Kreu i komitetit organizues të Lojërave Olimpike të Tokios dha dorëheqje, pasi u kritikua për deklarata “të papërshtatshme” për gratë.

Yoshiro Mori, 83 vjeç, u citua duke thënë se gratë flasin shumë dhe se takimet me shumë drejtoresha të bordeve “do të marrin shumë kohë”.

Mori, fillimisht, kërkoi falje, por tha se nuk do të japë dorëheqje.

Të premten, ai sërish kërkoi falje për “deklaratën e papërshtatshme”.

“Ajo që është e rëndësishme, është mbajtja e Olimpiadës nga korriku. Nuk duhet të ndodhë që prania ime të bëhet pengesë për këtë”, tha Mori, teksa njoftoi për dorëheqjen.

Dorëheqja vjen pas presionit në rritje kundër tij.

Sponsorët kryesorë e kritikuan atë, përfshirë prodhuesin e makinave Toyota, që është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Olimpiadës.

Presidenti i Toyotës, Akio Toyoda, tha se kompania është “e zhgënjyer”.

Nuk është ende e qartë se kush do ta zëvendësojë Morin, që më herët ka qenë kryeministër i Japonisë.