë./Forbes