Kohë më parë, edhe pse nën “regjimin e Pandemisë”, me inicimin e Nëndegës së LDK-së për Pfalz-it me rrethinë në Keiserslautern, përkrahjen e kryetarit të Nëndegës z. Berat Rexhaj, pa harruar edhe përkrahjen e pakyrsyer të kryesisë, përkatësisht kryetarit të Degës, z. Osman Ferizi, u hap konkursi vjetor (për herë të parë) për SHPËRBLIMIN VJETOR për art dhe letërsi “Dr. Ibrahim Rugova 2020”, që tani e tutje do jetë tradicional. Kjo, mbase vetë Presidenti I. Rugova, vinte nga fusha e letrave! Shih për këtë, të diturit thonë: “Robi, LIRINË e gjen (sheh) tek krijuesit”…! Dhe koha e dëshmoi mishërimin e krijuesit, pra Dr. Ibrahim RUGOVËS me popullin deri në aktin më sublim, që njihet ndryshe edhe sakrifikim, vetëflijim apo “kurban” për LIRINË e popullit! Andaj, Juria e përbërë nga Hasan Qyqalla, kryetar i JURISË (ndryshe, ish kryetar i LSHAKSH në Gjermani, kryetar NDERI i LKSHM-së, autor, kritik dhe studjues), Miradia MALIQI, anëtare e JURISË (ndryshe, autore, skenariste dhe kritike e artit) dhe Mentor THAQI, anëtar i JURISË (ndryshe autor, sekretar gjeneral i LKSHM-së dhe veprimtar i devotshëm i LDK-së), shpallin rezultatin, me sa vijon:

Shpërblimi vjetor për ART DHE LETËRSI “DR. IBRAHIM RUGOVA 2020” në prozë, i jepet autorit z. Nimon MUÇAJ për librin VITET E HARRIMIT, kurse

Shpërblimi vjetor për ART DHE LETËRSI “DR. IBRAHIM RUGOVA 2020” në poezi, i jepet poetit z. Fran TANUSHI për librin TEMPULLI I BRAKTISUR​​​​​I.

​Nimon Muçaj është një ndër emrat që i ka dhënë fizionominë kulturës shqiptare, duke kontribuar për të, në mënyrë të shumfishtë, qoftë si aktor, regjisor dhe shkrimtar i dhjetëra veprave të çmuara. Së fundmi ka botuar romanin “Vitet e harrimit” (Baladë Muhaxhire), që u bë dhe sebepi i këtij shpërblimi. N. Muçaj si njohës i historisë, gjuhës dhe tragjedive të popullit tonë, me frymën thellësisht kombëtare, nxjerrë thellësinë e interpretimit të emocioneve, sjelljeve dhe ndjenjave njerëzore, përmes origjinalitetit të përshkrimit të karaktereve dhe të rrëfimit. Janë tiparet e këtij romani, që i ofron lexuesit mundësi për të shkrirë natyrshëm rrëfimin me përshkrimin, për arsye të aftësisë që ka përdorur drejtë për drejtë, si dhe për formën metaforike, për fokusin e larmishëm ndaj pamjeve që lidhen me fatin e popullit të vet. Romani në përgjithësi karakterizohet nga vetëdija kritike ndaj historisë e cila vazhdon të jetë një ndërgjegje e shquar kombëtare, një roman që erdhi si rikujtesë, si një homazh për të gjithë ata shqiptarë që u detyruan të lënë vatrat stërgjyshërore, për të gjithë ata që u vranë e u masakruan. E kaluara e shprehur në këtë roman nuk dëshmon thjesht një të vërtetë tragjike të një pjese historie që ishte, por që ka vazhduar akoma në forma të njejta nga pushtues të ndryshëm, duke u bërë një kambanë e fuqishme për të njejtat probleme, sfida të njëjta dhe luftëra të vështira, që nxitë lexuesin apo studjuesin të reflektojë mbi kujtesën kolektive. Romani i Nimon Muçajt nuk na jep vetëm një variant të një realiteti që e kemi njohur vetëm përmes historisë si diçka që është kryer, diçka që ka përfunduar. Plaga e kësaj historie vazhdon të jetë aktuale akoma edhe në ditët e sotme, e do të vazhdojë deri sa të kemi frymë si komb, në metafiksionin historiografik që mbetet e hapur. Pra, e kaluara nuk i përket vetëm historisë, por shtron çështje që lidhen me të tashmen si një narracion linear duke ndjekur rregullin kronologjik të ngjarjeve që paraqiten qartë përmes personazheve në etapa kohore. E kaluara bëhet pjesë e dhimbjes së shpirtit të njeriut, për atë që ka ngecur në horizontin e së shkuarës.Vazhdon të zhytet pa fund, mbetet gjallë brenda shpirtit që nuk mundet e nuk do të vdesë kurrë.

*Miradie Maliqi, anëtare e JURISË

Autore, skenariste e kritike e artit

Cyrih, 4.12.2020

Juria:

Hasan QYQALLA – kryetar

Miradie MALIQI – anëtare

Mentor THAQI – anëtar

Koordinator-korrespodentë, nga jashtë

Selajdin GASHI

Koblenz, 5.12.2020