“Lënia sërish jashtë BE-së, do dëmtojë unionin”

Marrja e Presidencës së Bashkimit Europian nga Portugalia shihet nga ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth si një mundësi pozitive lidhur me procesin e zgjerimit të unionit me vendet e  Ballkanit Perëndimor. Roth nuk e fsheh aspak zhgënjimin se gjatë presidencës 6- mujore të Gjermanisë nuk pati progres lidhur me këtë çështje.

“Jam i zhgënjyer që ne brenda BE-së nuk kemi qenë në gjendje të hedhim hapin tjetër. Ne kemi nevojë urgjente për sinjale pozitive për Ballkanin Perëndimor.  Në lojë nuk është asgjë më pak se besueshmëria jonë”.

Në një intervistë për “Handelsblat”, Roth thotë se lënia jashtë zgjerimit e Ballkanit Perëndimor do të përdoret nga forca të tjera që nuk ndajnë të njëjta vlera demokratike me vendet e BE-së.

“Paqja dhe demokracia në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësisë strategjike për mbarë Evropën, e veçanërisht për fqinjësinë. Nëse BE-ja lë vakum në Ballkanin Perëndimor, atëherë forca të tjera që nuk i ndajnë vlerat demokratike të Unionit do ta përdorin këtë moment për arsyet e tyre gjeostrategjike. Në këtë mënyrë ne po dëmtojnë veten”.

Hezitimimin e BE-së për zgjerimin e Ballkanit Prëndimor, ministri Roth e sheh si një tragjedi për vendet e rajonit, pasi demokracia, shprehet ai, është nën presion të madh, ndërsa autoritarizmi sa vjen e bëhet edhe më i fuqishëm.