Ashtu siҫ pritej, pas ngritjes së akuzave të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaҫit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe bashkëluftëtarёve të tyre, Rusia riaktivizoi dhe intensifikoi luftën ҫinformative, në funksion të objektivave të saj gjeostrategjike dhe gjeopolitike, në Ballkan dhe më gjerë. Në krye të kësaj lufte është vënë Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse dhe Departamenti i Shtypit dhe Informacionit pranë saj, me deklarata zyrtare periodike, duke filluar, që në muajin qershor, kur për herë të parë u fol për këto akuza.

Në deklaratën e saj të fundit, Ministria e Jashtme ruse “sqaron” se Gjykata Speciale po merret me hetimin e krimeve të UҪK-së, të kësaj “strukture të urryer”, si dhe të “profileve të larta” të saj, për të cilët janë grumbulluar shumë prova, që i implikojnë në veprimtari të kundërligjshme, përfshirë terrorizmin dhe krimin e organizuar. Në vazhdim, ajo thekson se “tani po bëhet e qartë se kë ndihmoi NATO, kur në vitin 1999, bombardoi Jugosllavinë sovrane”.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në KS të OKB-së, V. A. Nebenza, veҫ hedhjes baltë mbi udhëheqjen e UҪK-së, u përpoq të njollosë edhe Kosovën, duke e etiketuar atë si fidanishte të krimit të organizuar dhe qendër rekrutimi të terrorizmit ndërkombëtar. Në vazhdën e kritikave të Moskës ndaj Tribunalit të Hagës për Jugosllavinë, si gjykatë politike, e njëanshme, antiserbe e proshqiptare, ambasadori rus u shpreh skeptik se vendimet e Gjykatës Speciale do të jenë tё drejta dhe nё përshtatje me pritshmëritë e Moskës.

Duke marrë shkas nga akuzat e Dhomave të Specializuara, “analistë” dhe “ekspertë” rrogëtarë, apo servilë të regjimit putinist, shpërthyen në një rrebesh shkrimesh në media dhe rrjete sociale.

Bashkëpunëtorja e vjetër shkencore e Institutit të Sllavistikës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë në Moskë, Ana Filimonova, e klasifikoi Kosovën si faktorin kryesor të destabilizimit të Ballkanit.

Analistët e portalit të njohur antishqiptar, “Fondi i Kulturës Strategjike”, Dmitri Sjedov dhe Aleksandër Mezjajev, risollën në skenë fantazmën e “shtëpisë së verdhë” dhe shpifjen mbi trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore, nga luftëtarët e UҪK-së. Trillimet e tyre kaluan ҫdo kufi imagjinate kur fantazuan se, gjatë luftës, organet e serbëve dhe të romëve transportoheshin për në “botën e civilizuar, nëpërmjet kamionëve të KFOR-it”, ndërkohë, që dihet botërisht se KFOR-i u vendos në Kosovë, pas ҫlirimit të saj, në qershor 1999. Nё trillimet e tyre pa fre, gjeti vend edhe Osama Bin Laden, kuptohet, si aleat i UҪK-së.

Ashtu si në politikën zyrtare, edhe në mediat dhe rrjetet sociale ruse shprehet një skepticizëm patologjik, lidhur me punën e Gjykatës Speciale. Në një shkrim të botuar në portalin rus “regnum.ru”, me 17.11.2020, Daniel Igrec, ngre “shqetësimin” se, për shkak se kjo gjykatë është produkt i BE-së dhe SHBA-së dhe se prokurorët dhe gjykatësit e saj vijnë nga vendet që e kanë njohur Kosovën, shumica e të cilëve kanë marrë pjesë në dënimin e serbëve nga Tribunali i Hagës për Jugosllavinë, ajo mund të përdoret “për amnistimin dhe rehabilitimin e udhëheqësve të separatizmit shqiptaromadh”.

Nuk është vështirë që në valën e re të dezinformimit rus të dallohen elementët e pandryshueshëm të objektivave gjeostrategjike, afatgjata dhe afatshkurtëra ruse. Midis atyre afatgjata, mund të veҫohen: goditja e Kosovës së pavarur si projekt gjeopolitik perëndimor, i cili, sipas Kremlinit, synon copëzimin dhe shfaktorizimin e civilizimit sllavo-ortodoks në Ballkan; goditja e vlerave perëndimore dhe paraqitja e tyre si një maskë prapa së cilës fshihen interesat e Brukselit dhe të Uashingtonit për dëbimin e Rusisë nga Ballkani; tëhuajësimi i Perëndimit me shqiptarët dhe anasjelltas, duke i paraqitur këta të fundit si fundamentalistë islamikë, terroristë, trafikantë armësh, droge dhe organesh njerëzore, destabilizues të paqes dhe sigurisë rajonale, të cilët, gjoja, kanë dalë jashtë kontrollit, që nga momenti i shkëputjes së Kosovës nga Serbia.

Midis objektivave afatshkurtëra dhe afatmesme të Rusisë, janë edhe këto: destabilizimi i situatës politike e të sigurisë në Kosovë; bllokimi i njohjeve të reja, i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe vazhdimi i procesit të ҫnjohjeve të saj; përҫarja e shqiptarëve me njëri-tjetrin, në përgjithësi dhe kundërvënia midis Shqipërisë e Kosovës, në veҫanti.

Një pjesë e mirë e objektivave gjeopolitike ruse, në mënyrë të veҫantë, ato që kanë të bëjnë me rajonin ballkanik, përputhen plotësisht, ose, në masë të madhe, janë të ngjashme me ato të Beogradit.

I trimëruar nga mbështetja politike, diplomatike dhe propagandistike e Moskës, nga furnizimi me armë e teknologji luftarake ruse, si dhe nga njoftimi i kohëve të fundit për hapjen e zyrës së Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, në Beograd, presidenti serb, A. Vuҫiҫ arriti deri aty sa të guxojë të kërcënojë se “në qoftë se nuk arrihet marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, mund të shpërthejë një luftë si ajo në Nagorni Karabah”.

Cili ishte reagimi i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare ndaj valës së re të luftës informative të Moskës dhe kërcënimeve të Beogradit?

Ashtu si më parë, Ministritë tona të Jashtme nuk e morën fare mundimin për t`i hedhur poshtë deklaratat zyrtare të MPJ të Rusisë, të cilat përmbajnë akuza të rënda kundër shtetësisë së Kosovës, kundër UҪK-së si organizatë dhe kundër shqiptarëve si popull e si komb. Nuk pati reagim as nga institucionet tona studimore e shkencore që paguhen nga shteti. Me ndonjë përjashtim të rrallë, as media, as shoqëria civile nuk u morën fare me këtë punë, të paktën, për t`ia bërë të ditur publikut shqiptar, si dukuri.

Por e keqja nuk përfundon me kaq. Në vend që të ngrihej e të demaskonte tezat e propagandës ruse kundër Gjykatës Speciale dhe UҪK-së, politika në Tiranë dhe në Prishtinë, pozitë-opozitë, i shpalli luftë Gjykatës Speciale, mbi bazën e “argumenteve” putiniste dhe, me ose pa vetëdije, në thelb, po iushërben objektivave gjeostrategjike të Kremlinit.

Njëlloj siҫ e kishte akuzuar Moska Tribunalin e Hagës, për gjyqe politike, edhe partitë politike shqiptare, të njëjtën akuzë po i bëjnë Gjykatës Speciale; njëlloj, siҫ e kishte akuzuar Moska Tribunalin e Hagës, për njëanshmëri të drejtuar kundër serbëve, edhe politika jonë po e stigmatizon Gjykatën Speciale si të njëanshme dhe antishqiptare; njëlloj si Moska, e cila nuk i ka besuar as nuk i beson drejtësisë ndërkombëtare, as politika shqiptare nuk po i beson drejtësisë së Dhomave të Specializuara.

Jo vetëm kaq, por nën ndikimin e konceptit putinist se udhëheqësi është profet, gjykatës e prokuror (“Putini është Rusia dhe Rusia është Putini”), personalitete tё larta politike tё dy vendeve tona po kërkojnё ndërhyrjen e qeverisë së Kosovës në punën e Gjykatës Speciale, gjoja, për të mbojtur vlerat e UҪK-së. Me logjikë foshnjarake hidhet poshtë koncepti bazë i demokracisë dhe shettit ligjor ku pushtetet janë të ndara.

Për ҫfarë ndihme tjetër ndaj të akuzuarve bëhet fjalë, kur, tashmë dihet se ekziston Ligji për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale dhe qeveria e ka miratuar edhe fondin përkatës për këtë ҫështje. Ҫdo “ndihmë” tjetër do të ishte e jashtëligjshme dhe, si e tillë do të konsiderohej ndërhyrje në punën e pavarur të gjykatës.

Gjykata Speciale, vërtet, është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por ajo nuk përfaqëson interesat e qeverisë, as nuk i jep llogari asaj. Në Rusi po, drejtësia kontrollohet prej Putinit dhe vendimet e saj ndikohen nga ana e tij.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkon edhe më tej, duke u kthyer në promovues e zbatues të një prej objektivave themelore e konstante të Moskës e Beogradit-përҫarjen e shqiptarëve. I përfshirë në ethet elektorale të 25 prillit 2021, pa asnjë fakt, ai po akuzon kundërshtarët e vet politikë si tradhëtarë, të implikuar në përgatitjen e dosjeve kundër luftëtarëve të UҪK-së, duke futur pyka midis dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës.

Sa i takon reagimit ndaj kërcënimit të Vuҫiҫit për luftë, ai ishte shumë i vakët. Jo se ai paraqet ndonjë kërcënim real në këtë moment, sepse Kosova është pjesë e zonës së sigurisë dhe interesave euroatlantike, ndërsa Nagorni Karabah, pjesë e domenit rus, ku Moska “ngrinë” e “shkrinë” konflikte, por për shkak të frymës antieuropiane dhe militariste që sjell në rajonin tonë, edhe ashtu të trazuar, ky reagim do të duhej të ishte mё i fortë dhe më serioz.

Sugjerime

Politika dhe shoqëria shqiptare duhet të vetëdijësohen se instrumentalizimi i akuzave të Gjykatës Speciale, nga ana e Moskës, është pjesë përbërëse e fushatës së saj dezinformuese për afirmimin e rrëfimit ruso-serb kundër Kosovës, Shqipërisë dhe Perëndimit. Në këtë kontekst, ato duhet të shkëputen përfundimisht nga pasiviteti dhe parazitizmi i deritanishëm strategjik dhe të angazhohen seriozisht në demaskimin e kësaj fushate, duke aktivizuar institucionet tona shtetërore, ato shkencore, median dhe rrjetin e organizatave joqeveritare. Duhet të kuptohet qartë se në shënjestër të luftës dezinformuese ruso-serbe është shtetësia dhe pavarësia e Kosovës.

Nga faktori shqiptar të shfytëzohet momenti pozitiv i zgjedhjes së Xho Bajdenit si president i SHBA-së, i cili, duket se është i vendosur t`i japë fund kaosit strategjik të D. Trampit, lidhur me Rusinë dhe, në bashkëpunim me NATO-n, BE-në dhe aleatët e tjerë, të zbatojë politikën e përmbajtjes së Moskës.Jashtë bashkëpunimit me partnerët tanë strategjikë, fitorja jonë në luftën informative me Rusinë, është thjesht iluzion.

Nga SHBA dhe BE kërkohet ndihmë më konkrete, politike, ekonomike dhe ushtarake për Kosovën, Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor për të përballuar kërcënimin shumëdimensional rus, si kërcënimi kryesor i jashtëm për rajonin tonë. Në funksion të këtij qëllimi, detyrë parësore mbetet anëtarësimi i Kosovës dhe Bosjnë Hercegovinës në NATO.

Politika shqiptare të ndërpresë sulmet ndaj Gjykatës Speciale mbi bazën e argumenteve putiniste. Ajo duhet lënë e qetë, të bëjë punën e saj, jashtë ҫdo ndërhyrje politike. Interesi jetik i Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb, është që të zbulohet dhe mbrohet e vërteta, jo emrat e përveҫëm, partia, apo organizata. Duke mbrojtur të vërtetën, mbrohet individi, partia, organizata dhe shtetësia e Kosovës.

Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë mund t`i ndihmojnë luftëtarët e UҪK-së, të akuzuar nga Gjykata Speciale, me fakte e dëshmi të reja (në qoftë se ka), të cilat mund të provojnë pafajësinë e tyre. Ato mund të ndihmojnë edhe financiarisht avokaturën. Ҫdo “ndihmë” tjetër, është e paligjshme.

Kuvendi i Shqipërisë të mbështesë rezolutën e Kuvendit të Kosovës që fajëson Serbinë për gjenocid.

Shqipëria, si anëtare e Interpolit, të shohë mundësinë e lëshimit të fletëarresteve për një numër kriminelësh serbë, të njohur si ekzekutues krimesh lufte dhe kundër njerëzimit, gjatë agresionit të Serbisë në Kosovë, në vitet 1998-1999.

Në rast se Beogradi vazhdon të furnizohet me pajisje ushtarake dhe armatim rus, do të ishte mirë që Brukseli dhe Uashingtoni të shihnin mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë.