Gjykata Speciale ka paditur tashmë disa udhëheqë të luftës çlirimtare të Kosovës, përfshi edhe Presidentin Hashim Thaçi, dhe dy-ish-kryetarë të parlamentit të Kosovës.
Nuk ka rëndësi nëse keni mbështetur ose jo Hashim Thaçin dhe drejtuesit e tjerë si politikanë. Vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen si President kur ka mësuar për akuzat meriton vlerësim. Aleati i tij politik, kryetari i ri i PDK-së, Kadri Veseli ka vepruar po njësoj. Gjykata gjithësesi ka përdorur në mënyrë të panevojshme forcën për të arrestuar ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ndonëse nuk ka pasur rrezik arratisjeje nga drejtësia.

Të gjithë udhëheqësit e Kosovës që janë hetuar apo paditur në këto 20 vjet janë paraqitur vetë në Hagë, kanë bashkëpunuar që të gjithë dhe kanë refuzuar që të ikin e të fshihen.
Arsyeja për këtë është se ata nuk kanë pse të kenë frikë nga drejtësia. Lufta jonë për pavarësi ishte e pastër dhe e drejtë. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë, apo të vendosë shenjën e barazisë mes krimeve të luftës të ushtrisë pushtuese dhe regjimit shtypës nga Serbia me qëndresën heroike dhe luftën për liri të Kosovës.
Kjo sjellje e udhëheqësve të Kosovë dallon shumë nga ajo e krerëve të Serbisë. Nga Millosheviqi te Mlladiqi, që të gjithë u munduan të fshihen, e të arratisen. U dërguan në Hagë kundër dëshirës së tyre. Refuzuan të bashkëpunojnë me hetimet dhe provuan se ishin në dijeni dhe të vendosur që të dhunonin civilët e pafajshëm për synimet e tyre shoviniste.
Mirëpo, kjo vazhdon edhe sot. Shumë zyrtarë të lartë në qeverinë dhe ushtrinë serbe janë përlyer në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Askush nuk po i heton ata.
20 vjet pas luftës nuk ka pasur drejtësi për krimet e luftës në Kosovë. Askush nuk po heton ata që përdhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra në Kosovë. Askush nuk po heton ata që vranë mijëra civilë dhe ua morën trupat për t’i fshehur nëpër Serbi. Askush nuk po heton vrasësit e vëllezërve Bytyçi që ishin qytetarë amerikanë.
Kë po përndjek në vend të tyre, kjo Gjykatë Speciale? Vetëm shqiptarët e Kosovës.
Kongresisti Eliot Engel, Kryetar i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme e tha më së miri sot: Po ngrihen pyetje jashtëzakonisht të rënda për këtë Gjykatë Speciale, se ndonëse u ngrit sipas një ligji që nuk diskriminon etnitë, është duke përndjekur vetëm shqiptarët”. Ai premtoi se Kongresi Amerikan do të vazhdojë ta mbajë nën vëzhgim veprimtarinë e kësaj Gjykate.
Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo Gjykatë u krijua nga Parlamenti i Kosovës dhe puna e saj duhet të mbahet në vëzhgim edhe nga Parlamenti i Kosovës.
Siç e kam shkruar edhe më parë, ushtarët e UÇK-së nuk shkuan në Beograd apo qytete të tjera serbe për të luftuar dhe vrarë njerëz. Ishin ushtarët serbë, policët dhe paraushtarakët që erdhën në trojet tona, në shtëpitë tona, në familjet tona dhe filluan të bëjnë genocid. Ushtarët e UÇK-së vetëm mbrojtën shtëpitë dhe familjet e tyre. Serbia ishte agresori në atë luftë.
Deri tani e gjithë puna e Gjykatës Speciale ka qenë e njëanshme. Nuk është hera e parë që komuniteti ndërkombëtar po gabon me Kosovën. Gjatë viteve 1990 e lanë Kosovën në mëshirën e regjimit të Millosheviqit duke shpresuar se do të mbyllej vetë si çështje. Tani, po injorojnë kriminelët e vërtetë të luftës në Beograd e po u shkojnë pas atyre që morën armët për të mbrojtur shtëpitë e tyre dhe popullin e tyre. Viktimat e vërteta të luftës në Kosovë ende po presin drejtësi.

________________

Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat si dhe Çmimin nga Shtëpia e Bardhë “Thirrja e Presidentit për Shërbim”.