Ashtu si shumë familje iraniane, ideja e planifikimit të lindjes së fëmijës së tyre të parë nuk doli e saktë për Siyawash dhe bashkëshorten e tij kur u martuan në fillim të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Por, kur një mik u sugjeroi “datën magjike” të 9-9-99 në kalendarin iranian, e cila bie këtë javë, emocionet e burrit dhe gruas së tij në pritje për ngjarjen e madhe arritën kulmin.

Meqenëse data e lindjes për lindjen e foshnjës ishte pesë ditë pas datës së veçantë, të muajit të nëntë iranian të Azarit, në mendje u erdhi ideja për të shkuar në lindje të parakohshme me prerje cezariane.

Familja e tyre, megjithatë, nuk bën kundërshtim.

Ekziston një trend në rritje në Iran për të shkuar në lindjet cezariane të parakohshme për të lindur në datat që konsiderohen si “yllësi e mirë”.

Ndërsa “datat magjike” vijnë pas çdo 11 vjetësh, tendenca është parë edhe në dekadat e mëparshme, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë të Iranit, pavarësisht se autoritetet e dekurajojnë fuqimisht këtë dukuri për shkak të shëndetit të foshnjave të sapolindura.

Nasrin Changezi, kreu i Departamentit të Ministrisë për shëndetin e maternitetit paralajmëroi se kjo “mund të çojë në komplikime serioze”.

Mes pandemisë së koronavirusit, theksoi ajo “problemet mund të shumohen” pasi disa nëna janë asimptomatike dhe lindja e bebeve para kohe mund të “rrezikojë nënën dhe foshnjën”.

Për të dekurajuar këtë trend, Organizata Kombëtare e Regjistrimit Civil të Iranit, e cila është përgjegjëse për dhënien e certifikatave të lindjes, ka zbutur rregullat për të lëshuar certifikata lindje para dhe pas datës 9-9-99.

Saifullah Abu Turabi, zëdhënës i autoritetit tha se prindërit mund të marrin çertifikata lindjeje 9-9-99 për fëmijët e lindur gjatë dy javëve të para të muajit Azar.

Ai u bëri thirrje familjeve “të mos nxitojnë” dhe “t’i japin përparësi shëndetit dhe mirëqenies së fëmijës dhe nënës”, duke thënë se ata mund të aplikojnë për certifikatën e dëshiruar edhe nëse foshnjat lindin një javë para ose më pas.

Ekspertët e shëndetit thonë se lindjet e parakohshme gjatë pandemisë së koronavirusit janë më të rrezikshme se zakonisht, janë raportuar shumë raste të nënave dhe të porsalindurve që janë infektuar tashmë.

Irani aktualisht po përballet me një valë të tretë të pandemisë, kurse infeksionet e përditshme dhe fatalitetet shënojnë rekorde çdo ditë.

Vendi aktualisht është nën një bllokim dy-javor si pjesë e përpjekjeve për të frenuar përhapjen e virusit.