-Ai ka mbetur në nivele të ulëta, për të mos thënë më i ulëti në botë, me vetëm 35 euro për frymë-
Nga Avni Ponari
Përveç mentalitetit të keqngulitur në mendjet e shqiptarëve, se shteti duhet të kujdeset për ne dhe duhet të bëjë çdo gjë për ne, të na ndërtojë shtëpinë kur na e prish tërmeti, të na japë shërbimin shëndetësor kur sëmuremi, të na riktheje biznesin kur falimentojmë e kështu me radhë, një faktor përcaktues në nivelin e ulët të sigurimeve në popullsi mbetet baza ligjore apo reformat ligjore të domosdoshme për mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
Jashtë mbrojtjes financiare mbeten klientët e dëmtuar nga djegia apo dëmtimi i shtëpisë së komshiut, mbeten të pambuluar qytetarët nga përgjegjësia profesionale e mjekut, mbeten të pambuluar klientët nga përgjegjësia e hoteleve dhe operatorëve turistikë e kështu me radhë.
Ligji i vetëm që ka njëfarë përvoje, por që edhe ai ka mbetur në zanafillat e tij, është ai për sigurimin e detyrueshëm, ku edhe aty ka problematika në zbatimin e tij. Mjafton të përmendim faktin që në Shqipëri qarkullojnë çdo ditë mbi 20% e automjeteve pa siguracionin e detyrueshëm, e tregon qartazi këtë. Fakti që ka akoma ndërtues që nuk sigurojnë punonjësit e tyre, që ka punonjës në naftë apo miniera që ka në çdo sektor të jetës punonjës të pasiguruar, janë tregues të qartë se edhe ligji për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike nuk zbatohet plotësisht.
Shqipëria është nga ato vende që ka më shumë aksidente sesa vendet e tjera të rajonit, me rreth 1500 në vit me pasoja shëndetësore dhe mbi 20 mijë dëme materiale. Po ashtu, për fatin tonë të keq, Shqipëria mban rekord edhe për numrin e personave të vdekur në aksidentet rrugore, me 4 herë më të lartë se mesatarja e vendeve të BE-së.
Shkaqet e aksidenteve dihen, i kemi thënë e stërthënë shumë herë. Eksperienca e pakët në drejtimin e automjetit; makinat që qarkullojnë janë mbi 60% të vjetra dhe tejet të amortizuara; siguria rrugore që lë për të dëshiruar, pa barriera mbrojtëse dhe pa sinjalistikë në hyrje dhe dalje; kalimi në të njëjtën rrugë edhe të makinave, edhe të këmbësorëve, edhe të kafshëve; drejtimi i automjetit në gjendje të dehur apo nën efektin e substancave të tjera të palejueshme, por që çuditërisht kurrë nuk dalin si shkaktarë të aksidenteve në procesverbalet e Policisë Rrugore dhe mbi të gjitha shpejtësia tej normave të lejuara janë shkaqet kryesore të kësaj batërdie që ndodh në rrugët tona.
Vetëm në Shqipëri shikon kaq prita në rrugë nga Policia Rrugore. Vetëm nga Lezha deri në Tiranë mund të jenë mbi 10 patrulla rrugore, por që nuk kanë asnjë efekt parandalues për aksidentet. Efekti i këtyre patrullave policore vërehet edhe kur ka bllokim rrugësh dhe bëhet vargu i makinave me kilometra.Asnjë efekt për garantimin e lëvizjes së lirë nuk vjen nga Policia Rrugore, por pas kësaj është rritja e stresit te drejtuesit e mjeteve dhe vjelja e sa më shumë gjobave prej tyre.
Nga këto aksidente ka të lënduar rëndë dhe jo pak të vdekur.
Por, veç kostos njerëzore, aksidentet janë një barrë e lartë edhe për ekonominë. Kostoja ekonomike e aksidenteve rrugore në Shqipëri, po t’i referohemi BB-së, është mesatarisht 130 milionë euro në vit ose gati 1.5% e GPD-së.
Për shkak të këtyre kostove tronditëse njerëzore, por edhe financiare, para disa vitesh Banka Botërore dhe qeveria shqiptare nisën një projekt të përbashkët me 128.5 milionë euro për të përmirësuar sigurinë rrugore në Shqipëri dhe objektivi ishte që numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore të ulej në 250 vdekje në vit. Por, po t’i referohemi vitit të kaluar ku humbën jetën 519 persona dhe po t’i referohemi faktit që ne sa herë udhëtojmë me makinë nuk shohim sinjalistikën apo mbrojtjen e duhur nëpër rrugë, duket qartë sesa efektiv ka qenë ky projekt.
Nga ana tjetër, kostoja e aksidenteve jo vetëm që prek ekonominë e vendit dhe xhepat e qytetarëve, sepse në fund të fundit ato 130 milionë euro kosto që shkaktojnë aksidente rrugore çdo vit paguhen nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, por efekti më i drejtpërdrejtë shkon te qytetarët e dëmtuar.
Do thoni ju po pse, ata janë të siguruar…
Sepse ka vite që është krijuar një skemë mirëfilli korruptive, nga një grup abuzuesish ekspertë, vlerësues dëmesh dhe avokatë gjyqtarë që marrin vendime pa u mbështetur në asnjë ligj që devijon dhe manipulon shkaqet dhe fajtorët e vërtetë të aksidentit, duke devijuar në mënyrë të qëllimtë edhe të drejtën e dëmshpërblimit ose duke ia kaluar fajin një pale që nuk është fare prezent në aksident.
Të parët që shkojnë te koka e të aksidentuarit apo te familjarët që kanë të vdekur, janë individët që përgatitin skemat e vjedhjes së të dëmtuarit, duke bërë gjoja sikur po interesohen për hallin që atyre u ka rënë.
Duke qenë për nga natyra më të buta dhe presupozohet më të dhimbshme, edhe qytetarët priren t’u besojnë më shpejt, dërgohen pranë qytetarëve të dëmtuar apo atyre që kanë humbur familjarë, femra nën cilësinë e përfaqësuesve nga zyra ekspertësh, vlerësues dëmesh apo avokatë, duke bërë gjoja sikur atyre u vjen keq për çfarë qytetarit apo familjarit i ka ndodhur dhe me demek dëshiron ta ndihmojë që të përfitojë dëmshpërblimin.
Qytetarët, shpeshherë edhe nga mosinformimi, sepse e drejta e dëmshpërblimit i takon kujtdo që ka pësuar aksident dhe s’ka qenë fajtor i aksidentit, bien pre e këtyre mashtrimeve dhe hedhin edhe firma pa e ditur se për çfarë po i hedhin firmat dhe në fund ose nuk marrin asgjë që u takon, sepse “përfaqësuesi” i tyre ka bërë marrëveshje me palën tjetër dhe e ka shitur mirëfilli rastin e tij/saj, duke ia dhënë dëmin dikujt tjetër që nuk i takon, ose në rastin më të mirë marrin vetëm 50% të shumës që u takon nga dëmshpërblimi.
Kjo ka krijuar situata të paqarta dhe mungesë besimi te kompanitë e sigurimit, kur, në fakt, edhe vetë kompanitë janë të dëmtuara në këtë rast dhe atyre u intereson që dëmin ta marrë pala që i takon dhe mbi të gjitha ta marrë në masën 100% dhe jota ndajnë me ndërmjetësit. Sepse, kur klienti është i kënaqur, rrjedhimisht i beson kompanisë së sigurimit dhe mbetet klient besnik.
Fenomeni tipik që vihet re te Policia në rast aksidenti është vendosja e një gjobe të lehtë për shkaktarin, i cili nuk ndëshkohet as nga sistemi i sigurimeve, as nga Policia. Gjoba për këtë klient shkon deri në 2000 lekë në rast se është fajtor në aksidente ku ka shkaktuar dëme materiale dhe i gjobisin deri në 40 mijë lekë të rinj nëse ke tejkaluar shpejtësinë dhe nuk ke bërë aksident, por vetëm se je kapur nga radari me policët e fshehur diku në autostradë.
Dëmshpërblimi i drejtpërdrejtë dhe i përcaktuar qartë me skeda, me foto nga vendngjarja e aksidentit, një komision mjekësor i qartë dhe i pakorruptuar që di ta bëjë në mënyrë të saktë vlerësimin e dëmit dhe masën e dëmshpërblimit, do rriste besimin e kompanive të sigurimit, sepse dëmshpërblimi, pra, duke qenë e saktë masa e dëmshpërblimit e shprehur qartë dhe me kujdes me figura dëmi e vlera të caktuara që mund t’i përcaktojë çdo individ që ka vetëm 9-vjeçare, do ta bënte ligjin të saktë e të kuptueshëm për të gjithë dëmet e do paguhen shpejt dhe mbi të gjitha shpërblimi do shkojë te personi i duhur, te pala e dëmtuar që vërtet i takon dhe jo tek ai që thjesht pretendon ose është palë e tretë në këtë rast pa asnjë lidhje.
Kjo do të eliminonte palët përfituese, të cilët përfitojnë nga ngjarja, përfitojnë nga familjarët që janë të tronditur në ato momente, do të ulte evazionin fiskal sepse çdo gjë do të bëhej sipas rregullave dhe pa para në dorë; do gjeneronte klientë të kënaqur dhe me besim te kompanitë e tyre të sigurimit, pra, e thënë qartë, çdo gjë do të funksiononte sipas rregullave e ligjeve.
Por, nëse e gjithë kjo procedurë nuk përcaktohet qartë me një ligj, klientët do të vazhdojnë të mashtrohen nga një grup individësh, të cilët kanë krijuar skema mirëfilli korruptive në kurriz të tyre.
Ligji dhe skemat aktuale favorizojnë palët mbrojtëse dhe jo vetë klientët, kur, në fakt, nevojitet e kundërtat. Na nevojitet një ligj për të mbrojtur klientët, palët e dëmtuara në aksident dhe jo për palët mbrojtëse.