Ju mungon më shumë kinemaja, teatri apo të merrni pjesë në një koncert?

Në Broadway, në west End të Londrës dhe në rajone të tjera anembanë botës, pjesa më e madhe e teatrove kanë qenë të mbyllura që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, në mars të 2020. Festivalet e muzikës janë anuluar. Yjet e baletit janë detyruar të stërviten në kuzhinat, garazhet dhe dhomat e tyre të ndenjjes.

Sektori kulturor dhe ai krijues ka qenë një nga më të prekurit e pandemisë. Ndikimi financiar është i madh. Deri në fund të vitit 2020, të ardhurat nga artet skenike vetëm në Mbretërinë e Bashkuar kishin humbur më shumë se 90% të shitjeve të biletave. Në SHBA, 27% e muzikantëve u gjendën të papunë në tremujorin e fundit të vitit 2020, krahasuar me vetëm 1.1% në 2019.

Megjithatë, kjo industri duket e vendosur për t’u rimëkëmbur. Si shumë industri të tjera, ajo është detyruar t’u përshtatet kushteve për të mbijetuar. Teknologjia ka ndihmuar shumë teatro të ofrojnë shfaqje të transmetuara live, ndërsa të tjerë po lejojnë që shfaqjet të ndiqen nga një numër i kufizuar audience. Njihuni më poshtë me disa nga mënyrat se si bota e artit po qëndron e lidhur me audiencën e saj – zgjidhje që mund të jenë modeli për të ardhmen tonë kulturore.

1. Shfaqje duke u përshtatur me koronavirusin

Teatrot në Berlin po marrin pjesë në një eksperiment të audiencës: çdo biletë e personalizuar prej 20 € përfshin një test falas COVID-19, që do të përdoret ditën e shfaqjes. Vetëm ata që dalin negativë do të lejohen të marrin pjesë në shfaqje, dhe vetëm nëse mbajnë maska mjekësore gjatë gjithë kohës.

Është pjesë e një projekti pilot nga organizatat e artit të qytetit dhe Departamenti i Senatit për Kulturë dhe Europë i Berlinit. Eksperimenti përfshin Operën, Teatrin dhe Simfoninë dhe performancën ‘rock’ si dhe mundësinë për të parë dirigjentin legjendar Daniel Barenboim në Operën Shtetërore të Berlinit duke dirigjuar Martesën e Figaro-s (La Nozze di Figaro).

Në Berlin është organizuar një shfaqje muzikore live në përshtatje me rregullat e COVID për një audiencë prej 70 personash në një bar të vogël në Holzmarkt – ose tregun e drurit në qendër të qytetit.
Normat e higjienës për evente si ky janë menduar mirë dhe zvogëlojnë rrezikun e infektimit në një minimum absolut. Tregu i drurit është më i sigurt se ccdo mjedis tjetër në Berlin, në kohë pandemie. Klaus Lederer, Senator për Kulturën dhe Europën, tha se ai shpresonte që projekti pilot të ishte nisja e duhur edhe për shumë ngjarje kulturore, sa më shpejt të jetë e mundur.

2. Lejet e vaksinimit

Izraeli ka vaksinuar më shumë se gjysmën e popullsisë së tij kundër COVID-19 dhe të dhënat tregojnë se numri i personave të infektuar po ulet. Si pjesë e programit të qeverisë “Operation Getting Back to Life”, vendi ka prezantuar atë që e quan Green Pass (Leja e Gjelbër) për ata që janë vaksinuar ose që janë shëruar nga virusi.

Mbajtësit e “Green Pass” mund të hyjnë në teatro, kinema dhe evente kulturore, me jo më shumë se 1,500 njerëz në arenat e koncerteve. Leja, e cila mund të printohet ose përdoret me një aplikacion, është e vlefshme për gjashtë muaj pas dozës së dytë të vaksinës së koronavirusit, ose deri në fund të qershorit për ata që janë shëruar nga COVID-19.
Në Tel Aviv në fillim të marsit, 500 njerëz përdorën “Green Pass” (Leja e Gjelbër) për të marrë pjesë në një koncert nga këngëtari izraelit Ivri Lider, në një stadium me kapacitet prej 30,000 personash.

Në fushatat reklamuese kombëtare “Green Pass” po promovohet si një rrugë drejt një lirie më të madhe, sipas qeverisë izraelite që shpreson se do të nxisë më shumë të rinj për t’u vaksinuar.
Nisma të ngjashme me “Green Pass” po merren në konsideratë edhe në vende të tjera, duke përfshirë një Certifikatë Dixhitale të Gjelbër për të mundësuar udhëtime brenda Bashkimit Europian.

3. Dezinfektimi dhe distancimi social

Në zemrën e kinemasë botërore, këto të fundit janë rihapur, por nën masa të rrepta sigurie. Në Teatrin El Capitan në Hollivud, Kaliforni, dyert dhe sipërfaqet e tjera me kontakt të lartë do të pastrohen rregullisht me dezinfektues. Pastruesi i duarve do të vendoset në të gjithë kinemanë, snacks-et do të paketohen paraprakisht dhe ulëset do të pozicionohen për të krijuar hapësirë prej 1,6 metrash midis grupeve.

Kapaciteti i audiencës në kinematë në Kaliforni është zgjeruar kohët e fundit nga 25% në 50%, ndërsa normat e vaksinimit rriten dhe rastet e reja me COVID-19 vazhdojnë të ulen.

Industria globale e filmit humbi miliarda të ardhura në gjysmën e parë të vitit 2020. Kinematë janë përballur me konkurrencën nga shërbimet live-streaming dhe një numër i madh filmash nuk janë shfaqur për shkak të COVID-19.
“As që më interesonte se çfarë filmi do të shfaqej. Thjesht doja të isha pjesë e ekranit të madh të kinemasë,” – tha Ken Ruiz, një shikues në El Capitan, për “The Wall Street Journal”. / *Katharine Rooney, World Economic Forum